Shqipëria mund të përmbyllë deri në vitin 2027 aspektin teknik të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociata në Bashkimin Evropian, Marta Kos, e pranishme në panelin “Zgjerimi i BE-së” në Konferencën e Sigurisë në Mynih së bashku me kryeministrin Rama tha se duhet përshpejtuar procesi integrimit për vendet aspirante për integrimin në BE.
“Po punojmë 2 deri në 3 herë më shpejt. Na duhet të bëjmë dallimin mes pjesës teknike të procesit dhe pjesës politike. Kur bëhet fjalë për pjesën teknike, mund të përmbyllim me Malin e Zi dhe Shqipërinë deri në fund të vitit 2026 ose 2027. Por ka dhe një pjesë politike që do të thotë se asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të merret pa vullnetin e vendeve anëtare. Këtu i shoh mundësitë sot. Për pjesën teknike, për të cilën jam e ngarkuar, mund të bëjmë shumë. Jo vetëm për Ukrainën, por edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Duhet të flasim dhe po flasim me shtetet anëtare për atë që mund të bëjmë sepse është pjesa teknike, por edhe vullneti politik.”
Nën klimën e deklaratave të fundit të zv.presidentit amerikan JD Vance, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos tha se është Bashkimi Evropian që mund t’i sjellë vendet kandidate në BE dhe jo SHBA.
“Zgjerimi sot nuk ndikohet vetëm nga ajo që bën SHBA, por gjeopolitika. Kur Sllovenia hyri në BE, ishte e lehtë, por më vonë u bë e vështirë pasi vendet anëtare duhet të hyjnë më në thellësi. Sot kemi një situatë specifike. Kemi forca të jashtme që ndikojnë dhe duan të na shohin të dështojmë. Nuk është vetëm zgjerimi, por bashkimi i Europës. Ja pse po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.”
Pak ditë më parë kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria është gati të çelë negociatat edhe për grupkapitullin e tretë “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse” me Bashkimin Evropian.
Tv Klan