Aktivitete të ndryshme ka pasur përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për festën kombëtare të Ditës së Verës, të shpallur prej vitit 2004.

Nuk ka munguar as performanca e bandës së qytetit. Në hapësirën e dedikuar mjeshtërave të artizanatit, u prezantuan punime unike, tradita të trashëguara dhe produkte të punuara me dorë.

Ndërkohë që nuk kanë munguar as ëmbëlsira tradicionale, ballokumet dhe veroret.

“Një verë e mbarë për të gjithë popullin shqiptar. Gëzuar o Zot, gëzuar”.

Një vëmendje të veçantë i është dhënë agroturizmit dhe produkteve lokale.

“Këtë vit, përveç prodhimeve tona kemi nxjerrë dhe një kauzë në lidhje me pataten e Rapidishtit të Dibrës për ta mbështetur sa më shumë një grup fermerësh të cilët kishin një stok shumë të madh patatesh dhe për të sensibilizuar, jo vetëm anëtarët e këtij rrjeti, lokale, restorante, agroturizme të ndryshme që mund të marrin këtë patate, por dhe qytetarë të thjeshtë dhe familje që të kuptojnë që duke mbështetur prodhimet lokale, prodhimet vendase, mbështesim ekonominë e vendit tonë”, u shpreh Johana Bano.

Ky veç panairit për promovimin e produkteve shqiptare, bëhet edhe informimi i qytetarëve për të mirat e konsumit të produkteve lokale.

“Ardhja ime në këto stenda në fakt është për të paraqitur disa rezultate të një kërkimi shkencor që kemi bërë në kuadër të Universitetit Bujqësor të Tiranës, mbështetur nga Agjencia Kombëtare për Inovacion dhe Kërkim Shkencor në Shqipëri. Sistemi ushqimor shqiptar në vende, në qytete si Tirana është drejt urbanizimit, normalisht qasjet e globalizimit në konsum dhe patjetër që kjo ka pasojat e veta dhe ajo që synon ky projekt që të tregojë rolin e gruas në çdo aspekt të sistemit ushqimor”, tha kërkuesja shkencore dhe pedagogia Elena Kokthi.

Si pjesë e vazhdimit të agroturizmit, ishin edhe minifermat e vogla të kafshëve, ku vizitorët dhe sidomos fëmijët, mundën të mësojnë më shumë rreth tyre.

Aktivitete të ndryshme sportive, si basketboll, volejboll, por edhe tenis, janë organizuar në zonën para Kryeministrisë. Të apasionuarit e biçikletave dhe sporteve ekstreme shijuan performancën spektakolare të të rinjve.

Vogëlushët janë ata që gëzojnë më shumë në këtë ditë vere.

Edhe në Vlorë, Dita e Verës ka sjellë një atmosferë festive duke përfshirë një sërë organizimesh nga bashkia e qytetit.

Klan News