Në vizitën e saj treditore në Shqipëri, Komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos kishte të planifikuar dhe një ndalesë në Elbasan për të parë personalisht tre projekte të financuara nga BE-ja në këtë qytet, por nuk ka ngurruar të bëhej pjesë dhe e festimeve për Ditën e Verës.

Edhe pse ka vetëm pak muaj që e ka marrë këtë detyrën ka treguar se kërkon të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të rajonit, ndoshta ngaqë vjen nga Ballkani pasi është me origjinë sllovene. Dhe optimizmin dhe pozitivitetin e saj për të shtyrë zgjerimin e tregoi dhe me gjeste e fjalë të thjeshta në Elbasan.

“Më thanë që këto veroret sjellin fat ndaj vura dy. Vura një për Shqipërinë dhe një për Bashkimin Evropian që të jenë fatsjellëse”, tha Kos.

Pas takimeve gjatë të enjtes me krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësuese të partive politike, por dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, Kos thotë se e ka më të qartë realitetin në Shqipëri dhe ecurinë e reformave jetike për anëtarësimin.

“Shqipëria ka ecur në mënyrë të mrekullueshme. Natyrisht që ka ende shumë reforma për të bërë, por në rast se i gjithë ritmi do jetë ai që ka qenë deri më tani atëherë do të përfundohet negociatat në 2027. Dua të përgëzoj gjithë qytetarët shqiptarë për punën e arritur. duke vuijuar me këtë ritëm pune me pasion që po bëhet besoj shume shpejt  Bashkimi Evropian nuk do te jete një bashkim me 27 shtete, por me 28 ku  Shqipëria te jete anëtare“, tha Kos.

Në Elbasan, Bashkimi Europian financon një projekt ku sipërmarrje të reja sociale mbështeten nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar ndërsa komisionerja u takua dhe me gra, viktima të dhunës me bazë gjinore, si dhe është ndalur në një bashkëbisedim nxënësit që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin, të nxënit ndërkulturor dhe dialogun.

Tv Klan