Edison Karanxha, është vetëm 23 vjeç. Ai vjen nga qyteti i Kukësit dhe prej vitesh jeton në Tiranë. Profesioni i tij është marangoz dhe ka një biznes të tijin familjar në fushën e mobilierisë. Por, jo gjithçka ka qenë kaq e lehtë për të dhe familjen e tij. Në programin “Rudina” ai tregon se si pjesa më e madhe e të rinjve dhe ai e ka menduar disa herë që të largohej nga Shqipëria.
“Kohën kur isha në gjimnaz të gjithë ëndërronim që të iknim jashtë. Ishte ëndrra më e madhe që të iknim në Londër. Nga babai që më mbajti këtu në punë, nuk jam zhgënjyer kurrë”, tha ai në instertin prezantues.
Ai shton se biznesi i tyre lindi sapo ai dhe familja e tij u kthyen nga emigrimi. Që prej asaj kohe Edisoni ka punuar krah babait të tij dhe për këtë nuk shprehet aspak i zhgënjyer. Në studio ai pati dhe një thirrje për të rinjtë që të mos largohen nga vendi i tyre.
“Unë jam nga Kukësi, por banoj këtu në Tiranë. Biznesi jonë ka nisur nga babi im, nga një ish-emigrant në Greqi. Vuajtjet e sakrificat që kanë kaluar prindërit tanë në emigrim unë jam një fëmijë që kam lindur në emigrim në Selanik dhe jam kthyer, është kthyer babai im. Në vitin 2005 kemi hapur mobilierinë tonë dhe realisht po ecën mirë, por kemi mungesë shumë të theksuar të rinisë dhe u bëj thirrje të gjithë rinisë që të kthehen e të investojnë në vendin e tyre sepse do të ishte ideja më e mirë për momentin. Çdo biznes si nga ana e ndërtimit, e si nga ana e mobilierisë ka nevojë për të rinjtë”, tha Edison Karanxha./tvklan.al