Vatikani ka anuluar axhendën e fundjavës së Papa Françeskut.
88-vjeçari ndodhet i shtruar që prej të premtes në spitalin “Gemelli” në Romë me bronkit.
Të hënën, Vatikani deklaroi se infeksioni në rrugët e frymëmarrjes po paraqiste një “ndërlikim klinik” dhe duhej të qëndronte në spital. Në mbrëmje, u njoftua se Papa ishte në gjendje “të qëndrueshme” dhe pa temperaturë.
Zëdhënësi më parë kishte deklaruar se analizat e kryera së fundmi tregojnë që kleriku më i lartë vuan nga “infeksion polimikrobial i rrugëve të frymëmarrjes” që duhej të pasohej me një ndryshim në terapinë e mjekimeve.
Infeksionet polimikrobiale shkaktohen nga një përzierje virusesh, bakteresh, kërpudhash dhe parazitësh.
Sipas Vatikanit, pavarësisht gjendjes shëndetësore, Papa Françesku “lexoi dhe punoi” mëngjesin e së hënës dhe “ishte i prekur nga mesazhet e panumërta të dashurisë dhe afrimitetit që vazhdon të marrë”.
Gjendja e tij ka shkaktuar shqetësime. Papa Françesku ka kaluar gripin dhe probleme të tjera shëndetësore gjatë dy viteve të shkuara./tvklan.al