Me 75 vota pro, 24 kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar buxheti për vitin 2025.
SEANCA E KUVENDIT
Gazetarja e Tv Klan Elja Zotka jep më shumë detaje për zhvillimet në seancën plenare.
Të njëjtin fat si amendamentet e tjera, edhe propozimet e Dashnor Sulës u rrëzuan me votat e mazhorancës.
Propozimet e PD, Peleshi: Edhe pse broçkulla dhe populizma po ju dëgjojmë
Përgjigje Gazment Bardhit i ktheu kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi. Ai kërkoi nga demokratët që të mos abuzojnë me gjestin e mazhorancës që i la të propozonin amendamentet më shumë seç përcaktohej në rregullore.
Propozimet e tyre i konsideroi “broçkulla dhe populizma” dhe kërkoi që të mos e ofendojnë grupin e PS-së që sipas Peleshit ka kulturë politike.
“Nëse do zbatonim rregulloren, thotë amendamentet si rregull paraqiten në komision dhe vetëm nëse rrëzohen atje kanë të drejtë 5 minuta ta bëjnë prezantimin në seancë. Ne atë si rregull e hoqëm fare, nuk e pamë dhe lamë hapësirën e nevojshme, sa të duan, do të japim qëndrimin tonë dhe do votojmë sipas rregullores. Pas gjithë këtij gjesti politik dhe shumë të përulur në respekt të hapësirës tuaj opozitare mos na e shpërbleni duke kërkuar më shumë se kaq apo duke spekuluar me faktin që ne kemi një kulturë të caktuar politike dhe qytetari dhe nuk dimë të bëjmë atë që bëni ju. Nuk dimë t’ju sulmojmë, t’ju fyejmë, të shajmë edhe kur dëgjojmë këtu broçkulla apo populizma që po t’i mbledhësh të gjitha bashkë derdhet ena e buxhetit sepse shkon nja 10 miliardë që nuk i kemi. Janë qesharake, por nuk ua kemi thënë në asnjë moment. Ju kemi dëgjuar sepse keni të drejtë të bëni opozitën tuaj, por ju lutem qëndroni brenda kornizës dhe mos fyeni dhe mos ofendoni këtë grup që ju ka duruar jo se është i dobët, por sepse ka kulturë politike”, tha Peleshi.
Në këto momente ka pasur debate mes kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi me kryetaren e parlamentit, Elisa Spiropali. Bardhi akuzoi Spiropalin për shkelje të procedurës.
“Ju zonja kryetare jeni shkelje të procedurës, nuk ka asnjë nen që i jep të drejtën pasi të prezantohet amendamenti të flasin anëtarët e Këshillit të Ministrave”, tha Bardhi.
Kjo u mohua nga Spiropali.
“Maji vjen shpejt”, Manastirliu-opozitës: Nuk dilni dot nga bataku ku keni rënë!
Sërish debat mes palëve politike në Kuvend, pasuar me një tjetër amendament të rrëzuar të PD-së. Nuk është miratuar propozimi për rritjen graduale të buxhetit në Ministrinë e Arsimit në masën 1% të PBB-së.
Në mes të tensionit, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu foli për reformat e qeverisë në këtë fushë. Ajo iu drejtua opozitës duke thënë se nuk “ballafaqohen në këtë mënyrë me dështimet e tyre historike dhe se përgjigjen do e marrin në Maj”…Lexo më shumë
“Mua s’më thotë askush hajdute”, përplasje mes opozitës dhe ministres Denaj
Është rrëzuar edhe amendamenti i opozitës për rritjen e fondit vjetor për subvencionimin e fermerëve. Ka patur përplasje të ashpër verbale mes deputetëve të opozitës dhe Ministres së Bujqësisë e Zhvillimit Rural Anila Denaj.
Kjo e fundit iu është drejtuar kështu: Mua s’ka guxim askush të më thotë hajdute! Ekonomia bujqësore është në shifrat e INSTAT, 30% në rritje investimet.
Ndërkohë kreu i grupit të PD Gazment Bardhi dhe deputeti Bledion Nallbati kanë vijuar me akuzat e tyre ndaj ministres.
Përshëndetje të dashur lexues të Tvklan.al 👋
Kuvendi është mbledhur këtë të martë për të diskutuar për buxhetin e vitit 2025.
Aktualisht ka nisur votimi nen për nen dhe në tërësi buxheti për vitin e ardhshëm. Deri më tani janë rrëzuar të gjitha amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike të dala për votim.
I pranishëm në seancë pas 11 muajsh, ishte edhe kryedemokrati Sali Berisha. Paraqitjen e tij, ai e konsideroi si “rikthimin e tretë” dhe tha se do të jetë “më i suksesshmi në histori”.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama mungon në këtë seancë pasi do të zhvillojë disa takime në Bruksel.
Buxheti i vitit 2025 parashikohet 3 herë më i madh se ai i 2013-ës. Megjithatë nga ana e opozitës ka akuza ndaj socialistëve për propagandë para zgjedhjeve parlamentare.
Deri në këto momente seanca ka qenë e qetë, pa tensione dhe me debate normale e replika me palëve.
Tvklan.al është pranë jush me këtë raportim live për të ndjekur të gjitha zhvillimet nga Kuvendit sot.
Një tjetër amendament i rrëzuar është edhe ai për trefishimin e fondit të mirëmbajtjes së rrugëve. 21 votave pro të demokratëve iu përgjigjën 55 votat kundër të socialistëve duke e rrëzuar.