Shqipëria hap një tjetër kapitull të negociatave më 17 Dhjetor me Bashkimin Europian. Me propozimin e presidencës hungareze, 27 ambasadorët e vendeve të BE-së vendosën unanimisht për hapjen e kapitullit 6 për politikën e jashtme. Ky pritet të jetë grup-kapitulli që do të mbyllet më shpejt në negociata pasi Shqipëria e ka njehsuar plotësisht politikën e saj te jashtme me atë të BE-së, sidomos në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.

Të Martën, konferenca e tretë ndërqeveritare shënon një hap tjetër në rrugëtimin e Shqipërisë në procesin integrues. Po ashtu ambasadorët në takimin e fundit miratuan edhe draft-konkluzionet për vendin tonë,  ku vlerësohet në mënyrë të veçantë puna e SPAK-ut.

Shqipërisë i kërkohet që të përmirësojë historikun e saj në hetimet, duke vijuar me ndjekjet penale për zyrtarët e nivelit të lartë politik, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale. Në Tetor, Shqipëria e hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Hapja e kapitujve për vendin tone erdhi pas një pritjeje të gjatë, pasi kishim aplikuar për anëtarësim ne union më 2009 dhe statutin e vendit kandidat e morëm në 2014.

Kabineti Rama ka ambicien që procesi i negociatave të përfundojë deri në fund të vitit 2027, në mënyrë që deri në fund të kësaj dekade Shqipëria të bëhet anëtar me të drejta të plota i BE-së.

Klan News