Raportim Live
21:00, 18 Nëntor 2024

Diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2025

20:02, 18 Nëntor 2024

Projektbuxheti për vitin 2025 sipas ministrive

Gjatë fjalës së tij për projektbuxhetin 2025 kryediplomati Igli Hasani tha se për diplomacinë shqiptare ka një shtesë në buxhet prej 635 milionë Lekësh ose prej 20 përqind se një vit më parë me investime në sistemin konsullor online dhe modernizimin e sistemit online për vizat shqiptare.

Për vitin 2025 sipas kryediplomatit Hasani, Shqipëria synon hapjen e të gjashtë kapitujve të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Igli Hasani, ministër për Europën dhe Punët e Jashtme: Një nga qëllimet tona për vitin 2025 është hapja e të gjashtë grupkapitujve, një arritje që do të shënojë një proces shumë të rëndësishëm në rrugën tonë drejt integrimit dhe ky angazhim kërkon një përkushtim të fortë, bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve tanë ndërkombëtare si dhe një investim të vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e standardeve në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reformat ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut... Lexo më shumë

17:35, 18 Nëntor 2024

Bonusi 150 Euro, Gonxhe zbulon sa pensionistë do ta përfitojnë

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe ka folur me shifra përsa i përket bonusit të pensionistëve këtë fundvit. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Gonxhe ka theksuar se 511,173 pensionistë do të marrin këtë fundvit bonusin 15 mijë Lekë (të reja), ndërsa 213,760 të tjerë përfitojnë bonusin 10 mijë Lekë (të reja).

Blendi GonxheKalojmë tek Sigurimet Shoqërore, ku së pari dua të theksoj që edhe më krenar sot që Kryeministri nga kjo sallë dha lajmin e mirë për 724,933 pensionistë, nga të cilët 511,173 pensionistë do të marrin këtë fundvit bonusin 15 mijë Lekë (të reja) dhe 213,760 pensionistë përfitojnë bonusin 10 mijë Lekë (të reja) Lexo më shumë

17:11, 18 Nëntor 2024

8.2 miliardë Euro, Malaj: Buxheti më i madh në histori

Ministri i Financave Petrit Malaj tha se ky është buxheti më i madh i planifikuar nga qeveria Rama në vlerën në total prej rreth 8.2 miliardë Eurosh, 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013 kur socialistët u rikthyen ne pushtet.

Sipas Malajt në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10.2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9.8%.

Petrit Malaj, ministër i Financave: Është arritur një progres mjaft i qënësishëm në konsolidimin fiskal. Në vitin 2023 regjistruam një balancë primare pozitive prej 0.7% ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB sërish u ul ndjeshëm me 6.6% krahasuar me vitin 2022 duke arritur në nivelin 57.5%, niveli më i ulët që nga viti 2008. Lexo më shumë

14:42, 18 Nëntor 2024

Balluku-opozitës: I hidhni llum e zift gjithë Shqipërisë, jo vetëm buxhetit

Ministrja Belinda Balluku iu kundërpërgjigj kështu opozitës lidhur me akuzat për projekt-buxhetin 2025.

“Llumi e zifti që i hidhet jo thjesht buxhetit, por Shqipërisë dhe gjithçkaje që kemi arritur të gjithë bashkë, mirë apo keq, nga 2013-a deri më sot”, u shpreh ajo nga foltorja. Në Kuvend, ajo renditi një sërë aksesh rrugore e jo vetëm që janë parashikuar të ndërtohen e rehabilitohen vitin që vjen...Lexo më shumë

14:16, 18 Nëntor 2024

“Merrja të voglit, falja të madhit”, Tabaku e cilëson propagandë projekt-buxhetin 2025

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e PD Jorida Tabaku foli me shifra duke prekur gjendjen aktuale të secilit sektor të ekonomisë. Sipas saj, socialistët po vijojnë me propagandën e tyre para zgjedhjeve, ashtu si në vitin 2021.

“1/3 e popullsisë janë pensionistë, pjesa tjetër janë të punësuar me pagat më të ulëta në rajon. 30 mijë profesionistë nga të cilët 10 mijë mbyllën biznesin, kjo është sot Shqipëria! Më e paktë në numër, më e zvogëluar. Kanë bërë 180 procedura tatimore, kanë ndryshuar taksat duke bërë një skemë me 5 shtresa, ku nuk ka përfituar asnjëra. Nuk ka asnjë moment ku taksimi i punës të jetë ulur! Puno dy punë se nuk ia del dot me një! Taksim 5% nga Ministria e Turizmit. Kanë 12 vite që deklarojnë se shqiptarët po paguajnë ndershmërisht taksat, ndërkohë i taksojnë 95% të tyre. Kjo skemë e promovuar me 12 buxhete socialiste, ka qenë arsyeja kryesore pse është krijuar informalitet, me këtë taksim të pandershëm pjesa më e madhe e të punësuarve kanë hapur nipte. Filozofia e kësaj qeverie është sigurisht, merrja të voglit për t’ja falur oligarkut”… Lexo më shumë

13:41, 18 Nëntor 2024

Prej më shumë se tre orësh ka nisur seanca ku diskutohet në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2025.

Deri më tani ka folur kryeministri Edi Rama që njoftoi bonusin për pensionistët. Ndërkohë opozita e akuzoi se po e bën këtë për politikë, në prag të zgjedhjeve.

Por çfarë nuk u pa gjatë këtyre debateve? Këto mund t’i ndiqni në këtë video, që nga reagimet e deputetëve, lëvizjet e Ramës, e deri tek shkrimet e ligjvënësve në tavolinat e tyre.

13:03, 18 Nëntor 2024

Sula kapet me Majkon: Shyqyr që të ka pushuar dhëmballa Pandi

Gjatë seancës parlamentare pati edhe replika mes deputetëve. Në videon më poshtë mund të ndiqni fjalët që kanë hedhur drejt njëri-tjetrit, deputetët Dashnor Sula dhe Pandeli Majko.

12:22, 18 Nëntor 2024

Deputeti Xhelal Mziu drejtoi disa pyetje ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, si më poshtë:

TVSH-ja për produktet bujqësore

Mziu: Fermerët 0 taksë, grumbulluesit 20% dhe pastaj e pëson qytetari.  Si ka mundësi që e diskriminoni bujqësinë? I keni dhënë 0.68% mbështetje, më pak se 1%.

Malaj: Në sektorin bujqësor në vitin 2013 ishin investuar 34 mln Euro. Sot 146 mln Euro investim! Jemi më lart se vendet e rajonit.

Taksa doganore për prodhimin vendas të birrës

Mziu: Si e shpjegoni që është dyfishuar?

Malaj: Taksa doganore për birrën, çfarë propozoni konkretisht?!

Të punësuarit në administratë

Mziu: Janë mbi 200 mijë të punësuar në administratë, 34% e të punësuarve janë në shtet. Ua kemi kaluar edhe vendeve nordike. A keni ju një shpjegim?

Malaj: Mbi 93% e të punësuarve paguajnë tatim mbi të ardhurat personale midis 0-10%. Norma efektike e tatimit mbi të ardhurat personale është nga 0-10%. Numri i të punësuarve në administratën qendrore është 86 mijë persona.

12:13, 18 Nëntor 2024

200 mln Euro në buxhetin e 2025-ës për bypass-in e Elbasanit

Siç e raportuam më herët, deputetët e opozitës kanë vijuar me pyetjet ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj. Deputeti i PD-së në Elbasan, Qani Xhafa, u interesua se çfarë fondesh ka parashikuar qeveria për projektin e bypass-it të Elbasanit dhe planin për mbetjet në qytet.

Ministri Malaj u shpreh se bypass-i i Elbasanit është parashikuar në buxhet, në vlerën 200 milionë Euro. Po ashtu ktheu përgjigje edhe për landfillin.

“Në lidhje me parashikimin e fondeve për bypass-in e Elbasanit, ju bëj me dije që ai është parashikuar në buxhetin e 2025 nëpërmjet financimit të huaj në vlerën 200 milionë Euro. Sa i përket landfillit, ajo është një strategji kombëtare që është në proces dhe do të implementohet së shpejti”, tha Malaj.

Më pas ministri vijoi t’i përgjigjej pyetjeve të deputetit Xhelal Mziu.   

8:33, 18 Nëntor 2024

Seanca për buxhetin 2025, kryeministri Edi Rama njofton plan të ri për pensionistët (Të gjitha zhvillimet)