Ndërsa zyrtarët amerikanë dhe ukrainas përgatiten të takohen në Arabinë Saudite këtë javë, Presidenti Donald Trump u ka bërë të qartë privatisht këshilltarëve se nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet midis Uashingtonit dhe Kievit është e pamjaftueshme për të rifilluar ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën.

Presidenti Trump dëshiron që marrëveshja për burimet minerale të nënshkruhet, por gjithashtu ai dëshiron të shohë një ndryshim në qëndrimin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy ndaj bisedimeve të paqes, thanë zyrtarët, duke përfshirë gatishmërinë për të bërë lëshime territoriale ndaj Rusisë.

Trump gjithashtu dëshiron që Zelensky të hedhë hapa drejt mbajtjes së zgjedhjeve në Ukrainë dhe ndoshta edhe dorëheqjen e tij si lider i vendit.

Vetë presidenti Trump vijon të këmbëngulë tek negociatat. Në një intervistë të fundit për Fox News, i pyetur se a do të ndihej mirë me thyerjen e Ukrainës për shkak të ndalimit të ndihmës ushtarake, ai u shpreh dyshues se ndihma do të ndryshojë kursin e luftës.

“Ukrainasit ndoshta nuk do të kishin mbijetuar dhe me ndihmën amerikane. Ne kemi disa dobësi ndaj Rusisë. Kjo luftë nuk duhet të kishte nisur, ndaj ne po i japim fund asaj”, tha Donald Trump.

Ditët e fundit Rusia ka rritur sulmet ndaj Ukrainës si pasojë e ndërprerjes së ndihmës ushtarake amerikane dhe informacionit të zbulimit. Numri i viktimave nga sulmet ruse është rritur ditët e fundit dhe shumica e viktimave janë regjistruar në rajonin e Donetsk.

Në rajonin Kursk të Rusisë, forcat ruse përdorën një gazsjellës të braktisur për të sulmuar ukrainasit. Raportohet se humbjet në radhët e rusëve janë kolosale.

Pavarësisht ndërprerjes së ndihmës, mbështetja për Ukrainën është e madhe në SHBA. Këtu në Uashington, protestuesit shpalosën flamurin më i madh ukrainas në botë pranë Shtëpisë së Bardhë dhe i bënë thirrje Presidentit Donald Trump të mbështesë Ukrainën.

Duke brohoritur “Qëndroni me Ukrainën” dhe “Rusia duhet të paguajë”, një turmë prej rreth njëmijë vetash shpalosi një flamur gjigant.

Klan News