Kryeministri Edi Rama në konferencën kombëtare për arsimin e lartë, foli në panelin e prezantimit të Dokumentit për Arsimin e Lartë 2030.
Ndër të tjera Rama u ndal edhe tek Universiteti Bujqësor i Tiranës duke e quajtur atë zhvillimin më të bukur. Sipas Kryeministrit do të vijohet të ndiqet modeli i bashkëpunimit që ka krijuar Universiteti Bujqësor me Universitetin ‘Boku’ në Vjenë edhe në universitete të tjera.
Rama u shpreh se falë angazhimit të rektorit dhe të ekipit atje u arrit që të futet Universitet Bujqësor në një trajektore krejt tjetër duke e bërë vendin ku po ndërtohet një realitet i ri akademik
“Është e domosdoshme dhe një nga zhvillimet më të bukura që po përjetojmë është zhvillimi i Universitetit Bujqësor. Universiteti Bujqësor dukej si një realitet i destinuar që të mbetej realiteti i provincës së botës universitare shqiptare, një realitet i destinuar që të mbetej si një lloj kampi refugjatësh që nuk arrinin dot të aksesonin botën universitare për shkak të një niveli shumë të ulët dhe mblidheshin tek Universiteti Bujqësor me pesa. Falë angazhimit të rektorit dhe të ekipit atje ne arritëm së bashku që ta fusim Universitetin Bujqësor në një trajektore krejt tjetër duke e bërë vendin ku po ndërtohet një realitet i ri akademik përmes partneritetit me universitetin Boku të Vjenës dhe me ambicien që deri në 2030 diplomat e Universitetit Bujqësor në Tiranë të jenë diplomat e Bokut në Vjenë dhe anasjelltas, me ambicien që në Universitetin Bujqësor të Tiranës studentë nga Shqipëra, rajoni dhe Europa të vijnë për të marrë diplomën e Bokut të Vjenës dhe është plotësisht e realizueshme dhe në rrugën e ndërtimit sepse këtë nuk e them unë por partnerët austriak”, tha Rama./tvklan.al