Pas një seance maratonë që ka zgjatur për 2 ditë me radhë, Kuvendi ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2025. Me 75 vota pra, 40 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i dha kështu dritën jeshile “Buxhetit 2025”.
Seanca maratonë është shoqëruar me debate të shumta mes mazhorancës dhe opozitës pasi kjo e fundit e ka konsideruar mashtrues kreun e qeverisë që deklaroi se buxheti i vitit 2025 ishte trefish më i madh se në vitin 2013.
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë: Të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 3300 Euro, sot janë 10 300, pra trefish. I gjithë fondi në dispozicion të shtetit ishte 3.2 miliard Euro. Në buxhetin 2025 është 8.2 miliard Euro, pra trefish gati. Asnjëherë askush tjetër nuk e ka rritur buxhetin e shtetit në njësinë e kohës më shumë se sa gjysma e kësaj rritje dhe kjo për tu treguar zemërgjerë sepse përgjithësisht ka qenë shumë më pak.
Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD: Ky është një buxhet për oligarket, klientët e qeverisë dhe për të pasurit, por jo për njerëzit, ata që mezi ja dalin në muaj. Për 12 vite secili prej jush e ka parë se sa vjen dhe po blen më pak, ka më pak për të ndarë për familjen.
Bardhi tha se në 12 vite të qeverisjes socialiste pensionet janë gati 8% më të ulëta ndërsa bonusi i fundivitit po përdoret për zgjedhjet parlamentare. Sipas tij Rama ka parashikuar zero Lekë në buxhet për rritjen e pensioneve. Ndërkohë, kryefinancieri Malaj tha se fondet që parashikohen për Mbrojtjen Sociale në buxhetin e vitit 2025, përfshijnë një skemë të gjerë përfitimi.
Gjatë zhvillimit të seancës së sotme plenare, opozita ka mbajtur protestë paqësore rreth 2 orë para Parlamentit dhe nëpërmjet fjalimeve të tyre, kanë kundërshtuar miratimin e buxhetit të vitit 2025. /tvklan.al