Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski nuk e ka firmosur marrëveshjen me SHBA për mineralet e rralla të Ukrainës.
Kjo për shkak të një debati të tensionuar mes Zelenskit, Presidentit amerikan Donald Trump dhe zëvendësit të tij JD. Vance, diskutime të cilat u transmetuan live në televizion.
Tensionet ishin të dukshme mes palëve. Diskutimet me tone të larta dhe kritikat e forta të bëra nga Trump-Vance ndaj Zelenskit, bënë që marrëveshja të mos nënshkruhej.
Në këtë mënyrë, Presidenti ukrainas u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe konferenca për shtyp që ishte lajmëruar paraprakisht, u anulua.
SHBA është angazhuar mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare në Europë. SHBA, në këmbim kërkon marrëveshje për të shfrytëzuar mineralet e rralla të Ukrainës me vlerë miliarda Dollarë.
Sipas CNN, pas debateve të zjarrta përpara mediave, Trump dhe Zelenski shkuan në dhoma të ndara dhe jo në një ambient të përbashkët. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i tha CNN se Presidenti Trump urdhëroi që delegacionit ukrainas t’u thuhej se duhet të largoheshin.





/tvklan.al