Një kamion i ngarkuar me lule mimoza që drejtohej nga një femër, ka shpërndarë të gjithë ngarkesën me rastin e 8 Marsit në Lushnje.
Bianka Dervishi ka ardhur nga Italia posaçërisht për këtë ditë, duke dhuruar mbi 1000 tufa mimozash. Ajo është ndihmuar për të shpërndarë dhuratat edhe nga Policia e Shtetit, ku të gjitha femrave shofere dhe grave të rastësishme në rrugë, iu dhanë tufat me lule mimoza dhe ëmbëlsira.
Turistet italiane u bënë pjesë e kësaj panorame, të cilat gjithashtu pranuan me kënaqësi dhuratën.
“Është diçka e bukur kjo që po bëni, nuk na ka ndodhur asnjëherë në Itali të marrim dhuratë për 8 Marsin, por meqenëse u ndodhëm këtu po e pranojmë me kënaqësi”, tha njëra prej tyre.
Bianka Dervishi jeton e punon në Itali prej 20 vitesh dhe është femra e vetme që ka një punë si shofere kamioni. Ajo tregon se është përballur fillimisht me paragjykime, por pavarësisht kësaj ajo sot ka një punë që e dashuron.
Mesazhi i kësaj dite për të gjitha femrat në Lushnje ishte të shpërndahej dashuri dhe përkujdesje për nënat e motrat tona. Më herët, kamioni me lule mimoze, është ndalur edhe në disa pika biznesi në Lushnje që drejtohen nga femrat, e më pas aty ku janë të punësuara gratë.
Klan News