Në studion e “Rudina” këtë të martë ishin të ftuar tre të rinj, të cilët kanë vendosur që jetën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri. Ndryshe nga pjesa më e madhe, ata nuk vendosën që të ndiqnin rrugët e emigrimit, por të investonin në vendin e tyre.
Gledis Laçaj është një i ri nga qyteti i Shkodrës. Dëshirën për të qëndruar në Shqipëri e ka pasur të ushqyer nga gjyshërit, e duket se ai ka vendosur që ta çojë deri në fund amanetin e tyre. Në fshatin e tij ai ka hapur një bujtinë ku mirëpret vizitorë e turistë të shumtë.
Gledis Laçaj: Të jetosh në Shqipëri është një sfidë më vete. Asnjëherë nuk është e lehtë si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë. Por, dëshira ime është që unë të kontribuoj për vendin tim. Për vendin e origjinës time. Kam ngritur një agroturizëm në fshatin tim, aty ku ka jetuar gjyshi dhe gjyshja ime. Fundjavat dhe sezonin veror unë e kam kaluar aty gjithmonë. Dëshirën për të qëndruar ma kanë ushqyer fillimisht gjyshërit, pastaj duke e prekur natyrën dhe pjesën e fermës që i vogël më ka lindur ajo dëshira që të hap diçka në vendin tim. Por, si gjithmonë pleqtë kanë dëshirë që nipërit e mbesat t’i mbajnë afër dhe të kontribuojmë për vendin e origjinës.
Rudina Magjistari: Duhet të jenë shumë të lumtur besoj ata.
Gledis Laçaj: Gjyshi me gjyshen nuk jetojnë më, por ëndrrën e tyre, po e çoj unë përpara./tvklan.al