Kryebashkiaku i Tiranës, ErionVeliaj ka ankimuar në Apelin e Posaçëm masën e sigurisë “arrest me burg” caktuar ndaj tij më 9 Shkurt, pas dyshimeve se ka konsumuar veprat penale “Korrupsion Pasiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Ankimi është depozituar nga avokati i tij, Ermal Beta më 14 Shkurt, 2 ditë pasi Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi masën e sigurisë, caktuar nga gjyqtari Erjon Bani.

Përmes kësaj kërkese,Veliaj kërkon një masë më të butë sigurie, kërkesë kjo që u bë edhe në seancën e vlerësimit të masës, ku u propozua dhe vendosja e një garancie pasurore, por gjykata nuk e pranoi atë.

Kryebashkiaku u vu në pranga paraditen e 10 Shkurtit nga agjentë të BKH-së të cilët zbarkuan në ambjentet e Bashkisë së Tiranës.

Krahas Veliajt në akuzë nga SPAK, u vendos dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për të cilën Gjykata e Posaçme, ndryshoi masën nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje” dhe “ndalim për dalje jashtë shtetit”.

Ndërkohë në burg u la biznesmeni Elman Abule, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, që dyshohen nga SPAK për akuzën e korrupsionit, gjykata ka caktuar masën “detyrim për tu paraqitur”.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aktualisht po mbahet në ambjentet e paraburgimit në Durrës, burg ku u dërgua 1 ditë pasi SPAK i relatoi faktet dhe provat në seancë për vlerësimin e masës.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, kryebashkiaku jo vetëm që i ka mohuar, por i ka cilësuar si të fabrikuara nga prokuroria.

Klan News