Ministrja Belinda Balluku ka replikuar pas akuzave të opozitës sot në Kuvend për skemën e pensioneve. Duke iu kujtuar se në kohën kur kanë qeverisur nuk kanë bërë asgjë në dobi të kësaj kategorie, Balluku iu theksoi se “kanë kohë deri më 11 Maj për narrativën e tyre politike”.
“Shpreh keqardhjen time si përdoret foltorja, thjesht për narrativë politike. E keni pasur në dorën tuaj për të ndryshuar skemën e pensioneve, s’keni ndryshuar asgjë… Merrni një mësues të kohës kur mbretëronit ju dhe një mësues pas reformës së Partisë Socialiste. Nëse ne bëjmë gjithçka themi, duket nga votat që marrim. Nëse ju jeni tallur me pensionistët dhe vazhdoni ta bëni tani, është akti më i çuditshëm politik. Ne kemi bërë reformat më shtetformuese, jemi ata që bëmë gjithçka në këtë vit për të vendosur një fond mbi 100 mln euro për bonusin. Ju nuk mund të flisni sikur jeni një forcë e re, sikur ka zbritur në tokë i dërguari, jeni ata që e keni pasur 8 vite në dorë dhe nuk e bëtë kurrë. Erdhi Edi Rama, PS-ja! Ju shisnit hotele për të paguar bonusin, ne jemi ata që kemi vendosur 100 mln në buxhetin e shtetit. Çmimi i energjisë elektrike nuk rritet, madje do ulet, por dikur njerëzit nuk kishin energji elektrike dhe e paguanin. Keni kohë deri më 11 Maj të vazhdoni me narrativën tuaj anti-shqiptare, të gënjeni në këtë foltore, në kamera, Facebook, këto do bëni se nuk bëni dot asgjë tjetër”, deklaroi Balluku.
/tvklan.al