Përplasjet u harruan dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit në hyrje të Shtëpisë së Bardhë nga vetë Presidenti Donald Trump.
Pas negociatave të vështira për një marrëveshje zhvillimi të përbashkët për mineralet dhe deklaratave në distancë, Zelensky mbërriti në Washington për të rifituar mbështetjen e SHBA në luftë me Rusinë.
Brenda në Zyrën Ovale, Zelensky e falënderoi Trumpin për marrëveshjen e mineraleve dhe tha se dëshiron të diskutojë mbi atë që SHBA-ja është e gatshme të bëjë. Ai tha se shpreson se “së bashku, mund ta ndalojë atë”, duke iu referuar presidentit rus Putin.
Zelensky tha se Ukraina ka nevojë për mbrojtje ajrore nga SHBA-ja. Ai i tregoi Trumpit disa foto të konfliktit. “Edhe në luftë ka rregulla…këta djem, ata nuk kanë rregulla”, shtoi ai, duke iu referuar Rusisë.
Presidenti Trump tha se ai ndodhet në mes Ukrainës dhe Rusisë dhe se synon ta zgjidhë konfliktin. Ai përsëriti se NATO dhe Evropa duhet të rriten.
“Shpresoj të mbahem mend si paqebërës… Po e bëj këtë për të shpëtuar jetë më shumë se çdo gjë tjetër… ky konflikt luftë mund të çojë në një luftë të tretë botërore. Kjo luftë ishte hap në drejtim të gabuar”, tha Presidenti Donald Trump.
Nga ana e tij Zelensky tha se marrëveshja për mineralet nuk mjafton. Ai shtoi se Putini e filloi luftën dhe duhet të paguajë. Zelensky gjithashtu refuzoi një armëpushim me Rusinë.
“Neve nuk na duhet vetëm një armëpushim. Ne e kemi bërë atë më parë me Putinin dhe ai e ka shkelur 25 herë, përfshirë brenda presidencës suaj zoti President”, tha Presidenti Zelensky.
“Ju nuk keni të drejtë të na thoni se si mund të ndihemi. Po luani me Luftën e Tretë Botërore,” i tha Trump Zelenskyt.
Më herët Trump tha se Ukraina duhet ta harrojë anëtarësimin në NATO.
Klan News