16 vjet pas firmosjes së marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Shqipëria hapi negociatat me Bashkimin Europian.
Fundi i fillimit drejt unionit ky për Kryeministrin Rama që bëri realitet ëndrrën e kahershme të shqiptarëve ndër shekuj.
“Është e vështirë të besohet se kjo po ndodh, por mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Megjithatë të hiqnim dorë nuk na ka shkuar fare në mendje. Bashkimi Evropian është fati ynë. Sot unë jam I lumtur. Zemrat e njerëzve janë të lumtur. Asnjëherë nuk kisha menduar që në këtë ndërtesa do të shikoja kaq njerëz të lumtur. Ajo që kemi arritur deri tani është fundi i fillimit. Integrimi i Shqipërisë ne BE është për jetë a vdekje. Ne i vazhduam reformat tona edhe me më shumë këmbëngulje. Jemi vendi më i avancuar në rajon për sistemin e drejtësisë. Ne një ditë do të kemi sukses të arrijmë majën e malit dhe nuk do të jemi të detyruar të zbresim sërish”.
Hapja e dyerve të unionit për Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen është meritë e zbatimit të reformave dhe shtetit ligjor.
“Keni treguar këmbëngulje, keni patur besim tek procesi drejt BE-së, keni zbatuar shtetin ligjor, keni median e lirë, keni një shoqëri civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma dhe keni modernizuar ekonominë tuaj”.
Për komisionerin Oliver Varhelyi ndezja e dritës jeshile për Shqipërinë është një ditë drejt rrugëtimit të saj europian.
“Është një ditë historike për BE dhe Shqipërinë. Durimi strategjik është shpërblyer, ju përgëzoj për këtë sukses të arritur. Shqipëria vijon të përmbushë të gjitha kushtet, keni reformuar institucionet demokratike, sistemin gjyqësor, lufta kundër korrupsioni dhe krimit është për tu lavdëruar”.
Shefi I Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian Josep Borelli e cilësoi një hap të rëndësishëm drejt plotësimit të BE-së, duke vlerësuar drejtimin “pro” europian të Shqipërisë.
“Shqipëria duhet të mbështet nga BE për t’u përballur nga ndikime të vendeve të treta. Ju u përballët pak ditë më parë me një sulm kibernetik. Kjo ka ndodhur në shumë vende aleate”.
Kryeministri Rama: “Ne po luftojmë kundrejt një sulmi masiv kibernetik nga një vend armiqësor ndaj Bashkimit Europian dhe ndaj nesh gjithashtu, si anëtarë të përkushtuar të komunitetit euro-atlantik. Sistemi ynë po reziston dhe ne po e zmbrapsim armikun duke sjellë shërbimet tona digjitale në orët vijuese”.
Kryeministri Rama foli për një hapësirë të shtuar që tha se dikton të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në union, teksa ju referua nismës së “Ballkanit të Hapur”.
“BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian. Tani e tutje nuk do të jenë vetëm 2, por 4 nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor për të negociuar hyrjen e tyre në Bashkim”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Komisioneri për Zgjerimin ndonëse nuk foli për një afat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, u kujdes t’i tregonte Kryeministrit Rama detyrat që duhej të përmbushte Shqipëria.
“Sot pasdite do nisim procesin screening dhe kjo do të lejojë vlerësimin e të gjitha çështjeve që do adresohen nga negociatat. Por sigurisht na duhet konsensus mbarëkombëtar sepse në këtë rrugëtim na duhen të tërë për t’i bërë këto negociata gjithëpërfshirëse e shteruese”.
Kryereforma tha se është ajo në drejtësi, ku padyshim BE kërkon që t’i shkohet deri në fund ndjekjes penale të gjyqtarëve e prokurorëve që dolën jashtë sistemit pas procesit të Vettingut.
Eurokomisioneri Varhelyi: “Kapitulli i parë që do të hapet e do mbyllet është shteti ligjor dhe dukshëm gjendja e gjyqësorit do diskutohet, ju konfirmoj se ne s’do sprapsemi në kërkesat tona dhe duhet të ketë prova për rastet që duhen zgjidhur dhe ato duhen zgjidhur”.
Kryeministri Rama: “Kërkesa për të hapur procese dhe ndëshkuar gjykatës e prokurorë që janë përjashtuar nga Vettingu për pasuri marramendëse është kërkesë e kahershme e BE dhe është e natyrshme e BE që është në sinkron të plotë me popullin shqiptar që e mbështeti fuqimisht Reformën në Drejtësi”.
Hapja e negociatave për Shqipërinë vjen 8 vite pas marrjes së statusit të vendit kandidat.
***
-Presidentja e KE Ursula Von Der Leyen, Kryeministri shqiptar Edi Rama, Kryeministri maqedonas Kovaçevski dhe Kryeministri i Çekisë Petr Fiala u takuan në orën 08:30 në Bruksel.
-Në orën 09:00, 4 liderët mbajtën deklaratë për mediat. Ursula Von Der Leyen vlerësoi punën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, benefiti i parë që do të përfitojë menjëherë Shqipëria do të jetë përfshirja në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, ndërsa Maqedonia e Veriut do të ketë prezencë të FRONTEX në kufi.
-Në orën 11:45 nisi Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave për anëtarësim të vendit tonë në BE.
-Në orën 16:30 pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare u mbajt takimi i shqyrtimit analitik të legjislacionit, ose siç njihet ndryshe procesi “screening”. Të pranishëm ishin Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, Kryenegociatori Zef Mazi dhe eurokomisioneri Oliver Varhelyi.
Varlhelyi zbulon çështjet BE-Shqipëri
Takimet formale të hapjes se negociatave për anëtarësim në BE u mbyllen me një tryezë për shqyrtimin analitik të legjislacionit. Komisioneri Europian për Zgjerim, Oliver Varhelji zbuloi pikat ku do të bazohet puna fillestare pas hapjes së negociatave.
“Shqyrtimi do na ndihmojë për çështje që kanë rëndësi për njerëzit në jetën e përditshme. Do prekim çështje të ditës, cilësinë e ajrit, ushqimit, ujit, kapacitetin e sektorit shëndetësor, mbrojtjen e të dhënave personale. Procesi i anëtarësimit është transformues dhe një kuptim i përbashkët. E gjitha kjo do të vijojë në rrugë e sipër. Do të kemi investime në tregti siç është transporti që do të ketë mundësi të reja për bizneset. Procesi i anëtarësimit do të shihet dhe si program reforme.
Ndërsa Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka tregoi ku do të mbështet procesi i shqyrtimit.
“E dimë se na pret një proces shumë kërkues dhe sfidues. Ne jemi gati. Vendosmëria jonë është e palëkundur. Jemi të vetëdijshëm se mbetet shumë për të bërë. Por hapja formale e negociatave rikthen besueshmërisë në procesin e integrimit në BE”.
Kryenegociatori Zef Mazi bëri të qartë se rrugëtimi drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE do të jetë i gjatë.
“Ajo çka na pret është kërkuese. Skuadra jonë është e përbërë me 30 negociatorë. Do të shihen të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nivelet sociale të vendit. Këto janë thelbësore sa i përket kontributit që i duhen dhënë shoqërisë. Shumë prej ligjeve europiane do jenë në nivel lokal”.
Detyrat e lëna nga Komisioni Europian në këtë takim të parë teknik do të verifikohen gjatë 3 mujorit të parë të vitit 2023.
Tv Klan
30 negociatorë shqiptarë për “screening” me BE-në, Mazi: Procesi do të jetë i gjatë, i komplikuar dhe i vështirë
Kryenegociatori i Shqipërisë me BE-në, Zef Mazi, gjatë takimit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, pra procesit screening, ka thënë se ky proces do të jetë i gjatë, i komplikuar dhe i vështirë.
“Së pari ky proces do të jetë i gjatë, i komplikuar, i zgjatur, i vështirë dhe rruga përpara nesh do të jetë tatëpjetë. Do të jetë diçka shumë kërkuese për ne, që ne, të vazhdojmë, të punojmë dhe të punojmë fort. Nuk është e lehtë dhe nuk është e thënë. Fati i çështjeve europiane ka të bëjë shumë me vendin tim. Çfarë ndodh në Europë ka shumë rëndësi. Shanset janë me rrezikshmëri të lartë dhe duhet të kemi një përqasje strategjike qoftë edhe për zgjerimin, siç e demonstruat vetë sot”, u shpreh Mazi.
Kryenegociatori Mazi tha se ekipi shqiptar do të jetë i përbërë nga 30 negociatorë për të shqyrtuar 33 kapitujt. Sipas Mazit, qeveria shqiptare e di shumë mirë që këto bisedime do të zgjaten paksa.
“Qeveria shqiptare ka bërë një konceptim të ri të strukturave për integrimin europian dhe e di shumë mirë që këto negociata, ose këto bisedime më saktë, do të zgjaten paksa. Besoj kjo do të mbështetet në mënyrën më të mirë të koordinimit në mënyrë që të jemi në gjendje të dorëzojmë një unë të mirë të këtyre bisedimeve me atë çfarë fillon pas shtatorit. E pashë kalendarin dhe e pashë çfarë na pret ne. Është diçka tej mase shumë kërkuese. Skuadra jonë është e përbërë prej 30 negociatorësh që do të përmbajë 33 kapitujt. Kjo ka të bëjë me zhvillimin në bazë të nivelit të ekspertëve për të parë të gjithë pëgjegjësinë dhe llogaridhënien që ata do të kenë. Sigurisht që kjo do të zbatohet duke parë të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nivelet social-ekonomike të vendit. Progres është bërë me platformën që është ngritur”, u shpreh Mazi.
Hapja e negociatave, Xhaçka: Na pret një proces shumë kërkues dhe sfidues, jemi gati
Në takimin mbi shqyrtimin analitik të legjislacionit (screening), pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare, Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka shprehu mirënjohjen për Komisionin për mbështetjen dhe angazhimin gjatë gjithë këtij procesi. Ajo po ashtu përgëzoi edhe RMV për suksesin që ka arritur në këtë proces, siç tha, shumë të vështirë. Ministrja u shpreh e vetëdijshme se procesi që na pret përpara është shumë kërkues e sfidues, por tha se Shqipëria është gati.
“Anëtarësimi në BE ka qenë një nga objektivat strategjikë më të rëndësishëm të Shqipërisë demokratike që nga ndryshimi i regjimit 30 vjet më parë. Ai mbetet një objektiv që gëzon mbështetje masive nga populli ynë. Ka qenë forca shtytëse e transformimit të vendit tonë, frymëzimi dhe motivimi për ndryshimin dramatik dhe ndonjëherë edhe të dhimbshëm që ka pësuar Shqipëria këto 3 dekadat e fundit. Ky proces transformimi, modernizimi dhe evropianizimi me të vërtetë nuk ka lënë gur pa lëvizur. Ajo ka ndikuar në çdo aspekt të jetës në Shqipëri dhe kjo është arsyeja që ne kemi një delegacion kaq të madh të pranishëm këtu, të përbërë nga përfaqësues të qeverisë, përgjegjës për të gjitha grupet dhe kapitujt negociues”, tha Ministrja në fjalën e saj.
Sa i përket përmbajtjes së procesit të shqyrtimit, ajo preku shkurtimisht disa çështje.
“Me Komisionin kemi zhvilluar tashmë një proces të gjatë takimesh shpjeguese. Diskutimi i kapitujve në këto takime ka rezultuar shumë i dobishëm për përpjekjet tona për të bërë përparim të mëtejshëm në rishikimin e kapitujve dhe për t’u përgatitur për negociatat e anëtarësimit. Prezantimet e takimeve shpjeguese, së bashku me rekomandimet e institucioneve të Stabilizim Asociimit dhe të raporteve të Komisionit, kanë qenë udhërrëfyesi ynë: 1- Së pari, për planin tonë të transpozimit – Planin Kombëtar për Integrimin Evropian; 2- Së dyti, për përgatitjet tona për shqyrtimin analitik dypalësh – institucionet tona kanë kryer një analizë të plotë ligjore dhe administrative për çdo kapitull, me qëllim përgatitjen e prezantimeve tona se ku ndodhet Shqipëria me transpozimin dhe zbatimin e acquis; 3- Së treti, për përpjekjet tona për të forcuar kapacitetet administrative, duke synuar të kemi të gjitha strukturat për zhvillimin e negociatave tona të anëtarësimit”.
Xhaçka tha se hapja formale e negociatave rikthen besueshmërisë në procesin e integrimit në BE.
“Ndaj, edhe pse e dimë se na pret një proces shumë kërkues dhe sfidues, ne jemi gati, vendosmëria jonë është e palëkundur dhe kemi punuar shumë. Në kontekstin e metodologjisë së re, për shembull, që vendos reformat themelore në qendër të negociatave të anëtarësimit, ne kemi zbatuar një reformë të paprecedentë në drejtësi që ka luajtur tashmë një rol kyç në luftën kundër korrupsionit. E dimë se na pret një proces shumë kërkues dhe sfidues. Ne jemi gati. Vendosmëria jonë është e palëkundur. Jemi të vetëdijshëm se mbetet shumë për të bërë. Por hapja formale e negociatave rikthen besueshmërisë në procesin e integrimit në BE”.
Njehsimi i legjislacionit me BE-në, Varhelyi: Procesi i anëtarësimit duhet të shihet si një program reformash ambicioze
Pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare, në Bruksel mbahet edhe takimi mbi shqyrtimin analitik të legjislacionit, ose siç njihet ndryshe procesi “screening”.
Eurokomisioneri Oliver Varhelyi u shpreh se ky proces është hapi i parë i procesit të anëtarësimit në BE. Gjatë fjalës së tij, Varhelyi u falenderoi Shqipërinë për progresin që ka bërë. Po ashtu, Varhelyi u shpreh se pas procesit “screening” do të ketë një raport shqyrtimi dhe do të informohet Këshilli Europian.
“Procesi i shqyrtimit është jo vetëm një ushtrim praktik mes të gjithë anëtarëve të administratës publike, por ka të bëjë shumë me legjislacionin. Ju do ta keni mbështetjen tonë për këtë qëllim”, u shpreh Varhelyi.
Sipas Varhelyi-t procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është transformues.
“Procesi i anëtarësimit është proces transformues dhe ju vetë e thatë sot, por është gjithashtu për të patur një kuptim të përbashkët. Do të ketë mundësi të reja për biznesin dhe këtë do brezi i ri. Procesi i anëtarësimit duhet të shihet si një program reformash ambicioze. Suksesi varet nga puna e përbashkët që duhet të bazohet në analiza të qarta”, u shpreh eurokomisioneri.
Në fund, Varhelyi uroi që ky proces të jetë sa më i shpejtë dhe raportet e para të “screening” të jepen në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm.
“Le të fillojë ky proces. Më lejoni t’ju uroj punë të mbarë dhe gjithashtu, t’ju uroj një punë të shpejtë dhe shpresoj që mund të fillojmë me dhënien e raporteve të para të shqyrtimit në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm”, u shpreh Varhelyi.
Sot u hapën negociatat, por kur anëtarësohet Shqipëria në BE? Përgjigjet eurokomisioneri
Shqipëria hapi sot zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.
Por kur do të ndodhë anëtarësimi i plotë dhe përfundimtar i Shqipërisë në BE? Eurokomisioneri Oliver Varhelyi i dha përgjigje kësaj pyetje të gazetarëve, duke thënë se kjo gjë varet edhe nga puna e Shqipërisë.
Sa më shpejt që vendi ynë të plotësojë kriteret, atëherë anëtarësimi do të ndodhë.
“Parashikimi kohor është në njëfarë mënyre përtypja e zakonshme e gazetarisë, nuk dua të fyej dikë, por ka një pyetje që mendoj dhe ka kuptim. Kjo pyetje është sa herë që Shqipëria do të jetë ose është gati dhe sa herë që shohim që mund të ecim më shpejt, ne do të lëvizim më shpejt. Komisioni do të bëjë propozimet sa më shpejt të jetë e mundur që kjo të ndodh, sa më shpejt që të mundemi”, u shpreh eurokomisioneri Varhelyi.
Rama: Kërkesë e BE-së hapja e proceseve për të ndëshkuar gjykatës dhe prokurorë të përjashtuar nga vettingu
Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Jan Lipavský, gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka e ka pyetur Kryeministrin Edi Rama se a do të bëhen hetime të thelluara për gjyqtarët dhe prokurorët të cilët nuk e justifikojnë pasurinë e tyre.
Edi Rama: Kërkesa për të hapur procese dhe për ndëshkuar gjykatës dhe prokurorë që janë përjashtuar nga vettingu është një kërkesë e BE dhe është një kërkesë e natyrshme e BE që në këtë rast është në sinkron të plotë me kërkesën e popullit që e mbështeti reformën në drejtësi. Një nga momentet e radha kur shqiptarët tejkaluan partitë dhe mbështetën reformën duke kërkuar përmes vettingut të shkojnë në ndëshkim të të gjithë atyre që e kishin kthyer në pazar sistemin e drejtësisë. Besoj se tanimë e kam mësuar si funksionon BE, Komisioni Evropian dhe se si çdo gjë e shkruar është pjesë e memories së Komisionit dhe çfarë thuhet sot nuk harrohet nesër.
Negociatat për anëtarësim janë në vetvete një instrument transformimi, arsyeja pse i kemi kërkuar ka të bëjë me objektivin për të shkuar në anëtarësim të plotë, por ka të bëjë me faktin që negociatat janë një trasformim, dije që nuk e dëgjon në asnjë realitet tjetër. Komisoneri e nënvizoi që çdo hap me negociatat, duke nisur nga çdo kërkesë përbën një vlerë të shtuar dhe përbën një mundësi të re për të çuar para gjithë aspektet e jetës së vendit.
Këtë pyetje, gazetarja e Tv Klan ia drejtoi edhe Komisonerit të Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi.
Elja Zotka: A do të kërkojë BE të ketë hetime të thelluara për ata që ikën nga sistemi i drejtësisë për shkak se ishin të korruptuar?
Olivér Várhelyi: Sipas metodologjisë së re, klasteri i parë që do të hapet është shteti ligjor, do të fillojmë të punojmë me shtetin ligjor dhe gjendja e gjyqësorit do të diskutohet. Ne nuk kemi për t’u sprapsur në kërkesat tona. Duhet të ketë prova që ka raste që duhen zgjidhur dhe këto duhen zgjidhur.
Varhelyi: Sot pasdite nis procesi screening, negociatat do kenë ndikim madhor pozitiv për shqiptarët
Pas mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE që shënoi hapjen zyrtarisht të negociatave të Shqipërisë, eurokomisioneri Oliver Varhelyi doli në një konferencë shtypi me Kryeministrin Edi Rama.
Varhelyi u shpreh se që sot pasdite do të fillojë puna për rrugën drejt anëtarësimit. Dhe ky është procesi i quajtur “screening”.
Eurokomisioneri theksoi se negociatat nënkuptojnë ndryshime të mëdha për qytetarët shqiptarë me natyrë pozitive.
“8 vite pas statusit të vendit kandidat, sot shënohet fillimi i një rrugëtimi të ri. Mesazhi im drejt qytetarëve të Shqipërisë është shumë i thjeshtë. Duam që ju të jeni pjesë e familjes europiane dhe kjo as që diskutohet. Takimi i sotëm dërgon një sinjal të fuqishëm. Nga sot e tutje do injektojmë më shumë besueshmëri. Në këtë rrugëtim Shqipëria mund të mbështetet dhe t’i besojë komisionit dhe roli ynë është që Shqipëria të jetë e mirëpërgatitur për anëtarësim.
Sot pasdite do nisi procesin screening që është hapi i parë. Kjo do lejojë njehsimin e çështjeve madhore që duhet të adresohen gjatë negociatave. Jam besimplotë se Shqipëria është e vendosur t’i bashkohet BE dhe të punojë fort për këtë siç ka bërë dhe siç ka bërë edhe pas vendimit të vitit 2020 për të krijuar mendësinë e hapjes së negociatave. Në këtë rrugëtim na duhen të gjithë për t’i bërë këto negociate. Negociatat kanë natyrë transformuese dhe do ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve shqiptarë, do ketë ndikim madhor pozitiv te shoqëria, ekonomia. Gjithsecili duhet të punojë për këtë. Rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE sapo ka nisur”, u shpreh Varhelyi.
Video/ “Momenti nisi tani”, çasti historik që Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat me BE-në
“Vetë lufta drejt lartësive mjafton për të mbushur zemrën e njeriut. Kjo është gjithashtu arsyeja përse Kamy sugjeron se duhet të imagjinojmë Sizifin të lumtur. Sot unë jam i lumtur, zemrat e njerëzve që përfaqësoj janë të mbushura me lumturi. Asnjëherë nuk e mendoja të gjeja lumturi në këtë ndërtesë. Ato janë të mbushura me një vendosmëri të re për të vazhduar rrokullisjen e gurëve të integrimit europian deri në majën e kodrës dhe ata janë gjithashtu të mbushur me shpresë. Shpresë se për një herë miti dhe politika do të copëtohen. Shpresa se për një herë realiteti i ngjitjes tonë dhe fati i Sizifit do të jetë ndryshe se një ditë do të kemi sukses të arrijmë majën e malit e të mos jemi më të detyruar të rrokullisemi prapa. Ndoshta ka pasur një gjë që miti i Sizifit nuk na e ka thënë kurrë që ai vend në majë të malit quhet shtëpi dhe është vendi ku ne kishim përkitur gjithmonë në Bashkimin Europian, në familjen europiane”.
Me këto fjalë Kryeministri Edi Rama mbylli fjalimin e tij në Bruksel gjatë Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Bashkimit Europian me Shqipërinë.
Pjesëmarrësit duartrokitën fjalimin e Kryeministrit të Shqipërisë.
Ndërsa drejtuesi i kësaj konference tha se ky është pikërisht momenti zyrtar i çeljes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Momenti nis tani”, tha ai, duke shënuar një çast historik për Shqipërinë.
Rama: Integrimi i plotë në Europë është për Shqipërinë një çështje për jetë a vdekje
Ka nisur Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri – BE që shënon kështu edhe çeljen e negociatave për Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se çështja e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, është për Shqipërinë një çështje për jetë a vdekje.
Edi Rama: Është shumë e vështirë të besohet se kjo po ndodh, por mjaft kohë ne luftuam kundër besimit se nuk do të ndodhte fare. Të hiqnim dorë nuk na ka shkuar kurrë në mendje. Ka një besim që i mbijeton të gjitha mosmarrëveshjeve tona. Nuk ka rrugë tjetër vec BE. Është sfida jonë, është misioni ynë, është fati ynë. Për shekuj na është dashur të jetojmë nën regjime që nuk i kemi zgjedhur. Ne zgjodhëm t’i japim gjithçka Europës sepse besojmë në këtë hapësirë paqeje, por edhe sepse frymëzon një mënyrë tjetër të të menduarit në përkatësinë që shkëputet njëherë e përgjithmonë me të kaluarën.
Europa është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër. Dua filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit e bëjnë realitetin një vend më të mirë. Ajo që kemi arritur deri tani është fundi i fillimit.
Rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Mes punës së palodhur, premtimeve të pambajtura, si një histori e rrukollisjes së një guri në një kodër ashtu si në mitin e Sizifit. Ne vazhduam të ecnim duke mos e humbur besimin tonë. Integrimi i plotë në Europë është për Shqipërinë një çështje për jetë a vdekje. Kjo është arsyeja që edhe pse u shtymë padrejtësisht për 3 vite me radhë, ne duruam.
Reforma në drejtësi kaloi në fazën e zbatimit. Këto vite kanë qenë shumë sfiduese. Shkatërruam pallatin e vjetër të drejtësisë së korruptuar. Nëse do të kishit pyetur më përpara dikë në Shqipëri për të parë një politikan pas hekurave, do të kishin qeshur me ju. Askush nuk është imun para drejtësisë. Si kurrë më parë, një gjyqësor vërtetë i pavarur dhe drejtësia e vërtetë tani janë të mundshme. Qëndroj si lideri që nuk kam mbrojtur askënd nga shigjeta e drejtësisë dhe nuk kam përdorur shigjetën për të ndryshuar drejtësinë në favor të dikujt. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Shumë hije të së shkuarës vazhdojnë, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu.
Ne do vazhdojmë të investojmë në ndërlidhjen kombëtare dhe rajonale. Nga ana tjetër duam të bëhemi kampionë rajonalë të epokës dixhitale. Teksa flasim, po luftojmë kundrejt një sulmi masiv kibernetik ndaj një vendi armiqësor ndaj BE dhe ndaj nesh gjithashtu, por sistemi ynë po reziston duke sjellë shërbimet tona dixhitale në orët vijues.
Fillimet e bisedimeve me BE e shohim si një fillim të ri edhe në vend.
Sot unë jam i lumtur, zemrat e njerëzve që përfaqësoj janë të mbushur me lumturi, asnjëherë nuk mendoja të gjeja lumturi në këtë ndërtesë, janë të mbushura me vendosmëri të re për të vazhduar rrokullisjen e gurëve të BE dhe të mbushura me shpresë miti dhe politika do copëtohen. Se një ditë do kemi sukses të arrijmë majën e malit dhe mos jemi të detyruar të rrokullisemi mbrapa. Ai vend në majë të malit quhet shtëpi dhe është vendi që ne i përkasim gjithmonë, në familjen evropiane.
Konferenca Ndërqeveritare me BE/ Varhelyi: Negociatat kërkojnë vullnet të fortë politik
Eurokomisioneri Oliver Varhelyi thotë se dita e sotme që shënon çeljen zyrtare të negociatave të Shqipërisë me BE-në është një ditë historike për Brukselin dhe për vetë Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Parë Ndërqeveritare, Varhelyi theksoi se procesi i negociatave do të kërkojë vullnet të fortë politik dhe do të ndryshojë shumë aspekte të shoqërisë shqiptare.
“Ky është çast dhe ditë historik për BE-në dhe Shqipërinë. Në emër të KE dua t’ju përgëzoj z. Kryeministër dhe ekipin tuaj për këtë sukses të arritur. Është një njohje e merituar e gjithë progresit të bërë. Shqipëria vijon të përmbushë të gjitha hapat. Është vendimtare që Shqipëria të mbetet e zotuar ndaj këtij procesi. Sundimi i ligjit, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, krimit të korrupsionit, të drejtat e pakicave dhe liria e shprehjes. Jemi të gatshëm të mbështesim.
Negociatat do të kërkojnë vullnet të fortë politik, drejtim dhe mençuri në drejtimin e punëve, koordinim mes institucioneve dhe mbarë administratës tuaj. Përgatitemi për anëtarësim do injektojnë ndryshim në shumë aspekte të shoqërisë së Shqipërisë. Do ishte thelbësore të komunikojmë rregullisht me publikun e gjerë. Komisioni do t’ju këshillojë në përballjen e të gjitha sfidave. Roli i komisionit është që të bëjë që ky proces të funksionojë”, u shpreh Varhelyi.
Konferenca ndërqeveritare, Borrell: Shqipëria ka harmonizim me politikat dhe sanksionet e BE
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në fjalën e tij gjatë konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel, shprehu entuziazmin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Ai reflektoi bashkëpunimin e Shqipërisë në politikën e jashtme, teksa evidentoi edhe vështirësitë që është përballur vendi si aleate e vendeve europiane për shkak të sanksioneve nga Rusia. Borrell përgëzoi harmonizimin e Shqipërisë ndaj politikave të BE, ndërsa shprehu se marrëdhënia e ndërmjetme bazohet në vlera e parime.
“Besoj se për të gjithë ne sot shenjon një arritje të madhe dhe një rezultat i shumë viteve punë. Duke filluar procesin e negociatave Shqipëria do të bëhet anëtar i BE dhe me këtë Shqipëri, BE po merr një hap të rëndësishëm drejt plotësimit të vet. Ballkani Perëndimor është tej mase i rëndësishëm për Bashkimin Europian dhe ky është një moment në të cilin kjo rëndësi po tregohet. E rëndësishme për Shqipërinë, për të gjithë rajonin dhe për BR në tërësi. Në këtë fazë të re Shqipëria do të ketë avantazhet e mundësive për të shpejtuar reformat sa më afër BE, duke ndërtuar mbi punën e rëndësishme që është bërë në vitet e mëparshme dhe duke e pasuruar standardin e BE nëpërmjet këtij procesi, duke rikrijuar dhe duke risjellë shoqërinë shqiptare dhe duke sjellë përfitime edhe për shoqërinë shqiptare.
Për sa i përket aspekteve të politikës së jashtme dhe sigurisë dhe harmonizimi juaj me politikat e BE dhe vendimmarrjen tuaj, ashtu si puna juaj dhe bashkëpunimi që keni në Këshillin e Sigurisë në OKB reflekton drejtimin e duhur strategjik që keni zgjedhur. E dimë që kjo vjen edhe me një çmim të lartë dhe pjesë e këtij çmimi të lartë është që jeni pjesë tashmë e një liste të disa vendeve të padëshirueshme, por duke qenë pjesë e komunitetit më miqësor në botë që është BE. Siç e kemi thënë edhe në takimet tona, me të gjithë liderët në Qershor të Ballkanit Perëndimor, ju keni plotësisht harmonizimin 100% me politikat dhe sanksionet që ka vendosur BE dhe ky nuk është një ushtrim teknik.
Në këto kohë jo politikisht të paqarta asgjë nuk është më e qartë se një politikë e jashtme e tillë, është një politikë që vlerësohet nga ne, marrëdhëniet tona nuk janë thjesht një transaksion interesi, por një marrëdhënie në bazë të vlerave, parimeve dhe qëllimeve që kemi. Më duhet të them se Shqipëria do të mbështetet nga BE për t’u përballur me ndikimet armiqësore të vendeve të treta dhe për të ngritur pikërisht qëndrueshmërinë e vet në proceset që janë pjesë e agresionit rus. E dimë se sa e vështirë ka qenë ju zoti kryeministër që të përballeni me pasojat e luftës për sa i përket çmimeve të energjisë e ushqimeve. Dhe për më tepër disa ditë më parë qeveria shqiptare u shënjestrua nga një sulm i madh kibernetik, vetëm javën e kaluar pamë pikërisht një veprim për t’u përballur me këtë rrezik në të gjithë Ballkanin Perëndimor me të gjithë partnerët tanë,veçanërisht për ata që janë shumë afër nesh në politikën me çështjet e jashtme.
Shqipëria gjithashtu ka qenë një zë moderues në një rajon të kompleksuar duke ndihmuar edhe në dialogun Beograd-Prishtinë dhe vazhdoj të mbështetem tek ju për këtë. Shqipëria ka dhënë një shembull për fqinjësinë e mirë dhe ky rol do jetë edhe më i rëndësishëm teksa vazhdoni rrugën drejt anëtaësimit në BE. Mezi pres të vazhdoj të punoj mbi rrugën tonë europiane të përbashkët sepse ne kemi nevojë për ju, ne kemi nevojë për Shqipërinë në mënyrë që të plotësojmë të gjithë kuadrin e BE. Kemi nevojë për njëri-tjerin sepse do të jemi më të fortë bashkë”.
Ora 11:45 – Nis Konferenca e Parë Ndërqeveritare në Bruksel mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë
Ka nisur në Bruksel Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim për vendin tonë.
Rama deklaratë për mediat shqiptare para nisjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje, vazhdon kjo ditë e shumëpritur me mbledhjen për dorëzimin e kornizës negociatore dhe fillimin drejtpërdrejt të punës me negociatat formale. Ajo që ka shumë rëndësi të thuhet sot është që ndërkohë siç e kemi thënë më parë ne nuk kemi humbur kohë, nuk kemi pritur që të fillojmë normalisht negociatat për të shkuar më tutje njësoj sikur negociatat të ishin hapur dhe kjo është arsyeja që sot Shqipëria hyn në katërshen e vendeve të Ballkanit Perëndimor që negociojnë për anëtarësim, por në aspektin më të rëndësishëm të këtij procesi që është rendi ligjor dhe drejtësia jemi në pararojë të të gjithëve.
Ursula von der Leyen: Shqipëria hap sot negociatat me BE, do t’i bashkohet mbrojtjes civile europiane
Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ka përgëzuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për procesin e hapjes së negociatave ditën e sotme.
Në një deklaratë për mediat nga Brukseli së bashku me Kryeministrin Edi Rama, atë maqedonas Kovaçevski dhe me Kryeministrin e Çekisë si vend që ka Presidencën e radhës së BE, tha se përfitimet pas këtij momenti do të jenë të menjëhershme.
Gjëja e parë që do të përfitojë Shqipëria me hapjen e negociatave do të jetë përfshirja e Shqipërisë në Mekanizmin Europian të Emergjencave Civile për t’u përballur me zjarret apo fatkeqësi të tjera natyrore.
“Çfarë momenti historik. Sot Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po hapin negociata me BE dhe jam shumë e lumtur të jem këtu me ju. Ky është sukses i juaji dhe i qytetarëve tuaj. Keni median e lirë, keni një shoqëri civile të gjallë dhe keni bërë shumë reforma dhe keni modernizuar ekonominë tuaj. I keni bërë të gjitha këto ndryshime jo vetëm ku janë të detyrueshme por për të gjitha sepse këto janë të mira për vendin tuaj. Ne si KE ju kemi mbështetur gjatë gjithë rrugës.
Pas Konferencës Ndërqeveritare sot, KE dhe ekipet negociues do fillojnë punën sot dhe shqyrtimi do të jetë hapi i hapë do bëjë të mundur që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të dinë detyrimet mbi traktatet, mbi të gjitha marrëveshjet evropiane.
Pika e 2 është që do vazhdojmë të jemi më afër në fusha kyçe. Për shembull, Shqipëria do bashkohet me mbrojtjen civile europiane dhe kjo do rrisë përballjen që Shqipëria duhet të ketë mbi emergjencat civile, tërmetet apo aspekte të tjera të dëmeve të tjera. BE do të jetë aty dhe do mbështesë sa herë do ketë shkaqe të tilla. Maqedonia e Veriut do shqyrtojë me ne marrëveshjen e FRONTEX.
Dhe pika e tretë është që përfitimet do vijnë teksa ju do keni rrugën drejt BE. Do ketë rritje të investimeve, do ketë bashkëpunime në fusha kyçe. Do maksimizoni impaktin e fondeve të BE, punësime të reja, mundësi të reja dhe pikërisht për këtë gjë kanë pritur kaq gjatë qytetarëve tuaj.
Do t’u drejtohem personalisht, ju keni treguar kaq shumë lidership, vizion, keni treguar durim strategjik me sasi të mëdha, në këto kohë me sfida të mëdha të sulmit brutal rus ju keni treguar bashkëpunimin tuaj me vlerat evropiane”, tha Presidentja e KE-së.
Rama nga Brukseli: Faleminderit popullit shqiptar i cili kurrë nuk u dorëzua. Duhet të ndërtojmë një Shqipëri Europiane
Në një deklaratë të përbashkët shtypi me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Kryeministrin e Çekisë Petr Fjala, dhe Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i vendit Edi Rama ka falenderuar të gjithë që ishin pjesë e rrugëtimit drejt hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Edi Rama: Do të ia nisja me falenderime dhe padyshim që dua të falenderoj së pari dhe kryesisht Presidenten e Komisonit Europian, Zonjën Ursula, e cila e dinte se si të bëhej një prani gjermano-ballkanike në këtë ndërtesë dhe të luftonte për të dy ne, për Ballkanin dhe BE. Dhe dua të falenderoj një tjetër zonjë gjermane, Angela Merkel, e cila ka ditëlindjen dhe do të doja të i uroja gjithë të mirat dhe ndërkohë s’do të ishin këtu pa përpjekjet e presidencës franceze dhe ekipit të tij që kanë punuar pareshtuar dhe të palodhur që të mbërrinim në përfundimin final francez i cili shtroi rrugën për zhbllokimin e një situate absurde. Shumë faleminderit popullit shqiptar i cili kurrë nuk u dorëzua dhe nuk reshti së ëndërruari ndjekjen e rrugëtimin evropian dhe falë të cilit ne qëndruam në këmbë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka deklaruar se duhet të ndërtojmë një Shqipëri Europiane, të fortë dhe një Ballkan të Hapur dhe demokratik.
Edi Rama: Ne e dimë që ky nuk është fillimi i fundit por është fundi i fillimit, situata është kështu siç është dhe ne thjesht na duhet të ngrejmë të ndërtojmë një Shqipëri Europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të hapur dhe demokratik.
Kryeministri i Çekisë: Shqipëria e Maqedonia e Veriut të anëtarësohen sa më shpejt në BE
Kryeministri i Çekisë Petr Fiala ka shprehur mbështetjen për rrugëtimin drejt BE-së të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në deklaratën për media nga Brukseli së bashku me Ursula Von Der Leyen, Ramën dhe Kovaçevskin, Petr Fiala tha se Ballkani Perëndimor duhet të jetë brenda BE-së.
Ai vlerësoi edhe punën e Presidencës franceze të BE-së që i dha zgjidhje ngërçit të vetos bullgare, duke hapur rrugën e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Në emër të Presidencës çeke, Këshilli i BE i uroj të dy vendeve, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për këtë gur kilometrik. Ne do të jemi më të fortë nga zgjedhja juaj që është testuar tashmë shumë herë. Duke patur parasysh agresionin rus ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj për të patur të njëjtën politikë sigurie me BE-në. Në Europën e sotme ne duhet të jemi bashkë. Çekia e ka mbështetur anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë të jetë e tillë. Ne kemi nderin që një progres i tillë ndodh gjatë Presidencës tonë. Megjithatë, ne duhet të falenderojmë edhe Presidencën franceze për punën e tyre dhe dedikimin që na solli në këtë moment historik. Republika Çeke dhe e gjithë Europa qendrore e dinë shumë mirë rëndësinë e integrimitn evropian për demokracitë tona, zhvillimin ekonomik. E ardhmja e Bashkimit Europian është brenda BE-së. Ju uroj pikërisht anëtarësimin sa më të shpejtë në familjen evropiane”, deklaroi Kryeministri i Republikës Çeke.
Kovaçevski: Jemi gati për BE-në, ky ka qenë qëllimi ynë për shumë vite
Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp së bashku me Kryeministrin e vendit Edi Rama, Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, Kryeministrin e Çekisë Petr Fjala, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski është shprehur se anëtarësimi i RMV-së në Bashkimin Europian ka qenë qëllimi i këtij shteti prej disa vitesh.
Dimitar Kovaçevski: Në mënyrë të sigurt, po i bashkohemi familjes së madhe evropiane. Ky ka qenë qëllimi ynë strategjik për shumë vite. Të njohim dhe pranojmë propozimin evropian që morëm, zgjedhja më e mirë e mundshme që respekton dhe është në përputhje me vijat e kuqe në disa kohë. Çdo gjë që është autentike e jonë, do të mbetet saktësisht ajo që është, autentikisht maqedonase në BE dhe BE do të jetë më i pasur dhe më i bashkuar në diversitetin e tij. Maqedonia e Veriut, si nga aspektet natyrore dhe ato të civilizimit. Ne e kemi thënë se jemi partner i BE dhe do të vijojmë të funksiojmë në këtë mënyrë.
Gjatë fjalës së tij, Kovaçevski është shprehur se Republika e Maqedonisë së Veriut është gati për Bashkimin Europian.
Dimitar Kovaçevski: Ne jemi gati për BE-në. Sinqerisht jam shumë i lumtur së bashku me qytetarët e Maqedonisë së Veriut për këtë mikëpritje të BE-së. Nëse mund të parashikojmë një datë fillimi, atëherë kjo padyshim do të jetë një ditë e shkëlqyer historike, një ditë që do të na bëjë krenarë, një ditë që do të ofrojë siguri në të ardhmen evropiane. Ju faleminderit dhe iu uroj të gjithëve suksese.
Hapja e negociatave/ Gazetarja e Tv Klan nga Brukseli: Në orën 11:00 mbahet tryeza e parë ndërqeveritare
Ora 08:30 – Takohen në Bruksel Von der Leyen-Rama-Kovaçeski-Petr Fiala
Ka nisur në Bruksel takimi mes Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, Kryeministrit shqiptar Edi Rama, atij maqedonas Kovaçevksi dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, vend që udhëheq Presidencën e BE-së.
Liderët do të diskutojnë dhe më pas do të ketë një konferencë të shkurtër për shtyp. Më pas delegacioni shqiptar do të ulet përballë atij të BE-së duke shënuar dhe nisjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Gazetarja e Tv Klan, Elja Zotka, ka mësuar se negociatat për Shqipërinë do të fillojnë me kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë përkatësisht me drejtësinë dhe çështjet ekonomike.
REDAKSIA TVKLAN.AL