Kombëtarja franceze do të jetë në duart e Zinedine Zidane. Zyrtarizimi mungon ende, por tashmë është e sigurtë që ish-mesfushori do drejtojë “gjelat” pas përfundimit të Kupës së Botës në Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksikë në vitin 2026.

Sipas “El Mundo Deportivo”, Zidane ka zgjedhur që të qëndrojë edhe për një sezon e gjysmë pushim për të realizuar më pas ëndrrën, drejtimin e Kombëtares franceze.

Pas negociatave, Federata franceze e futbollit ra dakord që Zidane të qëndrojë në Madrid dhe të udhëtojë drejt Francës vetëm për grumbullimet e skuadrës.

Kjo marrëveshje lejon atë që të balancojë jetën personale me “timonierin” e kombëtares. Karriera e tij si trajner deri më tani është përcaktuar nga dy periudha shumë të suksesshme në Real Madrid, ku ai fitoi 11 trofe, duke përfshirë tre tituj radhazi të Ligës së Kampionëve.

Emërimi i tij si trajner kryesor i Francës konsiderohet si tepër i rëndësishëm, teksa në këtë detyrë do të pasonte Didier Deschamps, i cili ka vendosur të largohet nga nënkampionët në fuqi të Botës pas Botërorit të 2026.

Klan News