Teksa pritet të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump para mbështetësve në Uashington premtoi të nënshkruajë një sërë urdhrash ekzekutivë në ditën e tij të parë si president.
Ai u shpreh se do të vendosë kufizime të rrepta për imigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij.
“Do të shihni urdhra ekzekutivë që do t’ju bëjnë jashtëzakonisht të lumtur. Ne duhet ta vendosim vendin tonë në rrugën e duhur. Në kohën kur dielli perëndon, pushtimi i kufijve tanë do të ketë ndalur dhe të gjithë shkelësit e paligjshëm të kufirit, të cilët në një formë apo tjetër do të jenë në rrugën e tyre për në shtëpi”, tha Donald Trump.
Mësohet se Trump pritet të nënshkruajë më shumë se 200 veprime ekzekutive sot.
“Ne do të rivendosim shpejt kontrollin e territorit dhe kufijve tanë sovran. Do të dëbojmë çdo anëtar të vetëm ilegal të bandave dhe kriminel migrant që vepron në tokën amerikane. Çdo urdhër ekzekutiv radikal dhe qesharak i administratës Biden do të shfuqizohet brenda disa orësh nga momenti kur unë bëj betimin”, tha Trump.
Presidenti i zgjedhur Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, një operacion i kësaj shkalle do të zgjaste vite dhe do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm.
Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 Janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij. Ai premtoi gjithashtu se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar ose të akuzuar në lidhje me sulmin.
Zona të mëdha të kryeqytetit, përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë janë bllokuar nga gardhe çeliku që nga java e kaluar dhe ka patur një prani të shtuar të policisë në të gjithë zonën.
Inaugurimi i Trump përfundon një rikthim triumfues për një figurë politike i cili i mbijetoi dy gjyqeve të fajësimit, një dënimi për krime, dy tentativave për vrasje dhe një aktakuzë për përpjekjen për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Në javët e fundit, ai ka befasuar vendet aleate me shprehjen e mendimit për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, si dhe shndërrimin e Kanadasë në një shtet të Shteteve të Bashkuara.
Klan News