Edhe pse në ambientet e paraburgimit në Durrës, kryebashkiaku Erion Veliaj vijon me monitorimin e punëve në Tiranë. Ai ka postuar pasditen e sotme në Facebook-un e tij foto të shkollës së re që po finalizohet në kryeqytet, ku thekson se e gëzon fakti që puna vijon njësoj. “Edhe pse i burgosur pa gjyq, me një dosje të kopsitur enkas për të më mbajtur larg punëve të qytetit, puna për ndërtimin e shkollave të reja në Tiranë nuk ndalet! Shkolla e re “Edith Durham” është e 48-ta në buqetën e godinave arsimore (9-vjeçare dhe gjimnaze) që kemi ndërtuar së bashku në Tiranë, e më gëzon fakti që puna aty po vijon njësoj, me ritme të shpejta, për ta pasur gati në shtator për fëmijët. Forca!”, shkruan Veliaj.


Kujtojmë se ai u arrestua më 10 Shkurt 2025 me urdhër të GJKKO, ndërsa 2 ditë më vonë gjyqtari Erion Bani verifikoi masën e sigurisë ndaj tij “arrest me burg”. Në qeli u la edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa për bashkëshorten e kryebashkiakut Ajola Xoxa u vendos masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

Veliaj akuzohet për dy vepra penale, atë të “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 9 episode, si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Procesin gjyqësor ndaj tij, e ka cilësuar krejtësisht politik, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë dhe se ai është në qeli pa gjyq. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur kolegët e tij socialistë dhe vetë kreu i qeverisë Edi Rama.

/tvklan.al