Kuvendi i është rikthyer seancës parlamentare pas një pushimi për shkak të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Parlamenti miraton rritjen e pagave për administratën dhe deputetët e ministrat
Parlamenti i Shqipërisë ka votuar për rritjen e pagave për administratën shtetërore dhe për deputetët e ministrat.
Ligji për rritjen e pagave për administratën u miratua me 97 vota pro, asnjë abstenim, 2 kundër dhe 5 deputetë që ishin të pranishëm nuk votuan.
Ndërsa ligji për rritjen e rrogave për deputetët e ministrat u miratua me 95 vota pro, asnjë abstenim, 3 kundër dhe 5 deputetë që ishin të pranishëm në sallë nuk votuan.
Spiropali ftesë Berishës: Rama, Beci dhe unë të lëmë një takim, pas 2 vitesh të vish në Shkodër
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i ka bërë ftesë kryedemokratit Sali Berisha që të takohen në Shkodër pas 24 muajsh, së bashku me kryesocialistin Rama dhe kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Shkodër, Becin.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali është shprehur se ky takim nuk është sfidë, por një ftesë që sipas saj, Berisha do të shikojë se si është zgjuar nga “gjumi”, në të cilën tha se e “kishte futur padija e atyre që qeverisën për 3 dekada Shkodrën”.
Elisa Spiropali: Si kurrë më parë, i kthyer në krye të një projekti personal, Berisha e udhëhoqi partinë e tij në një humbje. Hupe Sali, hupe. Shqiptarët të refuzuan nga veriu në jug. Të rrëzoi Shkodra, të braktisi Tropoja dhe nuk i dha nam nishanit tënd të humbur Gjirokastra, Vau i Dejës, Lezha, Malësia e Madhe. Kishte vetëm një rrugë që të kishte mbetur. Ti thirre në apel vesin tënd të vjetër. Kjo është humbja jote personale sepse të bën të derdhësh mend në Zall të Hirit. Shkodrën dhe shkodranët i fyeve për herë të fundit.
Ti je njeriu që ke mbajtur peng Shkodrën për ambicien tënde. Ne, kjo qeveri, PS, Edi Rama si kryetar partie, Benet Beci, si kryetar bashkie, unë si drejtuese politike e qarkut Shkodër të lëmë një takim. Nuk është sfidë, por ftesë. Jo pas 4 vitesh, por vetëm pas 24 muajsh të vish në Shkodër dhe ta shohësh Zojën Shkodër të zgjuar nga letargjia, ku padija e qeverisjes tuaj e kanë lënë për 3 dekada. Nxito të vish sepse pas 4 vitesh nuk do ta njohësh Shkodrën nëse nuk je bërë non grata nga njerëzit që i ke mpirë me përrallën e komunizmit, ti komunisti i fundit shqiptar.
As Muli dhe as Paloka nuk të besojnë, por të ndjekin sepse nuk kanë çfarë të bëjnë dhe të thonë. 22 mijë vota më pak në Shkodër nga Dukagjini në Velipojë, nuk ka krim dhe bandit që i kërcënon. Hupe Sali, hupe por ti nuk ke marre. Ti je vetë ku thërret qameti sot.
Berisha në Parlament: Farsa elektorale 2023 do hyjë në histori si faqja më e zezë në Europë
Ish-Kryeministri dhe kryedemokrati Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Parlament, i konsideroi farsë elektorale zgjedhjet vendore të 14 Majit dhe si më të këqijat në historinë e Europës që pas rënies së “Perdes së Hekurt”.
“Së pari, jam këtu në emër të qindra-mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilëve me mekanizmat më kriminale, të hapura dhe nën dorë, iu konfiskua vota dhe vullneti i tyre i lirë. Farsa elektorale 2023, do hyjë në histori si faqja më e zezë në Europë, pas rënies së Perdes së Hekurt. Në këtë farsë, e cila pati si fitimtar narkoshtetin dhe kartelet e drogës, narkoqeveria e Edi Ramës për herë të parë në 32 vite, përdori zarfin elektoral me 50 mijë lekë për çdo 670 mijë pensionistë, sikundër shpalli dhe realizoi rritje rrogash në mes të fushatës elektorale, me qëllimin e vetëm, blerjen e votës.
Në këtë fushatë elektorale, për të gjithë ata të cilët thonë se rezultati ishte i thellë dhe bëjnë avokatinë e megakrimit elektoral, u them vetëm kaq, partia e blerjes së votës, aleati kryesor i kësaj partie, Tom Doshi rriti mbështetjen e saj me zarfat nën dorë 240 përqind. Sigurisht, Tom Doshi nuk ka as një të qindtën e pasurisë që administron Edi Rama, as një të mijtën e mekanizmit që disponon Edi Rama. Në këtë kontekst, blerësi më i madh i votave është Edi Rama me ministrat e tij të krimit. Ata që besojnë se blerja ishte jo e atillë sa të ndryshojë rezultatin, u them se vetëm sa mbroni blerjen dhe kontrollin e votimeve nga qeveria. Në rast se Tom Doshi rriti me 240 përqind blerjet, po Edi Rama me sa përqind e rriti? Duke shpërndarë 33 milionë euro ditën për drekë te 670 mijë pensionistë. Cili vend në botë ka bërë një akt në mes të procesit zgjedhor? Edi Rama ia doli të angazhojë të gjithë bandat në Shqipëri, t’i bashkojë ato me presione dhe trysni të tmerrshme ndaj qytetarëve, të shërndajë qindra milionë euro me të cilat rrëzoi përtokë monedhën evropiane. Nuk po llogaris qindra milionë euro të përdorura nga janari gjer më sot me asfalte elektorale, zhavorre elektorale, mijëra legalizime elektorale.
Terrori që u ushtrua mbi bizneset dhe qytetarëve, avokatinë e shpifur për të cilën pagoi miliona, në një propagandë të pashembullt, me të cilën thirrej haptas: Rroftë hajduti, rrofshin kriminelët elektoralë, lavdi vjedhjes së votës. Por nga ana tjetër u kaluan në sulme për likuidim fizik ndaj eksponentëve të opozitës në Vaun e Dejës, në Lezhë, në keqtrajtime barbare të komisionerëve të saj. Ky parlament qëndron mbi krimin çdo ditë që pajtohet me këtë. Ndaj jam këtu për të dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë farsë të turpshme zgjedhore, të pandodhur kurrë më parë, për t’u bërë shqiptarëve thirrje të marrin në dorë fatin e lirive tona, për t’u përulur me nderimin më të madh përpara atyre 500 mijë burrave dhe grave që nuk pranuan të blihen dhe shiten por qëndruan besnikë të idealeve të tyre”, tha Sali Berisha.
Berisha: Rama dyfishoi pagat e zyrtarëve të lartë, procesi të fillonte me minimumin jetik 200 Euro. Nuk e votojmë pr/ligjin
Kryetari i Partisë Demokratike e konsideron farsë projektligjin e qeverisë për rritjen e rrogave.
Duke folur për mediat jashtë Parlamentit, Berisha akuzoi Kryeministrin se me këtë projektligj dyfishoi pagat për zyrtarët e lartë.
Ndërsa thekson se ky proces duhet të kishte filluar me një minimum jetik prej 200 Eurosh.
“Një farsë e turpshme me përmasa cinike të një cinizmi dhe pashpirtësie dhe hipokrizie të paparë u zhvillua sot në parlament. Pasi mashtroi shqiptarët, duke paraqitur rrogën e presidentit, të admiralit dhe të Rezartit, të gjitha këto nga 2.2 në 4.6 milionë lekë rritje, solli në parlament një ligj, në të cilin ata që janë më në nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë, mjekët, mësuesit, policët, ushtarakët, përfitojnë një rritje 1 përqind ose minus 1 përqind.Një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate. Një cinizëm i tillë ndaj punonjësve të këtij vendi, tejkalon çdo cak.
Kam qenë dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave, kjo nuk ka diskutim. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, kjo është ngrirja e rrogave. Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1 përqind ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT, se me përllogaritjen e EuroStat, rënia është më e madhe se kaq. Kam insistuar se ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. Ky duhej të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate të rëndë, këtij mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri.
Në vend që të fillonte me vendosjen e minimumit jetik, që do i jepte përgjigjen përfundimtare ndihmës ekonomike dhe pensioneve nën 200 euro dhe bënte një zbutje të mjerimit, minimumi jetik zhduk mjerimin në kuptimin e varfërisë ekstreme. Ishte një masë plotësisht e mundshme, kur dihet që qytetarëve u vidhet çdo vit dyfishi i fondit të përgjithshëm të rrogave. Kjo u mbyll në mënyrën më të turpshme nga njerëzit që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë. Ne nuk do e votojmë”, tha ish-Kryeministri Sali Berisha.
Bardhi: PD do të miratojë rritjen e pagave, edhe pse ky akt është i vonuar dhe i pastudiuar
Gazment Bardhi thotë se grupi parlamentar i PD-së do të votojë pro projekligjin për rritjen e pagave.
Nga foltorja e Kuvendit, Bardhi, thotë se edhe pse do ta votojnë, ky vendim është i vonuar dhe i pastudiuar.
Gazment Bardhi: Nuk ka asnjë dyshim që vota e grupit parlamentar për këtë projektligj do të jetë pro sepse jetesa për punonjësit e administratës publike është vështirësuar. Për fat të keq ky vendim është i vonuar dhe i pastudiuar. Janë larguar burra dhe gra të të gjithë shtresave dhe të gjithë moshave. 42 mijë shqiptarë u larguan pas zgjedhjeve të 2021-shit. Pse është vonë? Sepse në 10 vjet kjo qeveri refuzoi të bënte një rritje reale pagash. Ju si mazhorancë keni refuzuar çdo propozim të PD-së për rritje pagash. Para kishit, por jo për të rritur mirqenien e shqiptarëve. Sot akoma nuk e dimë se cili është burimi i këtyre të ardhurave. Zbuluam se kemi një qeveri i përdor taksapaguesit shqiptarë për fushatë elektorale. Rritja e pagave nuk mbahet kurrë sekret. Sot Rama të thotë se ku do të gjendet paratë për rritjen e pagave. Ne vazhdojmë të blejmë me çmime shumë të larta. Mashtrim gjigant i Ramës që një rritje e tillë ndodh për herë të parë në Shqipëri. PD do të miratojë sot rritjen e pagave edhe pse ky akt është i vonuar dhe i pastudiuar. Ne sot duhet të ngrejmë zërin dhe për pensionistët, për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike. Nëse nuk vidhni, ka para për të rritur pagat e pensionet.
Rama: Do votoj kundër rritjes së pagave për deputetët dhe ministrat në këtë moment
Në projektligjin për rritjen e pagave për administratën publike është parashikuar edhe rritja e pagës për deputetët dhe ministrat.
Sipas qeverisë, ishte parashikuar që deputetëve dhe ministrave t’u rriteshin pagat vitin e ardhshëm pasi të kishte përfunduar reforma për gjithë kategoritë e tjera, por Komisioni i Ekonomisë e përfshiu dhe këtë pjesë për t’u miratuar sot në Parlament.
Duke folur për rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat, Rama tha se këtë e përcakton piramida e pagave që funksionon njësoj dhe në shtetet e tjera të rajonit dhe Europës.
Por Kryeministri theksoi se nuk është dakord që rritja e pagave për ministrat dhe deputetët të miratohet në këtë moment, e pikërisht nuk do ta votojë këtë pikë.
“Niveli i pagave nuk përcaktohen sipas qejfit, përcaktohen me një logjikë. Ka një piramidë pagash.
Nuk mund të ndërtosh një piramidë pagash dhe të vendosësh presidentin nën një mësues. Pavarësisht se puna e përditshme e një mësuesi mund të jetë më me stres. Kemi bërë ne një lajthitje që e kemi bërë me vetëdije, madje e kemi tepruar me sistemin e drejtësisë. Por ajo është bërë dhe nuk zhbëhet. Nuk mund të kemi prokurorë që paguhen më shumë se presidenti. Mund ta kenë punën më me stres se presidenti por nuk mund të kemi. Doni ju të bëni këtë qarjen e halleve? S’ka nevojë që shtesën e pagave t’ja coni jetimores. Hajde vendosni pagën minimale këtu për deputetët. Gati jam. Edhe ministrave. Çfarë stresi më të madh keni ju se ata që shkojnë punojnë fason? Unë mendoj se nuk i hyet këtij monopati për t’u tallur me ata që na ndjekin. Dhe prapë ju nuk e mësoni që shqiptarët kush i merr për budallenj mund të gënjejë disa për një farë kohe por vjen një ditë siç erdhi në Shkodër dhe firojnë ata. Unë mendoj që ju duhet të ikni për pambuk nëse ne duam të kemi një skenë politike siç e meritojnë shqiptarët sepse ju e keni treguar që nuk e bëni dot.
Pagat duhet të jenë siç janë në piramidën e propozuar dhe siç i ka gjithë bota. Në rajon janë po kështu. Nuk kam parë asnjë vend të rajonit që pagat e deputetëve ti ketë sa pagat e mësuesve. Nuk kam parë asnjë vend të Europës, nuk kam parë askund. Ideja që deputetët mblidhen kot edhe janë kot e ka bazën tek gjithë pabesia historike që partia ish demokratike i ka bërë politikës me gjithë atë llum me gjithë ato akuza, shpifje, maskarallëqe, me gjithë atë transformim të gjuhës e njerëzve me shkolla që ju të gjithë jeni në jetën normale, në një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me ato që ju doni që fëmijët tuaj të mësojnë. Politika nuk është kjo. Politikë është ajo që bëjmë ne. Si e bëjmë ne ashtu është politika. Këtë që keni mbjellë 30 vjet, nuk mund ta korrni dot duke thënë që do ja jap pagën time jetimores. Për mua, unë njoh për fat të mirë këtu në këtë grup njerëz që e meritojnë atë pagë dhe e meritojnë me respekt jo thjesht e meritojnë. Dhe nuk janë 1-2. Njerëz të cilët me atë pagë jetojnë. Se ky nuk është vendi i kriminelave, drogaxhinjve, ky nuk është vendi i hajdutëve, është një vend që mund të ketë me siguri ndonjë që nuk duhet të jetë këtu fare por duhet të ishte me kohë në fakt prapa diellit, por ky nuk është vendi i llumit.
Fakti që këtu pastaj shpërfytyroheni dhe ktheheni në bisha që doni të hani mish njeriu nuk ka lidhje me të vërtetën. Deputeti, për misionin që ka, meritojnë pagën e propozuar. Sa e bëjnë punën? Këto nuk lidhen me si vihet paga. Ama unë me një gjë jam kundër. Unë nuk e votoj këtë pikë. Nëse mësuesve dhe mjekëve ju themi që ju do merrni sot këtë rritjen dhe rritjen tjetër do ta merrni në harkun e vitit dhe ne do kemi mesataren 900 Euro në Shqipëri në mes të vitit të ardhshëm, atëherë për ministrat dhe deputetët paga duhet të hyjë në fuqi vetëm kur të jetë bërë për të gjithë. Ky është qëndrimi im. Kjo është e pamoralshme. Kush merr më shumë duhet të bëjë më shumë. Ky është principi jonë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Bluzat e bardha/ Rama: Kemi largime, por nuk kemi ende asnjë boshllëk
Kryeministri i vendit, Edi Rama, thotë nga foltorja e Kuvendit se nuk ka boshllëqe përsa i përket bluzave të bardha.
Gjatë fjalës së tij, Rama thotë se do të arrijnë që të angazhojnë edhe mjekët jashtë vendit për të punuar për vendin pa pasur nevojë të punojnë në Shqipëri.
Edi Rama: Duhet të kuptojmë se Europa ka filluar një luftë e cila do të bëhet çdo ditë e më e pamëshirshme që të kujtton atë shprehjen “peshku i madh do të hajë të voglin me çdo çmim dhe robi do të jetë ujk për robin”. Vendet më të zhvilluara në situatën që ose duhet të rrëmbejnë në të 4 anët krahë pune ose të pranojnë dështimin. Që nga Gjermania, e cila deri në 2030 ka nevojë për 7 milionë punëtorë jashtë sistemit të demografisë gjermane dhe që duhet të vijnë nga jashtë. Ligji që ka kaluar Gjermania do të duhet të kalojë në kokën e të gjithëve që merren me poltikëbërjen. Kurrë më parë një shtet nuk ka bërë një ligj për punonjës të pakualifikuar. Kjo do të jetë tendenca në Europën e përditshme. Përpjekja jonë është titanike për ta përballuar këtë situatë.
Kënga “po ikin, po ikin”, këngë që është turpi më i madh i kujtdo që e këndon në pozitat e politikëbërësit. Nuk ka motiv më të turpshëm. Kjo nuk është fare një arsye për luftra të brendshme. Nuk është një çështje që mund të zgjidhet më mirë nga njëra palë apo nga tjetra. Ky është impakti dramatik i produkteve të globalizimit që penetrojnë kudo ku ka një pasqyrë Iphone. Të pretendosh që ai njeriu të presë zhvillimin gradual, ndërkohë që 1 orë e gjysëm larg ka atë gjënë që sheh atje, është e palogjikshme. Qasja duhet të jetë krejt tjetër dhe jam i bindur që me qasjen tonë gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur për balancimin, jo të ndalimit, këtë nuk e ka ndaluar askush.
Mjekët dhe infermierët problemi më i madh i Italisë fqinje sot, ndërkohë që ne kemi largime, por nuk kemi ende asnjë boshllëk dhe me politikën që po bëjmë tani dhe me politikën tjetër që është përtej kësaj të pagave nominale për të gjithë, me politikën e pagave të diferencuara, me kontrata të përkohshme, këtu do të jemi dhe do të shikojmë që vetëm largimet do t’i kemi të balancuara. Nuk do të kemi asnjë boshëllëk. Do të arrijmë të angazhojmë edhe mjekët jashtë vendit për të punuar për vendin pa pasur nevojë të punojnë në këtë vend.
Rama: Shqipëria me pagë mesatare 900 Euro është një Shqipëri tjetër
Teksa në Kuvend diskutohet projektligji për rritjen e pagave, Kryeministri i vendit, Edi Rama shprehet se Shqipëria me pagë mesatare 900 Euro, është një Shqipëri tjetër.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Rama thotë se nuk ka pasur përgjigje më spektakolare se ajo e 14 Majit teksa i bën thirrje opozitës që të ta kuptojnë arsyet e situatës në të cilën ndodhen.
Edi Rama: Me ardhjen e verës, konsumi i energjisë do të rritet përsëri dhe ne do të duhet të rihapim diskutimin e fashës. Ne sot vazhdojmë të paguajmë dhe është një sasi e madhe parash. Nëse këtu do të kishim të bënim me një pasqyrë si ajo që na vihet para në parlament si ajo përralla e asaj species që donte të zbukurohej dhe doli një monstër, sigurisht që kjo rritje pagash nuk mund të bëhet. Ekonomia është rritur, papunësia është nën nivelet e para pandemisë, konsumi është rritur, pra ajo përvuajtja lënguese këtu që nuk po blejnë dot njerëzit nuk provohet në shifrën e konsumit, eksportet janë rritur dhe të gjitha këto nuk janë opinione, këto janë shifra të thjeshta që i gjen në çdo raport dhe në çdo tabelë. Është e kotë fare që sot të bëjmë debat e lagu apo nuk e lagu përballë faktit kuptimplotë që kjo shumicë qeverisëse po bën rritjen më të lartë historike të pagve dhe kapërcimin e shumëpritur dhe për të cilin jemi përpjekur dhe kemi duruar shumë përballë situatave të papritura që nuk i kemi sjellë ne.
Shqipëria me pagë mesatare 900 Euro, është një Shqipëri tjetër dhe këtu Shqipëri tjetër kemi çdo ditë që e ndërtojmë. Një Shqipëri tjetër, e cila sot pa asnjë shtysë dhe pa asnjë qindarkë të paguar është rregullisht e çdo javë në faqet e mediave më të njohura ndërkombëtare si destinacioni për t’u vizituar. Merrni dhe shikoni shifrat se çfarë ndodh në aeroportin e Rinasit për të kuptuar se çfarë Shqipërie është kjo dhe të gjithë janë konsumatorë, nuk vijnë me bukë me vete, janë eksporti më i madh i Shqipërisë. Në këtë Shqipëri, koha është që njerëzit të zënë vendin që meritojnë. Dëgjoj që pagat në sektorin privat nuk i rrit shteti, e vërtetë. Por gjëja që ne kemi bërë duke shtyrë pagën minimale është një faktor i pamohueshëm dhe duke rritur pagat në sektorin publik, i pamohueshëm dhe këto faktorë bëjnë që pagat të jenë në rritje të përditshme.
Nuk ka pasur përgjigje më spektakolare se ajo e shqiptarëve për 14 Majin, por më shumë se fitorja jonë, ajo është disfata absolute e politikës që bartet nga të gjithë që vini këtu dhe këndoni dokrrrat tuaja. Po se morët vesh, faleminderit shumë se herën tjetër do të jetë më keq për ju, jo për shqiptarët dhe Shqipërinë.
Rritja e pagave, Rama: Me votimin e sotëm, do jemi të parët në rajon
Kryeministri Edi Rama thotë se me votimin e sotëm në Parlament për rritjen e rrogës mesatare, Shqipëria do të jetë e para në rajon.
Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri theksoi se ky projektligj nuk ishte i mundur më parë për shkak të tërmetit dhe krizave të tjera me të cilat u përball vendi.
“Sot jam shumë i lehtësuar sepse vijmë për të kaluar një projekt të cilin kemi dashur ta kalojmë vite më parë dhe që kemi luftuar çdo ditë të këtyre viteve. E kemi marrë këtë vend kur tabela e klasifikimit ishte 250 Euro paga mesatare, ndërkohë që Kosova e kishte 444 Euro, RMV 504 Euro, Serbia 537 Euro dhe Mali i Zi 726 Euro. Kemi qenë jo thjesht të fundit, por të fundit me diferencë.
Sot tabela është Kosova 504 Euro, RMV 706 Euro, Serbia 763 Euro, Bosnja 890 Euro, Mali i Zi 792 Euro dhe me votimin e sotëm ne i hapim rrugë një procesi që në harkun e këtij viti që vjen na çon në 900 Euro pagë mesatare. Me këtë parashikim ne ngjitemi në nivelin e lartë të rajonit. Kjo është ajo që bëjmë sot ne, të tjerat janë dokrra hini. Pse nuk e kemi bërë më parë? Sepse ne na është dashur të përballemi me situata të cilat rajoni nuk i ka pasur. Tërmeti ka rënë në Shqipëri. Situata dramatike dhe mjafton të shikohet se sa të ardhura kemi spostuar ne për të sistemuar në shtëpi dhjetra mijëra familje për të kuptuar që pse kjo nuk u bë kur u krijuan mundësitë. Pastaj erdhi pandemia, pastaj erdhi agresioni i luftës. Sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për gjithë familjet dhe biznesin e vogël të jetë dora e qeverisë”, u shpreh Kryeministri.
Rezultati i zgjedhjeve, Rama – opozitës: Shqiptarët na mbështetën më shumë se asnjëherë
Nga foltorja e Parlamentit, Kryeministri Edi Rama ka thënë se rezultati i zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, tregoi se qytetarët i kanë mbështetur më shumë se asnjëherë.
Duke iu drejtuar opozitës, Rama tha se shqiptarët braktisën një pjesë të politikanëve. E në këtë aspekt, Kryeministri ftoi opozitës që të lexojnë qartë rezultatin e votimeve të 14 Majit.
“Jam shumë i impresionuar nga kurajoja e parafolësve për të adresuar parlamentin në emër të shqiptarëve. Në emër të shqiptarëve flasin shqiptarët dhe ata të cilët shqiptarët i mandatojnë për të folur. Por kur shqiptarët sapo kanë folur dhe kanë folur aq qartë sa natyrisht kanë tronditur një pjesë të atyre që janë ata që nuk duan të dëgjojnë, është shumë komike që të flitet në emër të shqiptarëve. Flitet në emër të shqiptarëve që braktisën politikën, zgjedhjet apo në emër të të rinjve që ishin të pakët në votime. Por pasqyra e pjesëmarrjes flet pak më ndryshe.
Shqiptarët nuk kanë braktisur të gjithë ne, kanë braktisur një pjesë nga ne. Përsa i takon pjesës që së bashku, me të gjithë deputetët në krahun e majtë që unë përfaqësoj, shqiptarët jo vetëm që nuk na kanë braktisur por na kanë mbështetur më shumë se asnjëherë më parë. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se nuk është një fenomen karakteristik i zgjedhjeve vendore. Braktisësit e të gjitha moshave kërkojini te mënyra si e kuptoni këtë votë, si e lexoni Shqipërinë, si flisni për Shqipërinë. Kjo është një këshillë e pakërkuar që unë ja u kam dhënë që në seancën e parë të Kuvendit të mandatit tonë të parë dhe fjalëmarrësi i parë pas fjalës time kërkoi dorëheqjen e qeverisë. Kështu që ne do të vazhdojmë vetëm përpara”, tha Kryeministri Rama.
Sula: Shtesa e pagës që përfitoj nga rritja si deputet do të shkojë për Shoqatën e Jetimëve në Peqin
Deputeti i PD-së, Dashnor Sula thotë se shtesën e rritur të pagës që përfiton si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, do ta dhurojë për Shoqatën e Jetimëve në qytetin e Peqinit.
Dashnor Sula: Kam marrë vendimin si deputet i këtij Parlamenti të Shqipërisë, që shtesa e pagës, të cilën unë përfitoj nga rritja si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, deri në fund të mandatit tim, do të shkojë për Shoqatën e Jetimëve në qytetin e Peqinit dhe ky është një premtim dhe ftoj të gjithë mediat dhe të gjithë gazetarët të monitorojnë tërheqjen e pagës nga banka, të cilën unë e marr si deputet dhe dërgimin e parave në Shoqatën e Jetimëve të Peqinit.
Bushka: Pagat sot, fryt i përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare
Klotilda Bushka: Sot është një ditë e rëndësishme për Kuvendin, adresojmë interesin publik. Do të doja që t’i thoja zonjës Tabaku se ne jemi në një zonë elektorale. Nëse do t‘i shikonit shifrat nga terreni, do të shihni që PS në Tiranë në Njësinë 3 ka pasur rritje. Mbështetja që populli i ka dhënë PS-së, i është dhënë besimi dhe kemi dhënë besim se çfarë do të bëhet në të ardhmen. Kërkojini analizat në grupin tuaj dhe mos na fajësoni ne në humbjet që pasojnë njëra pas tjetrës. Ne duhet të analizojmë dhe fitoren sepse do të na bëjë më të fortë sepse besimi i dhënë nga populli duhet mbajtur në të ardhmen. Sot është një ditë e rëndësishme për pagat në vendin tonë. Pas kaq vitesh, kjo është një rritje domethënëse që erdhi pas vitesh punë dhe vetëm punë për konsolidimin e financave të shtetit. Unë besoj që nga rritja e pagave do të kemi rritje të fondit të kontributeve shoqërore. Ne kemi bërë rritje të herë pas hershme të pagave. Kemi bërë edhe masat e indeksimit të pensioneve. Pagat sot, fryt i përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare. Pagat e reja, fryt i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari dhe shqiptareje që kontribuon. Ne duhet t’i japim dritën jeshile të 3 ligjeve për rritjen e pagave. Kjo ditë duhet të mbahet mend nga të gjithë qytetarët. Duhet njëzëri t’i votojmë pagat e reja.
Deputetja Jorida Tabaku: Rritja e pagave në administratë, e vonuar
Për shumë prej nesh besoj se është e vështirë rifillimi i seancave aty ku e lamë duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur gjë, pak më shumë se një javë më parë Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë.
Këtu nuk është as vendi as momenti për të bërë analizat tona të brendshme, por sigurisht që pak gjëra dua t’i them:
Është fakt që mbas zgjedhjeve të 2021 largimi i shqiptarëve nga këto troje është rritur e përshpejtuar sa jo pak herë vrikemi të justifikojmë dhe me pak siklet se çfarë ndodh; kush janë arsyet; se pse sot ka më pak shpresë dhe pse shqiptarët largohen.
Kam takuar pa fund të rinj e të reja që kanë një mllef, mërzi por dhe dëshirë për ndryshim, që duan ta materializojnë dhe fatkeqësisht nuk arritën dot ta bëjnë në zgjedhjet lokale, që nuk arritën dot që atë potencial të paçliruar ta çlironin dhe sot të diskutonim për të ardhmen e jo të shkuarën.
Kur shihja fytyrat e lodhura në takimet elektorale që prisnin me valle për të dëgjuar se çdo ndodhë nesër, kur shihja moshën mesatare të rritur, kur pashë shifrat që nga mbi 122 000 votues për herë të parë, zgjodhën të shkojnë në votime as 17 mijë të tillë, pra 13.5%, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar.
Më tej, kur pashë shifrat që thuajse 300 mijë shqiptarë kishin vendosur të qëndrojnë në shtëpi atë të dielë, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar.
Ndërkohë, një pjesë e jona akoma pretendon supremaci. Ku është supremacia? Ku është fitorja? Ku është krenaria? Në humbje, pa nder!
Ka një ndjenjë të thellë frustacioni që rinia e tyre është marrë peng nga një elitë politike që i bën të ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar për mirë vendin.
Janë disa barriera të ngritura apostafat, qëllimisht, për të ushqyer këtë ndjenjë apo të ngjashme si këto dhe që i shtyjnë shumë të largohen në vend që të kërkojnë ndryshimin.
Barrierat për të cilat flas nuk janë të padukshme, barrierë është dhe përpjekja e vazhdueshme për të influencuar votën apo këmbëngulja e vazhdueshme për të vendosur nën presion administratën, një shtet i kthyer në njësh me partinë në pushtet, blerja e votës, dhe me një konkurrencë të pashëndetshme për demokracinë mes ministrave që me çdo kusht duhet të terheqin vemendjen e liderit e përdorin çdo burim në atë drejtim.
Në qendrat e bojatisura të qyteteve të rilindura, ku kërcenin të moshuarit, u fol për shumëçka por shumë pak se si do jetë qeverisja nesër.
Pa program por me dajre, pa politika por me muzikën në gojë dhe ahengun si ndërmjetës.
E në këtë logore fjalësh, kërcimesh, refuzimi për të vepruar, mungese alternative e programi, presioni e lloj-lloj turli eksperiencash erdhi dhe sigurisht dhe premtimi për rritjen e madhe të pagave.
Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria shqiptare vitin e shkuar prej 4.84% nuk do të jetë më e tillë; pritshmëria tejet optimiste e qeverisë shqiptare në fakt do të përfundojë në 2.2%.
Mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar dhe një kënetë të madhe ekonomike që qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë.
Xhepat e qytetarëve, sidomos ato që kanë marrë kredi në banka, do të paguajnë gjithnjë e më shumë para në këstet e tyre. Sot, një shqiptari do t’i duhet të punojnë mbi 14 vite për të paguar një kredi hipotekore për një shtëpi. Çmimet e konsumit për shportën e ushqimeve janë rritur me mbi 20% ndërkohë që inflacioni bazë i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë është duke shkuar në 9% ndërsa në vendet e BE inflacioni bazë (core inflation rate) është tek 6.3% në Janar ndërsa në Shqipëri ka qenë 8.4%.
Më të varfër! Më të vetmuar! Me më shumë kosto! Kjo është ekonomia që ka ideuar dhe materializuar qeveria shqiptare në dhjetë vite.
Punon shqiptari që të pasurohet oligarku! Mëson shqiptari, që të taksohet më pak oligarku! Përpiqet shqiptari, që të përfitojë përjashtime në taksa një pakicë që numëron përfitimet që dhuron ky parlament.
Shifrat nga EUROSTAT flasin se që prej 2014 nga thuajse 200 mijë shqiptarë të larguar, 75% e tyre janë të moshës deri në 35 vjeç. Pra shqiptarë që kanë përfunduar shkollën, janë trajnuar në vendet e tyre të punës dhe më pas zgjedhin të ikin.
Sistemi i korruptuar që nis nga taksat dhe përfundon në mënyrë se si shkruhen dhe miratohen ligjet, se si promovohesh në administratë, se si nuk ke hapesirë për të shprehur talentin tënd.
Deficiti tregtar, thellohet ndërkohë që Euro është mbase flamuri i vetëm i një ekonomie informale që nesër do të na dëshmojë se si paratë informale e injektuar në sasi të mëdha një herë në dy vite ka shndërruar ekonominë më të dobët në Ballkanin Perëndimor të ketë monedhën më të fortë se sa Euro.
Tani që kuptuam realitetin ekonomik le të flasim pak për pagat: Nga viti 2019 deri më 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Gjatë këtij harku kohor, paga minimale u rrit me 30% dhe paga mesatare, me vetëm 15%.
Vetë paga mesatare nga 45.5 mijë lekë bruto në 2014, arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-n, me një rritje të pa indeksuar me inflacionin prej 45%. E indeksuar me inflacionin, rritja pagës reale është vetëm rreth 25% në 9 vjet!
Për dhjetë vjet me radhë janë marrë mbi 4 Eurobonde, kontratat e PPP-ve kanë shkuar sa 50% e PBB-së ndërkohë që konkurueshmëria e pagave me rajonin e ka çuar Shqipërinë të fundit. Fuqia blerëse e një familje shqiptare që merr pagë minimale sipas EUROSTAT është më e ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Një ekonomi e tillë, nuk prodhon dot një rritje pagash pasi ekonomia e tregut i rrit pagat jo me urdhër partie, as me dëshirë kryeministrie por me kërkesë-ofertë tregu.
Të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave. Pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit. Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?
E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake.
Kur dëgjoj prezantimet e këshilltareve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjeter të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka.
Besoj, se shqiptarëve u bëhet vonë për politikën. E kuptojnë shumë mirë se kur e shkuara u përdoret si shantazh për të ardhmen, se kur e shkuara u sillet si barrierë për të mos ndryshuar dhe për të mos luftuar, edhe për gabimet tona si opozitë, ata zgjedhin që të mos votojnë dhe të bojkotojnë.
Gjithsesi, kjo nuk duhet të na dekurajojë nga një përpjekje e thjeshtë dhe tërësisht e ndershme për të dëgjuar shqiptarët, demokratët dhe madje edhe socialistë. Për t’i ftuar ato në një angazhim dhe për t’i mikluar që në vend të cinizmit të na ofrojë shansin për t’i përfaqësuar apo për t’u përfaqësuar. E di që shumë prej tyre janë mosbesues ndaj nesh! Nuk u vë faj!
Shqipëria sot është një katrahurë ekonomike dhe politike. Besoj se ka vetëm një rrugë për ta shpëtuar vendin nga kjo katrahurë, rikthimi i besimit tek politika, rikthimi i besimit tek ndryshimi.
Tek politika si instrument për të bërë mirë e për të ndryshuar çdo ditë, jo sa herë ka zgjedhje! Me çdo mundësi, qoftë dhe me kosto politike për secilin prej nesh.
Deputetja Blerina Gjylameti: Rritja e pagave prek çdo buxhet familjar
“Sot arrijmë që të kemi një prekje në çdo buxhet familjar. Jam mëse e lumtur që do shërbejë për pjesën e shërbimeve shumë të mira publike të gjithkujt që merr nga administrata publike. Një sërë reformash strukturore në ekonomi të ndërmarra në vite na e kanë bërë të mundur sot që të ketë reformë të thellë të pagave në administratën publike. Unë besoj që të tërëve na bën të ndihemi mirë. Është momenti për të falenderuar gjithë kolegët e opozitës që kanë qenë mbështetës të kësaj reforme sepse sot ne prekim ata që janë në të gjithë sektorët”.
Rritja e pagës mesatare/ Ibrahimaj: Përfitojnë 130 mijë punonjës administrate, efekti financiar 39 miliardë Lekë
Në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohet projektligji “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve financiare dhe përfitimeve të punësuarve ne institucionet e administratës publike, si dhe të pagës baze minimale në shkallë vendi”.
Në lidhje me diskutimin për këtë projektligj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. e ka mbajtur fjalën e para në foltoren e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj ka thënë se nga rritja e pagës mesatare do të përfitojnë 130 mijë të punësuar në administratë të të gjithë niveleve dhe se efekti financiar i kësaj reforme pasi ajo të implementohet si e tërë, është 39 miliardë Lekë nominale
Delina Ibrahimaj: Sot ndihem e priviligjuar që vij duke sjellë finalizimin e një pune të gjatë, reformën e pagave që do të përfshijë të gjithë hiearkinë e administratës shtetërore dhe shpresojmë që do të ndiqet dhe nga sektori privat. Ne do të vazhdojmë me rritjen e pagës minimale deri në nivelin 45 mijë Lekë deri në fund të mandatit. Kjo është një arritje që tregon përkushtimin tonë. Ne besojmë tek vlera e punës dhe tek ata njerëz që i shërbejnë shtetit. Kapitali njerëzot është aseti më i rëndësishëm. Reforma mundëson jo vetëm rritje e pagave, por edhe shtrirjen në të gjithë administratën publike.
Paga bruto në administratën publike, paga mesatare të jetë 900 Euro. Kemi dëgjuar që kjo ishte një reformë elektorale dhe se e lançuam për hir të zgjedhjeve dhe pati dhe diskutim mbi pamundësinë e kësaj reforme. Ne kemi vite që punojmë për këtë reformë. Të tilla reforma duhet të përmbushin kushtet ekonomike që të implementohen dhe sot ekonomia na e jep këtë mundësi. Pjesë e paketës parashikohet dhe indeksimi i të gjitha pagave. Kjo është një reformë që ekonomia na e mundëson sot. Sot ekonomia ecën me hapoa të shëndoshë dhe ne kemi hapësirën buxhetore për të përballuar pagat.
Me përcaktimin e pagës së presidentit si më e lartë nga 257 mijë Lekë, do të shkojë në 425 mijë Lekë në muaj ose 65.3% më shumë. Paga e Presidentit nga viti 2013 nuk ka ndryshuar. Synojmë të përmirësojmë hiearkinë e pagave në administratë që të mbajmë personat e kualifikuar. Duhet që reforma të krijojë rritje të pagës për rritje të kompleksitetit të punës dhe përgjegjësitë. Pagë më e mirë dhe do të presim punë më të mirë.
Efekti financiar i kësaj reforme pasi ajo të implementohet si e tërë është 39 miliardë Lekë nominale. Janë mbi 130 mijë punonjës që do të përfitojnë nga kjo reformë në të gjitha qelizat e administratës shtetërore. Ky është ndryshimi më i madh që kemi bërë ndonjëherë i politikës buxhetore dhe fiskale, ndryshim historik që e sjell politikën buxhetore më shumë para qytetarëve. Ne sot për çdo 2 Lekë të ardhura që vijnë, 1 Lekë do të shkojë për pagat, për pensione, pra gjysma e parave të buxhetit të shtetit do të shkojë tek qytetarët, gjysma tjetër do të shkojë për të tjera aktivitete buxhetore. Reformë të plotë në administratën shtetërore duke e bërë atë më konkurruese.
Kuvendi njeh Gazment Bardhin si kryetar të grupit të PD, reagon Tritan Shehu: Qesharake, u zgjodh me 18 vota
Në nisje të seancën plenare, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj ka njohur zyrtarisht si kryetar të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhin pas dorëheqjes së Enkelejd Alibeajt.
Ndërkohë, këtë gjë e ka kundërshtuar deputeti tjetër demokrat Tritan Shehu, pjesë e grupimit të Berishës, i cili e ka konsideruar qesharake këtë fakt duke thënë se Bardhi është zgjedhur me 18 vota.
Tritan Shehu: Ju njoftoni këtu zgjedhjen e dikujt si kryetar i grupit parlamentar të PD me 18 vota që ka marrë. Grupi parlamentar i PD ka dalë nga zgjedhjet me 2021 anëtarë. Si mundet të legalizohen e të njoftohen këto gjëra zyrtarisht këtu? E kupton se ku po çojnë këto veprime anti-procedurë, anti-rregullore, anti-demokraci që po realizohen në Parlamentin shqiptar sa kryetari i grupit parlamentar të PD-së votohet me 18 vota dhe zyrtarizohet nga ju këtu. Turpi i botës kjo, është një turp i paimagjinueshëm sepse ju në këtë mënyrë bashkëpunoni me ata që shkelin rregulloren dhe falsifikojnë të vërtetën e PD brenda saj duke zyrtarizuar ato. Nuk ka turp më të madh se kjo. Prandaj kërkoj të bllokohen këto veprime dhe të vihet në vend e drejta.
RENDI I DITËS SË SEANCËS PLENARE
1. Miratimi i procesverbalit te seances plenare te dates 18.5.2023.
2. Njoftime.
3. Projektligj “Per disa ndryshime ne ligjin nr.9584, date 17.7.2006, “Per pagat, shperblimet dhe strukturat e institucioneve te pavarura kushtetuese dhe te institucioneve te tjera te pavarura, te krijuara me ligj”, te ndryshuar.
4. Projektligj “Per nje ndryshim ne ligjin nr.96/2016, “Per statusin e gjyqtareve dhe prokuroreve ne Republiken e Shqiperise”, te ndryshuar.
5. Projektligj “Per kompetencat per caktimin e pagave, trajtimeve te financiare dhe perfitimeve tete punesuarve ne institucionet e administrates publike, si dhe te pages haze minimale ne shkalle vendi”” .
6. Projektligj “Per disa ndryshime ne ligjin nr. 25/2022, “Per dhe zhvillimin e startupeve”.
7. Akti Normativ “Per nje shtese ne ligjin nr. 8952, date 10.10.2002 “Per letemjoftimin elektronik te shtetasve shqiptare”, te ndryshuar””.
8. Projektvendim “Per emerimin ne detyre te nje anetari te Keshillit te Statistikave”
9. Projektvendim “Per emerimin ne detyre te nje anetari te Keshillit te Statistikave”
10. Projektvendim “Per emerimin ne detyre te nje anetari te Keshillit te Statistikave”
11. Projektvendim “Per emerimin ne detyre te nje anetari te Keshillit te Statistikave”
12. Diskutime per 9eshtje jashte rend it te dites.
III. Ngarkohen Sherbimet e Kuvendit per publikimin e rendit te dites te seances plenare, njoftimin e anetareve te Kuvendit me ane te mjeteve te komunikimit elektronik si dhe pergatitjen e dokumentacionit parlamentar qe dote shqyrtohet.
IV. Ky urdher hyn ne fuqi menjehere.
REDAKSIA TVKLAN.AL