Qazim Grashtica kontrollon kazanët e plehrave çdo ditë nëpër kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, në kërkim të shisheve plastike që më pas do të riciklohen nga një makineri.

Makineria e riciklimit u sigurua përmes agjencisë së ndihmës ndërkombëtare të SHBA. Kjo ndihmë e Uashingtonit pati ndikim tek të ardhurat e Grashticës i cili thotë se fitimet ditore nga 5 Euro shkuan në 20 Euro.

“Unë do t’i thosha atij kurrë mos i ndal ndihmat. Ajo ndihma është jashtëzakonisht e nevojshme në Kosovë. Ju patë në Prishtinë që njerëzit mbledhin plastikë dhe e mbajnë në çanta. Ata nuk kanë as karroca. Këtu është një familje me 7 anëtarë që shkojnë dhe kthehen në Prishtinë në këmbë. Kjo është ajo që bëja unë. Po e merrja karrocën duke shkuar në Prishtinë. Përafërsisht kjo ishte e mjaftueshme për të blerë bukë”, tha Qazim Grashtica, reciklues.

Por administrata e Presidentit Donald Trump ka ngrirë fondet e USAID-it dhe ka kërkuar të zvogëlojë në mënyrë drastike shpenzimet federale.

Në rrezik janë fondet që janë krijuar për të forcuar institucionet demokratike të Kosovës, për të përshpejtuar kalimin nga përdorimi i qymyrit me ndotje të lartë në energjinë e rinovueshme.

Javën e kaluar Donald Trump përmendi donacionet  për Kosovën si një shembull të llojit të shpenzimeve qeveritare që ai dëshiron të shkurtojë. Lajmi është shqetësues për Kenan Gashin, i cili zotëron një biznes riciklimi.

“Ne kemi marrë tashmë 70% të makinerive, por tani kemi ngecur këtu dhe supozohej të ishte një projekt më i madh, por fatkeqësisht nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, tha Kenan Gashi, pronar biznesi.

Biznesi i tij u transformua kur mori pajisje nga USAID dy vjet më parë dhe e shtyu atë të punësojë më shumë njerëz.

“Plani ishte që në të ardhmen të kemi 20 punëtorë. Për momentin jemi vetëm 5 dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë. Siç është tani, nuk mund të planifikoj se si ta copëtoj plastikën në mënyrë që ta shes me një çmim më të mirë dhe të rrisë numrin e punëtorëve”, tha Kenan Gashi, pronar biznesi.

Sipas tij më shumë se një e treta e pajisjeve të premtuara në vlerë prej 130,000 Dollarësh ende nuk ka mbërritur, duke e bërë të pamundur planifikimin e zgjerimit të biznesit.

Ndërsa Burim Ejupi, drejtor i Institutit për Politika Zhvillimore thotë se Kosova është një vend i varfër dhe ka nevojë për ndihma.

“Kosova është vendi i dytë më i varfër në Evropë. Ne jemi të varur nga çdo ndihmë qoftë ajo teknike apo projekte të tjera. Të gjithë e dimë që USAID-i ishte një nga donatorët kryesorë në Kosovë përmes projekteve të ndryshme. Që nga viti 2023 Kosova është nën ndalimin e fondeve të BE-së, tani me ngrirjen e USAID-it Kosova po humbet ndihmën nga e cila varen shumë projekte në shumë fusha”, tha Burim Ejupi, drejtori i Institutit për Politika Zhvillimore.

SHBA ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës që kur vendi u shkëput nga Serbia, duke ofruar 1.1 miliardë Dollarë ndihmë që nga viti 2001.

Klan News