Përveçse si lojtar, shumë shpejt Vinicius Junior do ta shohim edhe si pronar klubi. Sulmuesi i Real Madrid po udhëheq një grup investitorësh brazilianë dhe spanjollë, në blerjen e klubit Alverca, që militon në Ligën e Dytë në Portugali.

FC Alverca po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe renditet në vendin e dytë, duke qenë një nga skuadrat pretendente për tu ngjitur në elitën e futbollit portugez.

Vinicius është gati të blejë 80% të aksioneve të klubit, diçka që u konfirmua edhe nga pronari aktual i klubit, Ricardo Vicintin.

“Së bashku me familjen time, u sigurova që të zgjidhja me kujdes se kujt do ia besoja këtë thesar. Vinicius dhe ekipi i tij, janë njerëzit e duhur për ta ngritur klubin në një tjetër nivel”, tha Vicintin.

Detajet financiare nuk janë zbuluar ende, ndërsa në ditët e ardhshme priten zhvillime të tjera. /tvklan.al