Shqipëria do të përfaqësohet me kryeministrin Edi Rama në konferencën e tretë ndërqeveritare që mbahet sot dhe në samitin me liderët europianë që mbahet në Bruksel.

Vendi ynë do të hapë kapitullin e VI me BE-në, i cili përfshin politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Para takimit me kryeministrin Rama, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa tha se premtimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit nuk janë fjalë boshe.

Më 15 Tetor, Shqipëria hapi pesë kapitujt e parë të anëtarësimit që trajtojnë çështje themelore si Gjyqësori, të Drejtat Themelore, Drejtësia, Prokurimet, Statistikat, Siguria dhe Kontrolli Financiar.

Në këtë ritëm të shpejtë negociatash po vlerësohet roli i institucioneve të pavarura të drejtësisë si SPAK-u në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri Rama synon që procesi i negociatave të përfundojë në vitin 2027, në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Europian përpara vitit 2030.

Ndërkohë, ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian kanë miratuar konkluzionet e Këshillit për zgjerimin. Presidenca hungareze e BE-së njoftoi se ky është një sukses shumë i madh për zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përtej në vitet në vijim.

Ambasadorët miratuan në këtë takim paketën e zgjerimit të komisionit ku përfshihen progres-raportet për vendet kandidate, mes tyre është edhe Shqipëria.

Klan News