Është momenti i së vërtetës. Pas 46 viteve, Erioni më në fund do të mësojë nëse emri i gruas në certifikatën e tij të lindjes është vërtet nëna e tij biologjike. Ai e kërkoi ndihmën e “Ka Një Mesazh Për Ty” për të zbuluar rrënjët e vërteta të identitetit.

Lutfija, edhe gjatë takimit fillestar me moderatorin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, por edhe në studio ku e pa Erionin nga ekrani, është e bindur se ajo nuk ka sjellë në jetë një djalë në vitin 1979. E vetmja përgjigje e pakundërshtueshme është ADN-ja. 

Ekspertët e “Forensic Center Albania” kanë mbërritur në studio me rezultatin e provës gjenetike.

“Nga krahasimi i profileve gjenetike të znj. Lutfije Shkëmbi dhe z. Erion Dehari, dalim në përfundimin se ata paraqesin lidhjen gjenetike nënë-bir”, thuhet në përgjigjen e ADN-së.

Lutfija ngrihet në këmbë.

Ardit Gjebrea: Erion, u ngrit në këmbë mami! Nëna që të ka lindur! Shko përqafoje! Pas 46 vitesh!

Erioni nuk humbet asnjë sekondë, por shkon menjëherë të përqafojë nënën e tij biologjike. Lutfija vijon të jetë e shtangur, por i hap krahët të birit dhe e mirëpret në familje.

Ardit Gjebrea: Erion?

Erion: Jam i lumtur tani!

Ardit Gjebrea: Është çuni yt.

Lutfije: Po pra! Mua nuk më duket se është djali im, por megjithatë unë e pranoj dhe them që në familje të vijë.

Ardit Gjebrea: Të vijë në familje.

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Në këto momente që ne flasim dhe në këto momente që ti e shikon, që e ke afër, që analiza tregoi që është djali yt, të vjen ndonjë kujtim, do të thuash ndonjë gjë?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Nuk do të thuash?

Lutfije: Jo, nuk kam.

Ardit Gjebrea: Ah, nuk ke? Por në momentin që analiza e tregon që është djali yt…

Lutfije: Si është e mundur?

Ardit Gjebrea: Këtë do të doja ta dija nga  ti.

Lutfije: Nga mua…unë linda dy fëmijë binjakë dhe ato të dy më vdiqën. Qe periudha që ra rubeola, bëmë  një varrim dhe sot janë në varreza të dy.

Ardit Gjebrea: Pra ti i ke parë  fëmijët e vdekur?

Lutfije: Po, i kam parë.

Ardit Gjebrea: Në cilin vit, e mban mend apo jo?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Në çfarë viti je martuar ti, të kujtohet?

Lutfije: S’kam bërë dasmë.

Ardit Gjebrea: Je rrëmbyer? Me dashuri?

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ke qenë?

Lutfije: Mbi 20.

Ardit Gjebrea: Ti ditëlindjen e ke kur?

Lutfije: Më 23 qershor 1952.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që Erioni ka lindur në vitin 1978. Që i bie që të kesh qenë 28 vjeç.

Lutfije: Përafërsisht.

Ardit Gjebrea: Atëherë nëse historia është kështu…

Lutfije: Kështu është dhe s’e luan…

Ardit Gjebrea: Topi.

Lutfije: Po.

Ardit Gjebrea: Në certifikatën e lindjes që kemi ne, të Erionit, është emri yt, mbiemri, mbiemri i vajzërisë.  Si e ke mbiemrin e vajzërisë?

Lutfije: Dema.

Ardit Gjebrea: Pra është Lutfije Dema. Dhe emri i babait të Erionit është imagjinar, është shkruar Agron.  Si quhej bashkëshorti juaj?

Lutfije: Shefki Shkëmbi.

Ardit Gjebrea: Erion, e gjetët njëri-tjetrin.

Erion: Faleminderit emisionit! Faleminderit juve z. Ardit, faleminderit të gjithëve si staf, Bernardit, faleminderit shumë!

Pas shkrepjes së një fotografie, Lutfija njihet edhe me Rehanën, bashkëshorten e Erionit dhe mëson se është edhe gjyshe. Më pas, familja lë studion./tvklan.al