Kryebashkiaku, Erion Veliaj ankimoi në Apelin e Posaçëm vendimin që la në fuqi vijimin masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tij në mungesë më 9 Shkurt dhe ekzekutuar më 10 Shkurt nga agjentët e BKH në Bashkinë e Tiranës.

Ankimi është dërguar përmes postës në sekretarinë GJKKO nga avokati i tij, Ermir Beta më 14 Shkurt, 2 ditë pasi Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e sigurisë.

Përmes kësaj kërkese, Veliaj kërkon një masë më të butë sigurie, kërkesë kjo që u bë edhe në seancën e vlerësimit të masës, ku u propozua dhe vendosja e një garancie pasurore, por gjykata nuk e pranoi atë.

Sipas SPAK kryebashkiaku ka konsumuar veprat penale “korrupsion pasiv”  të kryer në bashkëpunim në të paktën 9 raste dhe pastrim parash.

Krahas Veliajt në akuzë u vendos dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për të cilën GJKKO, ndryshoi masën nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë u rikonfirmuan masat për 6 biznesmenët, konkretisht “arrest me burg” për Elman Abule dhe “detyrim për t’u paraqitur” për 5 të tjerët.

Për 1 prej tyre, Sokol Kryeziun, ende nuk është ekzekutuar masa e sigurisë, pasi biznesmeni rezulton të jetë jashtë vendit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aktualisht po mbahet në ambientet e paraburgimit në Durrës, burg ku u dërgua 1 ditë pasi SPAK i relatoi faktet dhe provat në seancën për vlerësimin e masës.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, kryebashkiaku i ka cilësuar si të bazuara në fakte të fabrikuara.

Tv Klan