Nga zyra e Ardit Gjebreas ku mësuam rrëfimin e Erionit dhe kërkimin e tij për prindërit biologjikë, “Ka Një Mesazh Për Ty” zhvendoset në Shkozë, në qendrën sociale “Strehëza” për ta takuar Lutfije Demën.

Bashkë me moderatorin e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ndodhet edhe ekspertja biologe e “Forensic Center Albania” e cila në rast se Lutfija do të jetë dakord, do të marrë kampionin e saj të ADN-së për të bërë krahasimin me Erionin.

Në bisedën me Ardit Gjebrean, Lutfija nis të tregojë për jetën e saj. Ajo ka punuar si shitëse metrazhi në vitin 1969, më pas e larguan nga puna se i ati ishte me dokumenta kosovare dhe jetonte në Turqi. Punoi gjithashtu në Frigoriferin e Mishit dhe doli në pension, ndërsa i shoqi ka ndërruar jetë për shkak të Covid-19.

Prej një viti, Lutfija është vendosur në këtë qendër sociale. Ajo është nënë binjakësh, djalë e vajzë të cilët jetojnë në Itali. Lutfija ka humbur binjakët e lindur në vitin 1988, por thotë se nuk ka sjellë kurrë në jetë një djalë në vitin 1979 që përkon me ditëlindjen e Erionit.

Ardit Gjebrea: Ti ke pasur edhe fëmijë të tjerë më duket…

Lutfije: Dy binjakët më lindën dhe më vdiqën në maternitet. U ra rubeola, i linda dhe atë ditë që do të dilja nga materniteti, më thanë “fëmijët nuk të rrojnë, të rroni vetë”.

Ardit Gjebrea: E kuptova. Ty nuk të kujtohet nëse në vitin 1979 ke lindur një djalë?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Si e ke pasur ti mbiemrin e vajzërisë?

Lutfije: Dema.

Ardit Gjebrea: Sepse është një çun me emrin Erion i cili ka lindur në mes të majit 1979 dhe pastaj, për shkaqe që nuk i dimë ka qenë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë. Ti e ke emrin?

Lutfije: Lutfije. Shkurt më thërrasin Lili.

Ardit Gjebrea: Okej, ti je Lili, por aty në dokumente është emri Lutfije Dema. Ky thotë mos ndoshta Lili është mami im?

Lutfije: S’kam njohuri. Po të ishte ashtu, ai do të ishte gjallë.

Ardit Gjebrea: Po ai gjallë është.

Lutfije: Në rregull, por nuk bëhet ajo se s’kemi pasur ndonjë shenjë tjetër neve që të lindnim prapë fëmijë.

Ardit Gjebrea: Unë do të të lutem për një gjë: që ne t’ia heqim merakun Erionit, ta bëjmë një analizë ADN-je, thjesht pështymën nga goja ta marrim?

Lutfije: Shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Nuk ke kundërshtim?

Lutfije: Jo.

Ardit Gjebrea: Fantastike! Sepse ai është në merak dhe thotë ta heq këtë merak kështu që ne e bëjmë thjesht t’i heqim merakun Erionit, mirë?

Lutfije: Dakord.

Me miratimin e Lutfijes, hyn ekspertja për të marrë kampionin biologjik për kryerjen e analizës së ADN-së që kjo histori të marrë një përgjigje./tvklan.al