Buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2025 ka ardhur në rritje me mbi 40.4%, nga 52.7 miliardë lekë në vitin 2024, në 74 miliardë lekë për vitin e ardhshëm. Ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku në komisionin parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese dha detajet e disa projekteve që do të financohen.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Për vitin 2025 projektligji në fjalë i akordon Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë në programin e transportit rrugor një buxhet total në vlerën 33.48 miliardë lekë. Projekti koncesionar i cili përfshihet edhe në këtë buxhet është ai për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit, kemi shpresë që të hapet në fund të këtij viti, por e gjithë kontrata sipas afateve të rivendosura duhet të dorëzohet në Mars të vitit 2025.
Balluku foli dhe për tunelin e Llogarasë.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Kemi ndërtimin e rrugëve lidhëse me tunelin e Llogarasë. Tashmë tuneli i Llogarasë ka hyrë në fazën finale, para dy ditësh ne kemi bërë mbylljen e tij për sezonin dimëror për mbaruar të gjitha proceset e sinjalistikës apo dhe të detajeve të tjera që ky tunel ka dhe tano do të marrim kohën për ta përfunduar dhe për ta hapur shumë para sezonit të vitit 2025.
Një investim i rëndësishëm sipas Ballukut është edhe qendra e monitorimit të trafikut.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Do të nisim fillimisht me monitorimin e 200 kilometrave të cilat janë akset kryesore të Republikës së Shqipërisë, pra Korridori Blu, Korridori i Tetë dhe sigurisht pjesë të tjera të autostradave siç është Tiranë-Elbasan apo autostrada të tjera të rëndësishme. Ne ndërkohë do të vazhdojmë dhe me pjesën e dytë, për të shtuar 200 kilometra të tjera derisa të mbulojmë të gjitha akset e Republikës së Shqipërisë me monitorim të plotë.
Ministrja Balluku foli edhe për bypass-in e Tiranës, i cili është investim tjetër dhe nuk ka lidhje me unazën e madhe të kryeqytetit e cila do jetë totalisht funksionale më 31 Dhjetor të këtij viti.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: Byppas-i i Tiranës është ai i cili do të nisë nga Korridori Blu, pra aty ku lidhet Thumanë – Kashar me Kashar-Lekaj për ta bypass-uar në zonat e kodrës së Gjokajt dhe që kalon në kodrat e Arbanës për të nxjerrë gjitha trafikun e këtyre akseve dhe për t’i nxjerrë direkt me autostradën Tiranë-Elbasan.
Sipas Ballukut investimet në infrastrukturë kanë në fokus zhvillimin e turizmit, siç është investimi në zonën e plepave në Durrës, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, zgjerimi i rrugës së Ksamilit apo byppas-i i Sarandës.
Klan News