Rubrika “Ka Një Mesazh Për Ty” është zhvendosur në zyrën e moderatorit të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebreas. Ai shpjegon se shtatorin e shkuar, në adresën e programit kishte mbërritur një mesazh nga Erion Dehari, i cili pas 46 vitesh kërkon të gjejë nënën e tij biologjike.

Gjebrea mirëpret Erionin në zyrë i cili nis të ndajë kujtimet e tij të para kur nisi të kuptonte që nuk ishte djali biologjik i familjes ku rritej dhe momentin kur e mësoi të vërtetën.

Erion: Unë quhem Erion Dehari dhe vij nga qyteti i Fushë-Krujës, banues.

Ardit Gjebrea: Aty ke lindur?

Erion: Jo, kam lindur në…atje ku jam rritur domethënë quhet Ostren i Vogël.

Ardit Gjebrea: Nuk the se ku ke lindur, nuk e di se ku ke lindur, jo?

Erion: Jo, nuk e di.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç je ti?

Erion: Unë jam 46.

Ardit Gjebrea: Datëlindja?

Erion: 15 maj 1979.

Ardit Gjebrea: Në cilën moshë ti për herë të parë dyshove një fjalë që u bë edhe motivi pse sot je këtu?

Erion: Kam qenë në klasë të parë, fëmijë, në shkollë, si puna jonë ndonjëherë kur ziheshim, “të kanë marrë” më thoshin kalamajtë.

Ardit Gjebrea: Si të thoshin kalamajtë, kur ziheshit?

Erion: Po, kështu ndonjëherë. “Ti s’je i filanit”.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin mami?

Erion: I Seitit dhe i Nexhmijes.

Ardit Gjebrea: Pra babai Seit, nëna Nexhmije. Thoshin “ti nuk je fëmija i tyre”.

Erion: Po, të kanë marrë më thoshin mua.

Ardit Gjebrea: Ti çfarë bëje?

Erion: Pastaj vajta në shtëpi, i thasha mamit. Mami thoshte “jo, ti i joni”.

Ardit Gjebrea: Çfarë i the mamit kur vajte në shtëpi?

Erion: Mami i thashë, aty në shkollë fëmijët më thonë kështu. Më keni marrë? Jo të keqen mami, ti je yni. Nuk tregonin.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti i parë që ti fillove të dyshoje seriozisht?

Erion: Pati një periudhë në vitin ’98. Gjendjen civile e kishim në Ostren të Madh.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti?

Erion: 18. Natyrisht, që të marr një certifikatë vajta te kryetari i gjendjes civile. Hapi ai regjistrin, aty gjeti një dokument. E lexoi dhe tha “ti qenke i adoptuar”, aty e mora vesh pastaj.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndjeve në atë moment?

Erion: Ngela.

Ardit Gjebrea: E more dokumentin?

Erion: Aty më lexoi emrat e babait dhe nënës.

Ardit Gjebrea: Tani te dokumenti emri i babait dhe nënës nuk ishte i prindërve që  të kishin rritur?

Erion: Jo, i atyre biologjikëve.

Ardit Gjebrea: Dhe si ishin?

Erion: Kujtim Dema, emri i babait dhe Lutfjie Dema.

Ardit Gjebrea: Erioni tregon si erdhi tek e vërteta.

Erion: Para se t’ju shkruaja juve, vendosa dhe i thashë mamit pastaj.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha mami?

Erion: Pranoi pastaj, filloi të qante. Edhe sot qan shumë.

Ardit Gjebrea: Normale që të do./tvklan.al