Pa u bërë 24 orë, kryeministri Edi Rama dha komentin e tij mëngjesin e kësaj të Marte për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Duke vënë theksin te mbështetja absolute dhe e palëkundur ndaj drejtësisë, tha se “kryeqytetit me 1001 punë iu hoq koka pa një proces gjyqësor”.

“Marrja e kryetarit të bashkisë së Tiranës nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një qytet të tërë pa kokën që e kanë vënë, është një ngjarje e madhe. Ne do mundohemi të krijojmë një opinion se pse i hoqën kokën nga shpatulla bashkisë së Tiranës, duke lënë pa drejtim një kryeqytet, pa gjyq!”

Veçoi gjënë që e ka shqetësuar më së shumti në gjithë këtë proces hetimor, të cilin e sheh si të “çuditshëm”.

“Më ka bërë përshtypje intimidimi i disa personave. Njerëz të artit dhe kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë, pafundësi fletësh anonime, dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman nja 400 faqe ku autorë të drejtësisë kanë arritur që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim.”

Tha se “nuk duhet folur pa ditur krimet” për të cilat akuzohen kryebashkiaku Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa.


Sot, më 11 Shkurt 2025, ai deklaroi “zyrtarisht të mbyllur fazën e heshtjes”. Referuar këtu asaj që ai e quan “kritikë konstruktive ndaj institucioneve të drejtësisë.”

“U bë 5 vjet që flasin mbarë e mbrapsht dhe vetëm ne PS-ja, forca udhëheqëse e reformës në drejtësi, forca që qeveris vendin…heshtim, heshtim, heshtim. Ajo që mungon është kritika konstruktive, është nxjerrja në pah e të metave sepse institucionet përballen me një pjesë të publikut që mezi ka pritur ditën ose sulmet barbare, denigruese të asaj pjese të opinionit të udhëhequr nga armiqtë e reformës, nga bufi stërplak dhe kuak kuatë që i mbajnë ison. Ndërkohë pozicioni i kritikës është bosh. Asnjë pendesë për heshtjen në këto vjet, por me shumë gjasë heshtja jonë është keqkuptuar. E konsideroj zyrtarisht të mbyllur fazën 5 vjeçare të no comment.”

Edhe pse në fokus kishte arrestimin e Veliajt, nuk la pa dhënë një opinion për çeljen e fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike. Kryedemokratin Sali Berisha dhe opozitarët i cilësoi “trampistë të vetëshpallur që dje u masturbuan kolektivisht”, referuar ardhjes sipas tij të një “konsulenti të huaj”. Për këtë të fundit, tha “se kushedi me sa lekë e kanë marrë”.

“Konsulentët atë punë kanë, unë numëroj turistë kur dikush tjetër tregon konsulentë.”

Pati edhe një moment gjatë komunikimit online që pati probleme me internetin, pasuar me një “shpërthim” të kryeministrit. Pasi goditi tryezën e tij, tha “Mos u trembni, jam pasionant!”

E për dorëheqjen që ia kërkojnë vazhdimisht kundërshtarët politikë apo qytetarë që nuk e mbështesin, tha se “ka vetëm 2 rrugë”.

“Tanimë s’kam asnjë fije të zezë në gjithë portretin tim, ka histori të tëra këtu në këto fijet e bardha dhe një eksperiencë që më ndihmon të shoh më mirë. Dorëheqjen harroje, se ma keni kërkuar qysh kur kam hyrë në politikë. Për të më larguar nga politika ka 2 rrugë, ose zemra nëse s’më rreh mjaftueshmërisht që të më zgjojë të parin në mëngjes ose populli i Shqipërisë dhe më 11 Maj për fat të mirë do votojë dhe një pjesë e atyre që thonë se i dëbova unë nga Shqipëria. Nëse njerëzit thonë stop, mbaroi! Ose nëse unë i them stop!”

Gjysmën e ministrave i ke në burg!” – Rama e pati një përgjigje edhe për këtë akuzë.

“Kam pasur 60 ministra, nuk bëhen as 6 ish-ministra që kanë pasur apo kanë probleme me drejtësinë. Çfarë domethënë kjo? Do të ishte më mirë që të mos ishte asnjëri, do ishte më mirë të kishim një sistem që më parë dhe të bënim sikur luftonim korrupsionin dhe mos t’i shihnim derën jo të negociatave por as të shpresës për negociata në BE? Mund të jeni kundër meje, mund të doni dikë tjetër etj., etj., por arsyeja pse nuk fitoni dhe nuk keni për të fituar është se nuk dini të ndani atë që është e Çezarit me atë që është e të zotit”.

Ritheksoi se Partia Socialiste është ajo që ka udhëhequr reformën në drejtësi qysh ditën e parë.

 “Altin Dumani për shembull që është drejtues i SPAK e ka pasur 21 Janarin në tavolinë edhe më parë kur ka qenë në një prokurori të zakonshme. Ka qenë prokuror i 21 Janarit. Ka pasur mundësi ta luftojë korrupsionin edhe atëherë. Dini gjë që të ketë bërë ndonjë luftë kundër korrupsionit që t’i ketë dalë emri siç i ka dalë tani? Jo sepse ka qenë e pamundur jo vetëm për të, por për të gjithë sepse drejtësia ka qenë e kapur. Sot drejtësia doni apo s’doni ju, apo ata që bëjnë kuakuakua dhe ata që u shkojnë nga mbrapa, me profile false apo me verbërinë e fanatikut që lahet në kënetë dhe kujton se po lahet në det, drejtësinë e ka çliruar nga kontrolli i pushtetit politik forca politike që unë kam privilegjin të udhëheq.”

Në mbyllje, tha se “mund t’i mbajë të gjitha mbi shpinë, por ai që vendos është populli”. Fjalën e fundit për çdo akuzë apo aludim, ia la zgjedhjeve të 11 Majit, ditën kur shqiptarët brenda dhe jashtë vendit do të shprehin vullnetin e tyre përmes votës.

“Këtu në lëkurë të gjitha grricjet, kafshimet, gjaku. Pa problem, pa problem! Por, pastaj në fund është arena atje ku vendos, se këtu shumëkush flet në emër të popullit. Është populli që vendos!”, përfundoi kryeministri Edi Rama.

E.D/tvklan.al