Kalimtarët nga dje ndeshën me këtë instalacion në sheshin “Skënderbej”. Shumë prej tyre ndalojnë për të lexuar dhe ajo që shohin janë dëshmitë reale nga gra dhe vajza të dhunuara apo të ngacmuara seksualisht. Quhet “Mozaiku i Zërave” dhe synon të ndërgjegjësojë qytetarët rreth këtij fenomeni.

Jolma Allaj është 21 vjeç, është një prej të rejave të angazhuar në këtë projekt. Këtë fenomen e ka përjetuar edhe vetë. Historinë e saj zgjedh të mos e komentoj publikisht, por kërkon që kushdo që bie pre e dhunës me bazë gjinore të mos heshti.

“Edhe vetë personalisht kam qenë pjesë e këtij fenomeni, dhe e kam ndarë historinë time në mesin e tyre edhe historitë e shoqeve të mia dhe është një epidemi për të cilën ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur. I gjithë qëllimi i “Mozaikut të Zërave” është të nxisë bisedën sepse ajo është pjesa më e vështirë, për të hapur një bisedë që është e parehatshme”, tha Allaj.

Mbështetur nga UNDP dhe Ambasada Suedeze, kjo ide lindi që të rinjtë të adresojnë dhunën me bazë gjinore.

“Këto histori janë ndarë në mënyrë anonime në bashkëpunim me organizatën “Gruaja Shqiptare në Audioviziv”, u kemi siguruar që do jenë anonime dhe nuk besoj se këto të gra janë gati që të dalin me zë dhe figurë për të treguar historinë e tyre”, tha Erjola Kaçi, menaxhere e projektit, UNDP Shqipëri.

Instalacioni do të qëndrojë në shesh deri më 12 Mars, ndërsa shumë qytetarë kanë zgjedhur të shkruajnë mesazhe inkurajmi për viktimat e dhunës.

Tv Klan