Mijëra qytetarë bëhen pjesë e aktiviteteve në Tiranë dhe Elbasan

Pas dy viteve mungesë, festimet e Ditës së Verës kanë mbledhur në sheshe e rrugë mijëra qytetarë.

Në Tiranë e gjithë hapësira nga sheshi Skënderbej deri tek sheshi Nënë Tereza është  përshtatur nga Bashkia e Tiranës për aktivitete të ndryshme.

Koncert, lojëra dhe aktivitete kryesisht dedikuar fëmijëve, kanë qenë pjesa zbavitëse.

Nuk kanë munguar dhe panairi me produkte të ndryshme ushqimore apo dhe artizanale të zonës.

Ballokumja kryefjala e kësaj feste tregtohej në pak pika, ndryshe nga vitet e shkuara ku e gjeje në çdo cep.

“S’kam shitur shumë, është rritur është bërë 100 Lekë. Vjet i jepja 100 dy copë”.

Festimet në kryeqytet do të zgjasin deri në orën 16:00, për t’u rikthyer në mbrëmje në orën 20:00 me koncertin e Malumës në sheshin Skënderbej.

Elbasani ishte edhe këtë vit epiqendra e festimeve për shumë qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria.

Me këtë rast bashkia kishte organizuar një sërë aktivitetesh nga koncertet, tek karnavalet, lojërat popullore dhe panaire.

Festa e Ditës së Verës është kthyer në një ngjarje e cili tashmë zgjat me ditë në Elbasan. Kjo është një mundësi, jo vetëm për të ruajtur dhe pasuruar traditën, por edhe për promovimin e vlerave të qytetit.

Tv Klan