Takimi mes kryediplomatëve të Uashingtonit dhe Moskës, që i jep “start” procesit të paqes në Ukrainë me nismën e presidentit amerikan Donald Tramp u zhvillua mes një fryme mirëkputimi që mungonte prej vitesh mes dy vendeve. Takimi mes Marco Rubios, Sergey Lavrovit dhe ekipeve përkatëse në kryeqytetin e Arabisë Saudite zgjati për 4 orë. Palët vendosën 4 objektiva kryesore.

Parimet e takimit:

1. Rivendosja e misioneve diplomatike në Moskë dhe Uashington

2. Krijimi i ekipeve të nivelit të lartë për negociatat për fundin e luftës në Ukrainë dhe paqen afatgjatë.

3. Nisja e bashkëpunimit gjeopolitik dhe ekonomik pas fundit të luftës.

4. Angazhim që ekipet negociuese në Riad të nxisin dhe garantojnë përparimin e procesit të paqes


Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio nënvizoi një pikë të rëndësishme që negociatat të kenë sukses.

“Që t’i jepet fund kësaj lufte, duhet të ketë lëshime nga të gjitha palët.”


Ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov përsëriti sërish vijën e kuqe.

“Zgjerimi i NATO-s dhe përpirja e Ukrainës nga Aleanca Veri-Atlantike kërcënon direkt interesat e Federatës Ruse dhe sovranitetin tonë.”

Pavarësisht se kryediplomati rus tha një ditë më parë se europianët nuk kishin pse të përfshiheshin në bisedime pasi nuk duan fundin e luftës, homologu amerikan tha se asnjë palë nuk është e përjashtuar, ndërsa ky ishte vetëm fillimi i bisedimeve dhe në të do të përfshihej edhe Ukraina.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, nga Ankaraja ku takoi kreun e shtetit turk Rexhep Taip Erdoan përsëriti se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përfshin Ukrainën. Ai shtyu për në mesin e Marsit, vizitën e tij parashikuar për këtë javë në Arabinë Saudite për të mos i dhënë – siç tha – legjitimitet takimit Rubio-Lavrov.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti francez Emmanuel Macron thirri për të mërkurën një samit të dytë urgjent të vendeve europiane që nuk ishin në takimin e parë dhe kanadanë për të diskutuar për Ukrainën. Të Hënën, liderët europianë nuk ranë dakord për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë, një propozim i mbështetur nga kryeministri britanik Keir Starmer, por i kundërshtuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili e konsideroi të rrezikshëm.

Tv Klan