Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën kombëtare për arsimin e lartë, ku mes të tjerësh morën pjesë përfaqësues universitetesh dhe personalitete të fushës së shkencës. Gjatë kësaj konference u bë prezantimi i Dokumentit të Politikave të Arsimit të Lartë 2030, me vizionin për të përafruar standardet e arsimit të lartë shqiptar me ato të Bashkimit Europian.

Rama gjatë fjalës së tij në këtë konferencë u shpreh se ky dokument është një prodhim i brendshëm i përbashkët i të gjithë universiteteve.

“Përtej kësaj unë e para sinqerisht besoj që ky dokument ka një rëndësi të madhe për faktin që është një produkt i brendshëm nuk është një dokument që vjen nga jashtë. Nuk imponohet nga qeveria, nuk është një përkthim apo një recetë e marrë nga ata që zakonisht i quajmë partnerët tanë strategjik, por është një prodhim i brendshëm i përbashkët i të gjithë universiteteve dhe në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit, Bordi i Akreditimit dhe personalisht Shqiponja ka luajtur një rol të posaçëm në këtë punë, plus ekspertiza e mirëpritur e Bankës Botërore dhe duke qenë se ky dokument është një bashkëautorësi e të gjithë atyre që duhet ta çojnë përpara arsimin e lartë kjo është një bazë për të besuar që plani i veprimit dhe zbatimi i planit të veprimit ka shumë shance që të jenë procese të suksesshëm. Janë gjëra shumë pozitive që kanë një potencial domëthënës dhe që tani kërkojnë fokus që secili të luajë si duhet rolin e vet. Sa i takon qeverisë ne jemi komod në këto kushte kur ky produkt është një produkt i bashëautorësisë së të gjithëve dhe gjasat që të ndesh në kundërshti janë minimale”, theksoi Rama.

Ndër të tjera Kryeministri u shpreh se situata në fushën e arsimit sot është më e përmirësuar ku përmendi faktin që tashmë ne duhet të kemi doktoratura të niveleve europiane. Gjithashtu Rama e vuri theksin edhe tek kërkimet shkencore për të cilat tha se të kthehet në shërbim dhe zhvillim të vendit.

“Sot kemi shumë gjëra që janë adresuar dhe janë vënë në vend dhe është shumë e rëndësishme të jemi realist me njëri-tjetrit, që në me vërtetë i kemi hapur doktoraturat, por duhet të synojmë doktoratura të niveleve europiane, jo thjesht doktoraturat për doktoratura. Ajo që besoj se është pika më e rëndësishme është që ndryshimi që ka filluar për të vënë kërkimin shkencor në funksion të vendit, të thellohet sepse kërkim shkencor që nga rezultatet e atij botimi nuk ka asnjë lloj vlere unë besoj që ne nuk kemi as luksin dhe as kohën për ta qujtur kërkim shkencor. Duhet t’i japim shumë më tepër fokus kërkimit shkencor në funksion të zhvillimit të vendit dhe sektorëve”, tha Rama./tvklan.al