Me rastin e vitit jubilar të shpallur nga Selia e Shenjtë, Ambasada Shqiptare në Vatikan, nën kujdesin e ambasadores Majlinda Frangaj organizoi një takim me Papa Françeskun, në Selinë e Shenjtë, me pjesëmarrjen e mbi 100 studentëve dhe akademikëve shqiptarë, nga 4 universitete shqiptare dhe 3 italiane.

Pjesë e audiencës u bënë edhe dy ministrat shqiptarë, ai i Punëve të Jashtme, Igli Hasani dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.

Teksa Papa Françesku përshëndeti të pranishmit, Audienca e Përgjithshme u fokusua tek rëndësia e vlerave humane dhe angazhimi i përbashkët në promovimin e paqes, drejtësisë, dialogut ndërfetar dhe vëllazërisë.

Takimi me Atin e Shenjtë u pasua nga një tjetër pritje e organizuar ambasada e Republikës së Shqipërisë në Vatikan. Ambasadorja Frangaj, në një intervistë për televizionin italian, Retesole, e vlerësoi këte aktivitet, duke thënë se është folur për arsimin, që është një teme shumë e rëndëisshme dhe që Shqëria e ka prioritet.

“Ishte një ditë shumë e rëndësishme, sepse ishim në Audiencë te Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një grup studentësh shqiptarë, mbi 100 studentë, ministri i Jashtëm dhe ministrja e Arsimit. Ishte shumë e bukur të shihje këta studentë të shoqëruar nga dy ministrat. U fol edhe për arsimin, që është një temë shumë e rëndësishme dhe ka prioritet në Shqipëri. Ishte një rast unik, sepse me rastin e vitit jubilar, sot ishin të  pranishëm te Papa Françesku studentë dhe profesorë, të cilët i përkisnin besimeve të ndryshme fetare, jo vetëm besimit katolik. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Shqipëria tregoi edhe njëherë tjetër vëllazërinë dhe bashkëjetesën paqësore mes besimeve fetare. Dhe të shihje pikërisht në Vatikan të gjitha këto studente e profesorë te besimeve te ndryshme fetare, ishte shumë prekëse edhe për mua personalisht”, tha ambasadorja Frangaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani nënvizoi rolin që ka rinia si burimi më i madh i vendit për të tashmen dhe të ardhmen.

“Është një moment i rëndësishëm krenarie, e vëllazërie ndërmjet dy popujve. Jam i sigurt, se këto nuk kanë vetëm vlerë simbolike”, tha Hasani.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu theksin e vuri tek momenti i reflektimit dhe mesazhet që jep kjo audiencë.

“Jemi këtu për këtë Audience të Përgjithshme të Papa Françeskut, një moment unik dhe i reflektimit, të forcës së transformimit që ka edukimi për të rritur më tej vlerat e përbashkëta që ne kemi”, tha Manastirliu.

Pjesëmarrësit bënë gjithashtu edhe kalimin e Portës së Shenjtë, e cila hapet një herë në 50 vjet. Sipas traditës biblike, Viti Jubilar është një vit i veçantë i faljes universale.

Në vazhdim të vizitës në Romë, delegacioni shqiptar zhvilloi një takim me Shkëlqesinë e Tij, Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, ku u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Tv Klan