Delegacionet e SHBA-së dhe Rusisë kanë mbërritur në Arabinë Saudite dhe të martën do të zhvillojnë takime mbi formatin dhe temat e mundshme të negociatave për fundin e luftës në Ukrainë. I pari mbërriti në Arabinë Saudite sekretari i Shtetit Marco Rubio.

Ai u takua fillimisht me Ministrin e Jashtëm saudit, Princin Faisal bin Farhan në Riad dhe më pas me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Të martën Rubio dhe delegacioni që e shoqëron do të ulet në negociata përballë ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ndërsa amerikanët nuk kanë caktuar ende një kryenegociator, Presidenti rus Vladimir Putin ka lënë detyra të qarta për delegacionin dhe këto i shpjegoi për televizionin Channel One, Yuri Ushakov, këshilltari për politikën e jashtme i presidentit rus.

“Do të jemi në Riad për të diskutuar rivendosjen e marrëdhënieve normale, për të diskutuar fillimin e negociatave të mundshme për Ukrainën dhe gjithashtu për të diskutuar perspektivat e kontakteve të nivelit më të lartë”, tha Yuri Ushakov.

Para nisjes për në Riad, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov përjashtoi mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Ukrainën duke vendosur një qëndrim të ashpër hapës në prag të bisedimeve të së martës. Lavrorv i quajti këtu ide fantazi.

Ai gjithashtu pyeti me habi gazetarët, pse Europa duhet të ftohet bisedimet e mundshme për fundin e luftës në Ukrainë.

Në këto negociata paraprake nuk do të jetë e përfshirë as Ukraina. Presidenti Volodymyr Zelensky u tha gazetarëve se Ukraina nuk do të merre pjesë në negociata dhe “nuk di gjë për to”.

“Ukraina konsideron çdo negociatë për Ukrainën pa Ukrainën si pa të rezultat dhe ne nuk mund ta njohim rezultatin, nuk do të njohim marrëveshje të tilla”, tha Volodymyr Zelensky.

Garanci nga i dërguari i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg se askush nuk do t’i imponojë Ukrainës një marrëveshje paqeje. Ndërsa garancitë e sigurisë që do të ofrojë Uashingtoni dhe paqeruajtësit e ardhshëm europianë do të adresohen më vonë.

Më të zëshëm pro Ukrainës, një grup senatorësh amerikanë nga të dyja partitë. Ata thanë se Ukraina dhe Europa duhet të jenë palë në çdo bisedim. Senatorët Jeanne Shaheen, Thom Tillis dhe Michael Bennet vizituan Kievin ditën që liderët europianë u mblodhën në një samit urgjent në Paris.

“Nuk do të shohim asnjë fund të negociuar të kësaj lufte nëse nuk ka garanci sigurie. Ne pamë se çfarë ndodhi në vitin 2014 kur Rusia hyri dhe ne nuk u treguam të ashpër mjaftueshëm”, tha Jeanne Shahen.

Sipas gazetës “The Washington Post”, vendet europiane po shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së rreth 25-30 mijë trupash në Ukrainë.

Klan News