Punimet e nisura në Tetor të vitit 2024 për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Tiranë-Durrës, në segmentin e parë nga dalje e Kombinatit deri në afërsi të fshatit Pezë-Helmës kanë arritur masën 25%.

Aktualisht ka përfunduar procesi i gërmimeve në trupin e rrugës, e cila nga 9.5 metra do të zgjerohet në 12.5 metra me dy korsi lëvizje.

“Ecuria në lotin e parë të këtij projekti është në ritmet e veta dhe ka kaluar shifrën 25%”, tha Gëzim Noni, përgjegjës i Menaxhimit të Kontratave në ARRSH.

“Në pjesën e fundit të lotit të parë të këtij aksi të rëndësishëm që lidh Tiranën me Durrësin ka nisur hedhja e çakullit, pjesë e shtresave të trupit të rrugës”, raporton gazetarja Dorina Halili.

“Aktualisht janë ndërtuar disa vepra arti, tombino që përshkrujnë këtë segment… Natyrisht me përfundimin e bokseve, kuptohet që do ketë edhe riorganizimin e ujërave të bardha, të zeza”, tha Noni.

Me hedhjen e çakullit pritet të lehtësohet edhe qarkullimi në lotin e parë prej 4.8 kilometrash, ku qytetarët po përballen me vështirësi në lëvizje.

“Kjo gjë e përmirëson lëvizjen e mjeteve, sa vjen dhe kjo situatë përmirësohet, kuptohet që ka pasur vështirësitë e veta. Kuptohet që është një situatë e pakëndshme edhe për ne që punojmë po edhe për banorët që e aksesojnë çdo ditë… kërkojmë mirëkuptim”, tha Noni.

“Punimet pritet të zgjasin 20 muaj dhe sipas afateve të përcaktuara, kjo rrugë do të jetë gati për qarkullim në maj të vitit 2026”, raporton gazetarja.

 “Por ndërkohe ecuria e mirë na jep shpresë që të mbarojmë pak më shpejt. Ndërkohë këtë vit janë parashikuar edhe vazhdimi i procedurave për lotet e tjerë të këtij aksi”, tha Përgjegjësi i Menaxhimit të Kontratave në ARRSH.

Ky segment do të jetë një rrugë e kategorisë C, me një shpejtësi levizjeje nga 50-10 km në orë dhe mund të përballojë një trafik prej 5 mijë deri në 12 mijë mjete për 24 orë.

Investimi në lotin e parë të rrugës nacionale Kombinat-Plepa kap vlerën e 7.1 milion eurove me TVSH.

Tv Klan