Pak ditë pas dorëzimit të raportit të progresit dhe hapjes së negociatave për grup-kapitullin e parë, Bashkimi Europian kërkon nga politika shqiptare bashkëpunim për realizimin e reformave të kërkuara.

Teksa mori pjesë në hapjen e edicionit të nëntë të shkollës së Integrimit që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ambasadori Silvio Gonzato kërkoi mbështetje të gjerë ndërpartiake.

“Do të jetë thelbësore që Shqipëria të rrisë ritmin e reformave. Nisja e negociatave për grup kapitullin e parë nënkupton gjithmonë e më tepër monitorim rigoroz nga BE dhe shtet anëtare. Paketa e zgjerimit të 2024 të miratuar nga Komisioni Evropian ofron udhëzues të qartë për atë se çfarë duhet bërë në të gjithë sektorët. Kjo kërkon udhëheqje të fortë, mbështetje te gjerë ndërpartiake”.

Mbështetje për reformat e integrimit kanë dhënë edhe përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës.

Në raportin e progresit të publikuar javën e shkuar BE theksonte se Shqipëria synon që negociatat e integrimit t’i mbyllë brenda vitit 2027.

Tv Klan