Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Lali në qeli, çfarë kërkojnë të burgosurit në letrat e tyre

Me vallen e shpatave e fshesa në duar, Saimiri dhe Genti krijojnë mizanskenën perfekte të asaj, që po ndodh, me hetimet ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe familjarëve të tij. Në redaksinë tonë kanë mbërritur disa letra nga burgu, ku personat, që vuajnë dënimin, kërkojnë të drejtat e tyre, si mospirje duhani në dhomat e përbashkëta, apo kontrollin e cmimeve në dyqanin e burgut.

I shesin apartamentin në bashkëpronësi e ndërrojnë bravat, hyn me polici

Jemi në Vlorë, ku takojmë zonjën Gjeladina Ramadani, e cila në vitin 1993 privatizoi një dhomë në një apartament në këtë qytet. Dhoma tjetër e të njejtit apartament, u privatizua nga Sulbena Balili. Pas 30 vitesh, Balili e shet pjesën e saj takuese, por në dokumentet e shitjes, është e gjithë sipërfaqja e apartamentit. Si të mos mjaftonte kjo, Gjeladina tregon, se kur u bë shitja, ajo nuk mundi të futej në dhomën e saj, pasi pala tjetër ndryshoi bravat e ajo hyri me polici.Në tetor 2024 Kledion Zenelaj bleu apartamentin nga Sulbena Balili dhe Kledioni thotë, se ka blerë 40 metra katrorë e ka bërë dhe certifikatën e pronësisë.Noterja Niada Cela, që ka bërë shitjen, thotë, se cdo gjë e ka bërë konform rregullave e ligjeve. Rezulton, se për të njejtin apartament, janë hapur 2 numra pronësie dhe sipërfaqja nuk korrespondon me realitetin. Tani pritet një zgjidhje nga Agjensia shtetërore e Kadastrës.

Boshatisen shkollat nga frika e meningjitit, a ka vend për alarm

Ditët e fundit një vajzë 17 vjecare në Durrës humbi jetën, pasi u diagnostikua me meningjit. Ndërsa një 14 vjecar është në spital me të njejtën diagnozë. Prindërit e nxënësve të shkollës, thonë, se kanë frikë për shëndetin e fëmijëve. Nga ana tjetër, në vendin tonë nuk bëhen vaksina për meningjit.Në Drap Durrës, punonjësi Urim Shehu, thotë, se prindërit nuk po i cojnë fëmijët në shkollë nga frika, por sipas tij, nuk ka vend për panik.Eugena Tomini, drejtore e ISHP-së, shpjegon, se në 5 vitet e fundit, ka patur vetëm 7 raste të dyshuara dhe vetëm 2 të konfirmuara me meningjit, gjë që nuk krijon kushte për alarm.Përsa i përket vaksinimit, Tomini thotë, se po punohet, që deri në vitin 2030, të futet edhe meningjiti në protokoll.

/tvklan.al