Prokuroria e Posaçme njoftoi zyrtarisht akuzat për Erion Veliaj, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, biznesmenin e arrestuar Elman Abule dhe 5 biznesmenët e tjerë.
SPAK thotë se Veliaj dhe Xoxa ideuan dhe vunë në jetë një skemë korrupsioni të shtrirë në kohë, për të përfituara nga fondet publike të bashkisë së kryeqytetit.
Në njoftim SPAK sqaron rezultatet e hetimeve të kryera që prej Shkurtit 2024, duke thënë se në krye të skemës korruptive qëndronte kryebashkiaku Veliaj, për të cilin thotë se me firmën e tij ka kaluar fonde të bashkisë drejtpërdrejtë te bashkëshortja e tij.
“Rezulton se, nga shtetasit nën hetim, specifikisht E.V. (me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë) si edhe bashkëshortja e këtij të fundit, A. X., është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme. Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 9 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë shtetasi nën hetim Erion Veliaj) dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga kjo shtetase”.
Fondet e bashkisë, sipas Prokurorisë se Posaçme, i janë dhënë fillimisht biznesmenëve të vënë nën hetim dhe më pas në formën e korrupsionit, i janë kthyer te kryebashkiakut, ndërsa biznesmenët kanë përfituar në këmbim fonde publike dhe leje ndërtimi.
“Fondet janë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë. Kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme, specifikisht një godinë banimi e tipit “Vilë” e ndodhur në Qerret, dhënë si përfitim i parregullt nga persona konkretë, të cilët zotërojnë dhe përfaqësojnë subjekte tregtarë, të lidhur ngushtë me interesa financiare me Bashkinë Tiranë, përmes përfitimit të fondeve publike si edhe lejeve të ndërtimit, tek familja e kryetarit të Bashkisë Tiranë”.
Vetëm nëpërmjet 8 shoqërive dhe OJF-ve të kontrolluara nga Xoxa, SPAK thotë se ata kanë gjeneruar të ardhura të cilat kapin shifrën e rreth 110.000.000 Lekëve ose afërsisht 1.1 milionë Euro.
Prokuroria e Posaçme thotë se ka dokumentuar që një pjesë e këtyre fondeve, afro 860 mijë Euro, janë shpenzuar për blerje online me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja Ajola Xoxa, vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të”.
Një pjesë e këtyre parave, sipas SPAK, janë pastruar nga biznesmeni Elman Abule, nëpërmjet kalimit të parave nga shoqëritë e administruara prej tij dhe familjarë të tij drejt shoqërive të Ajola Xoxës.
Në kuadër të këtyre hetimeve me vendim të gjykatës është vënë në sekuestro vila në Qerret e çiftit Veliaj, janë sekuestruar llogaritë bankare të Ajola Xoxës dhe kompanive të saj në vlerën e 869,149.78 Eurove, dhe një shumë prej 95.350 Eurosh të gjetura në kasafortën e saj, shumica prej tyre prerje 500 Euro, si dhe 14,900 Dollarë dhe 665,000 Lekë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa akuzohen për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, që parashikon një dënim që nis nga 4 deri në 12 vite burg dhe pastrim të parave, që parashikon një dënim nga 7 deri në 15 vite burg.
Ajola Xoxa akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë që parashikon një dënim nga gjobë deri në 3 vite.
Tv Klan