Me moton “Me popullin për Evropë” BDI-ja ka vazhduar takimet me qytetarët. Tubimi i radhës, në organizim të Degës së BDI-së Tetovë është mbajtur në Komunën e Bërvenicës. Është diskutuar, siç u tha në tubim, gjendja jo e lakmueshme në vend.

“Këto ëndrra të mos i shohin”. Ky ishte mesazhi i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë fjalimit të tij në tubimin në Komunën e Bërvenicës, teksa komentonte përpjekjet për të cënuar gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas Ahmetit, është e turpshme që mediat maqedonase me të madhe shtrojnë pyetjen se Çfarë duan shqiptarët dhe se ky është shteti i Maqedonisë, kurse gjuhë shtetërore është maqedonishtja.

“Këto ëndrra të mos i shohin pikë së pari. Shqiptarët vet pwr njw dekadw e kanw mbajtur Universitetin e Tetovës, deri në legalizimin e vitit 2004. Kanë tre universitete shqiptarët. Këto ëndrra ato mos i shohin. Prandaj të mos i manipulojnë dhe mos i gënjejnë qytetarët e vet, se kthim prapa nuk ka. Kthim pas nuk ka! Të gjitha të arriturat me gjak i  kemi la. Kurrkush dhuratë nuk na ka dhënë! Djem nënash kalben, gjak rinie është derdhë. Prandaj çdokush duhet të reflektojë. Ne na duhet paqja, ne na duhet stabiliteti. Ne na duhet siguria. Ne na duhet ekonomia. Ne na duhet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian!”, tha Ali Ahmeti

Ndërkohë, BDI-ja vazhdon ta komentojë anketën e fundit. Sipas BDI-së, me 1% mbështetje, nuk mund të flasësh në emër të popullit shqiptar dhe nuk mund të mbrosh arritjet historike të Marrëveshjes së Paqes të vitit 2001 për barazi.

Ndryshe, sipas anketës së fundit të realizuar nga Instituti Hulumtues Societas Civilis, Bashkimi Demokratik për Integrim prin bindshëm me përkrahje krahasuar me të gjitha partitë e koalicionin VLEN.

Nga BDI thonë se kjo anketë është dëshmi se kjo qeveri nuk ka legjitimitet dhe kurse mënyra e vetme për dalje nga kriza është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./Klan Macedonia