Raportim Live
10:15, 17 Dhjetor 2024

Përshëndetje të dashur lexues të Tvklan.al 👋

Mbyllim këtu këtë raportim live ku ndoqëm hap pas hapi konferencën e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE, e cila çeli grupkapitullin e VI të negociatave. Ky kapitull ka të bëjë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Delegacioni i Shqipërisë u kryesua nga kryeministri Edi Rama dhe përbëhej nga ministrat Igli Hasani, Pirro Vengu, Blendi Gonxhja, Adea Pirdeni, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të VI.

Kujtojmë se më 15 Tetor, Shqipëria hapi pesë kapitujt e parë të anëtarësimit që trajtojnë çështje themelore si Gjyqësori, të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Siguria dhe Kontrolli Financiar.

Pas përfundimit të mbledhjes, kryeministri Rama doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë (e cila mban Presidencën e Këshillit të BE) dhe Marta Kos, Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin.

Rama u shpreh se synimi i Shqipërisë nuk është sekret. Ai tha se qeveria e tij do që negociatat të mbyllen në vitin 2027 ndërsa brenda kësaj dekade vendi të integrohet në Bashkimin Europian.

Progresin e Shqipërisë e vlerësoi edhe Szijjártó. “Shqipëria ka treguar progres të shkëlqyer, për të 6-të kapitujt, si për marrëdhëniet me jashtë për sigurinët”, deklaroi ai.

Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos tha se çelja e këtij grup-kapitulli të 6-të përbën një “sinjal” të rëndësishëm, që tregon se vendi ynë është në harmonizim të plotë me politikat e Bashkimit Evropian.

10:14, 17 Dhjetor 2024

Po cili kapitull do jetë më i vështiri për Shqipërinë?

I pyetur për këtë, kryeministri Edi Rama deklaroi nga Brukseli se asnjë paragraf apo kapitull s’është i lehtë me Bashkimin Evropian.

“Çdo gjë duhet të kalojë në shqyrtim të hollësishëm me një bashkëpunim të ngushtë dhe nëpërmjet dialogut e mirëkuptimit, ne presim që të hapim grup-kapitujt. Por njëkohësisht nuk po e gënjejmë veten sepse do jetë një punë e vështirë dhe ne duhet të përmirësojmë çdo hap. Jo vetëm në atë që themi, por edhe atë që bëjmë. Sikundër komisionerja e tha, ndihmon vendin që të rritet, piqet e transformohet. Të bëhet një shtet ku institucionet janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër dhe ku i gjithë sistemi punon si garantues për demokracinë e sundimin e ligjit”, tha Rama.

10:11, 17 Dhjetor 2024

Komisionerja Kos i uron suksese Shqipërisë: Besoj te puna juaj në këto negociata!

Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin Marta Kos shpreson në mbylljen e grup-kapitujve me Shqipërinë brenda mandatit të saj 5-vjeçar. Ajo deklaroi sot nga Brukseli se çelja e këtij grup-kapitulli të 6-të përbën një “sinjal” të rëndësishëm, që tregon se vendi ynë është në harmonizim të plotë me politikat e Bashkimit Evropian...Lexo më shumë

10:01, 17 Dhjetor 2024

Rama: Ambicia jonë nuk është sekret! Duam që negociatat të mbyllen në 2027

Sa i përket Ramës, kreu i qeverisë u shpreh se ambicia e Shqipërisë nuk është sekret. Ai tha se qeveria e tij shpreson që negociatat të mbyllen në vitin 2027 dhe anëtarësimi i vendit në BE të ndodhë brenda kësaj dekade.

“Ndaj ambicia jonë nuk është sekret. Ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027 dhe me shpresë anëtarësimi jonë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade. Është shumë ambicioze, por ne e kemi ndarë këtë sëbashku jo vetëm me presidencën hungareze, por pikë së pari me Komisionin që na ka mbështetur gjatë gjithë presidencave dhe kemi punuar”, tha Rama… Lexo më shumë

9:40, 17 Dhjetor 2024

Ministri hungarez: Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer me 6 kapitujt!

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë Peter Szijjarto deklaroi se ka ardhur momenti që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Teksa theksoi se procesi i zgjerimit ka qenë i ngadaltë, tha se Shqipëria ka bërë progres të shkëlqyer.

Sipas Szijjarto, në vetëm dy muaj është bërë më shumë se sa në 15 vite diskutime me unionin. Përpos punës së vazhdueshme të vendeve të rajonit në përmbushjen e detyrave, ia dha atributet presidencës hungareze në BE...Lexo më shumë

9:35, 17 Dhjetor 2024

Siç ishte paralajmëruar ka nisur një konferencë e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama, ministrit hungarez Péter Szijjártó dhe komisionerja për zgjerimin, Marta Kos.

9:25, 17 Dhjetor 2024

Zyra për shtyp e Kryeministrisë njofton se për pak kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për shtyp Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme të Hungarisë (e cila mban Presidencën e Këshillit të BE) dhe Marta Kos, Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin.

Qëndroni në këtë raportim live për t’u njohur me të gjitha zhvillimet.

9:24, 17 Dhjetor 2024

Presidenca hungareze e Këshillit të Bashkimit Europian bëri me dije një ditë më parë se ambasadorët miratuan konkluzionet për Zgjerimin.

Sipas presidencës, lajmi është një sukses i madh që do i japë shtysë të fortë zgjerimit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë për vitet në vijim… Lexo më shumë

9:16, 17 Dhjetor 2024

Costa: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE

Ndërkohë ju kujtojmë se nesër mbahet samiti me liderët europianë në Bruksel. Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, është shprehur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Ky është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që europianët mund të bëjnë, thotë Costa në videomesazhin e tij.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëjmë. Në këto kohë të vështira, më shumë se kurrë duhet të punojmë së bashku. Mezi pres samitin BE-Ballkani Perëndimor më 18 Dhjetor në Bruksel”, u shpreh Costa një ditë më parë… Lexo më shumë

9:09, 17 Dhjetor 2024

8:46, 17 Dhjetor 2024

Konferenca e tretë ndërqeveritare Shqipëri-BE, hapet grupkapitulli i VI (Të gjitha zhvillimet)

U zhvillua këtë të martë konferenca e tretë ndërqeveritare me BE-në. Vendi ynë hapi grup-kapitullin e VI me BE-në, i cili përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Delegacioni i Shqipërisë u kryesua nga kryeministri Edi Rama.