Kjo ishte pamja gjatë së dielës në plazhin e Shëngjinit. Moti i ngrohtë me diell dhe temperaturat e larta kanë tërhequr pushues dhe vizitorë të shumtë drejt kësaj zone turistike.
E gjithë vija bregdetare nga Rana e Hedhun deri në Kune është e populluar me pushues, pjesa më e madhe e të cilëve janë ditorë dhe kanë ardhur sa për të kaluar fundjavën në Shëngjin.
“Shëngjini shumë i bukur, një ndryshim i paparë. Klimë e bukur, vend i bukur, kam ardhur nga Saranda”, tha një vizitore.
“Shumë i bukur, ndoshta se është dhe kohë e verës, ka dhe gjallëri, ka detin e bukur, të gjitha të bukura janë. Unë them që këtu ia vlen të vish”, tha një tjetër vizitor.
Nuk mungojnë besnikët e përhershëm të kësaj vije bregdetare, shqiptarët e Kosovës.
“Nga Ferizaj, jemi pushues të rregullt të Shëngjinit. Për 12 vite këtu vijmë rregullisht. Jo vetëm që vijmë për pushime të gjata, por edhe vikendeve zakonisht”, tha një vizitor nga Kosova.
Operatorët turistik kanë nisur përgatitjet e para pasi pritet që fluksi i lartë i turistëve të vijë në Shëngjin shumë më herët se vitet e tjera.
Klan News