#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Lenida Halilaj, Pastor Paulin Vilajeti, Edlira Durmishaj, Françeska Rustem, Xhensil Shkëmbi, Zhaklin Lekatari, Besar Bajraktaraj

Emisioni “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e kësaj të hëne fokusohet në një rast tragjik. Bëhet fjalë për vetëvrasjen e një vajze 16-vjeçare në qytetin e Gjirokastrës. Edhe pse një ngjarje mjaft tragjike, nuk arriti që të merrte vëmendjen e duhur për shkak të zhvillimeve të politikës. Sipas asaj që është bërë e ditur deri tani, arsyeja që shtyu 16-vjeçaren që t’i jepte fund jetës ishte pikërisht bullizimi në shkollë dhe përjashtimi nga rrethi shoqëror. Ajo kishte shkruar dhe një letër në gjuhën angleze që tregonte të gjitha përjetimet e saj, të cilat ndoshta nuk pati mundësi t’i shprehte me zë para dikujt.

“O Zot përse po vuaj”, Fevziu lexon i prekur ditarin e 16-vjeçares që i dha fund jetës

Një ngjarje e rëndë ndodhi para disa ditësh, kur një 16-vjeçare nga Gjirokastra i dha fund jetës në mënyrë tragjike. Pas këtij rasti, mediat publikuan pjesë nga ditari i vajzës. Ajo kishte shkruar në gjuhën angleze në mënyrë që të mos e kuptonin prindërit. Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu lexoi një pjesë nga shkrimet e vajzës.  

“O zot përse po vuaj kështu vallë? Unë jam kjo që jam. Dhe miqtë dhe shokët, kërkoj të më respektojnë. Por ata tallen me mua. Unë ndihem kaq e vetmuar dhe mbytur në vetminë time. Nuk më vjen turp për veshjen time se aq mundësi kanë prindërit e mi, babai im që kujdeset aq shumë për mua, sa edhe mami. Po përse u dashkam të jem kaq e veçuar? Ku të ankohem? Kujt t’i hapem për zemrën time? Te askush nuk kam besim. Madje as te psikologia, edhe pse jam hapur. Pse u dashka të vuaj? Vallë kjo është jeta?”, thuhej në letrën e saj.

Ndërkohë Blendi Fevziu u shpreh se është “kriminale” që një adoleshent ta trajtojë shokun apo shoqen me bullizëm për shkak të rrobave.

“Është një nga letrat më të trishtueshme që mund të lexosh. Një vajzë që vuan, ne e quajmë bullizëm sot, në kohën tonë, sharje, fyerje. Një vajzë që bie pre e bullizmit, e sharjeve të shokëve të saj, për çfarë arsyeje? Për rrobat. Për faktin që nuk ka mundësi të jetë ndoshta e veshur si të tjerët. Është kriminale që një adoleshent të mund ta trajtojë shokun apo shoqen në këtë mënyrë. Është e tmerrshme ajo që po ndodh dhe brezat që ne po sjellim dhe edukojmë”, tha Fevziu.

Në media u publikua fillimisht se vajza ishte 17 vjeçe, por mamaja e saj saktësoi në emisionin “Opinion” se ishte 16 vjeçe.

“U ngritëm të dyja bashkë, më tha…” nëna e 16-vjeçares rrëfen ditën e fundit të së bijës në Opinion

Ka folur për “Opinion” në Tv Klan këtë të Hënë, nëna e 16 vjeçares që i dha fund jetës disa ditë më parë në Gjirokastër. Mirela Muçollari tregon se e bija nuk i kishte shprehur kurrë asgjë për bullizmin në shkollë, por e vetmja ankesë ishte që “të ndërronte klasën”. Ajo ndan me detaje edhe ditën e fundit të saj, para se të ndërmerrte aktin e rëndë.

-Çfarë ka ndodhur?

Mirela Muçollari: E para, vajza ime ishte vetëm 16 vjeç, e kisha të urtë, të mirë, më të mirë se ç’duhej. Nuk e di, po shkonte në shkollë me dëshirë, kishte mendimet e saj për jetën. E donte shumë jetën! Donte shumë edhe shoqen e saj, që ishte ndarë nga klasa. Në fillim nuk na e shprehu, por kohët e fundit ndihej e vetmuar që e kishin ndarë nga shoqja se ajo ishte në klasë tjetër. Për shkak të gjuhës së parë që kishin, ishin në klasa të ndryshme. Para ca ditësh, më tha se a mund ta ndërronte klasën, se nuk ndihej mirë aty.

-Po pse, apo nuk fliste?

Mirela MuçollariThoshte që janë shumë të zhurmshëm, bëjnë si të çmendur. Shumica e tyre nuk mësonin, dhe nuk e pëlqente. Nuk ishte ambient për të. Unë i thashë që në çdo klasë ka element të tillë, unë atë bëj mami, por janë 6 orë. Unë mora masa për ta ndërruar nga klasa, më thanë që nuk bëhet. Irsa është shumë e rregullt më tha një mësuese, nuk ka të bëjë fare me nxënësit. Shikonte hallin e saj, shkonte në shkollë si zakonisht. E pyesja, të keqen mami si kalove? Mirë…Vetëm donte të ndërronte klasën, më tha o mami e mira është të shkoj atje ku kam shoqet e mia, ata më duken sikur janë më të mirë. E pyesja, më thoshte mirë, mirë, mirë…Nuk më shfaqi ndonjë…Ishte periudhë shumë e shkurtër dhe nuk na la kohë që të besonim diçka tjetër. Ishte larguar të Premten dhe ne nuk na lajmëroi njeri, edhe të Hënën, kishte bërë vetëm 3 orë. Pse erdhe Irsa? Kam pushim ka thënë. Ka ikur përsëri, ka ardhur…Duke gjetur të atin në shtëpi, e pyeste ai.

Thekson se e ndjera kishte munguar plot 3 herë në shkollë dhe askush s’e kishte lajmëruar për këtë gjë.

-Asnjë bisedë të drejtëpërdejtë?

Mirela Muçollari: U ngritëm të dyja bashkë, u vesh si çdo ditë. Më tha mami të iki unë se jam vonë. Pas 2,3 orësh erdhi në shtëpi dhe tha që kam pushim, ishte larguar prapë. Kur erdhi për herë të 3-të nga shkolla bëri atë që bëri.

-Ka lënë vajza një letër?

Mirela MuçollariVajza letër nuk ka lënë, në shënimet e saj janë gjetur disa fletë. Nuk ka lënë ditar, as letër…Se të kishte letër, do ishte njëfarë ngushëllimi. Në sendet e saj janë gjetur disa fletë ku ka shkruar anglisht, në vijat e para shkruhej për bullzimin, se atë ditë isha shumë e tronditur. Deri në fund nuk e di çfarë është shkruar se e ka marrë Prokuroria.

“Kishte për të veshur e për të ngrënë, ne ndaj punojmë. Probleme ka çdo familje. Ajo kishte, jo siç shkruajnë portalet, ajo vishej si adoleshente”, rrëfeu Mirela.

Iku nga shkolla me lot në sy, nëna e 16-vjeçares në Opinion: Kush ma vrau vajzën?!

“Po përse u dashkam të jem kaq e veçuar”, kjo ishte fraza e shkëputur në një prej letrave të ditarit të 16-vjeçares në Gjirokastër që i dha fund jetës. E ndjerë e bullizuar dhe e përjashtuar nga shoqëria, ajo nuk mundi që të duronte më. Ndoshta u lodh nga beteja që kishte vendosur të luftonte e vetme, ose ndoshta nuk gjeti mbështetjen që aq shumë kishte nevojë.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e kësaj të hëne, e ëma e 16-vjeçares me dhimbjen që i lexohet në sy tregon se e bija nuk i kishte shprehur asgjë, përveç faktit që donte të ndryshonte klasën. Ajo thotë se bashkëmoshatarët e saj dhe mësuesit i kanë ardhur në shtëpi pas fatkeqësisë, por ata nuk pranuan asgjë. Sipas Mirela Muçollarit, atë të hënë të zezë që e bija i dha fund jetës, ishte larguar me lot në sy nga ora e mësimit.

Blendi Fevziu: A keni folur më me shkollën zonja Muçollari?

Mirela Muçollari: Ne këto ditë kemi qenë të mbytur nga njerëzit dhe falenderojmë të gjithë qytetarët e Gjirokastrës që na kanë mbështetur. Po këtu kanë ardhur shokët, kanë ardhur mësuesit dhe ata nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë, nuk pranojnë asgjë. “Nuk na ka shfaqur asgjë”, thonë ata.

Blendi Fevziu: Pjesa e klasës së vet?

Mirela Muçollari: Po shokët e shoqet, mësueset. Nuk e kuptuam thoshin, që të ketë shfaqur ndonjë gjë. Megjithëse ne na kanë ardhur shumë fjalë që vajza ka ikur duke qarë nga shkolla. Është larguar duke qarë nga shkolla.

Blendi Fevziu: Po nuk e dini shkakun?

Mirela Muçollari: Jo nuk e dimë shkakun se përse është larguar. Që bëri këtë veprim ajo nuk e bëri kot, ajo ka qenë e mbushur brenda vetes së saj. Por, që të gjitha informacionet që na vijnë sot, se kanë shkruar dhe anonim. Mesa duket fëmijët edhe nuk e shprehin.

Blendi Fevziu: Çfarë ju kanë thënë?

Mirela Muçollari: Na kanë thënë që ishte në orë të mësimit dhe ka ikur me lot në sy. Ka ikur me lot në sy dhe asnjë nuk më ka marrë mua në telefon si nënën e saj, që të më thoshte se ishte larguar. Dita e hënë i ka vënë kapakun çdo gjëje, përderisa vajza ka ikur duke qarë ka qenë shumë e mbushur. Ka qenë shtysa e fundit që atë e çoi drejt këtij veprimi.

Dhimbja nuk ka për t’i kaluar asnjëherë! E prekur Mirela Muçollari thotë që nuk e di se pse e bija vrau veten. Një pse, që do e mundojë deri në fund të jetës.

“Ajo iku tani dhe të vërtetën e mori me vete, por ne do të na mbetet gjithmonë në mendje pse?, pse?, pse?. Kush ma mërziti kaq shumë atë vajzë, sepse ne në shtëpi e mbanim në pëllëmbë të dorës, asaj nuk i ka munguar asnjë gjë nga ne. Por, në mendjen time do të jetë pse?, kush ma ka mërzitur kaq shumë? E mendoj ditë e natë, unë i kam lënë në dorë drejtësisë dhe Zotit lart. Kush ma vrau vajzën? Sepse vajza ka qenë shumë e mbushur emocionalisht që e bëri këtë veprim. Kjo pyetje mua do të më mundojë derisa t’i vete pranë. Vajzën e kisha më të mirë se ç’duhet”, tha ajo.

Rasti i 16-vjeçares në Gjirokastër, gazetari: Psikologia duhet të japë llogari

Para disa ditësh vendi u trondit nga rasti i një 16-vjeçareje që i dha fund jetës tragjikisht në Gjirokastër. Gazetari Xhensil Shkëmbi bëri me dije disa detaje të reja nga ky rast. Ai tha se është gjetur një letër ku përmendet psikologia. Sipas tij, kjo e fundit duhet të japë llogari.

“Ekziston një letër. Pra burime shumë të sigurta nga ana e policisë pranojnë se është gjetur një letër. Jo një letër e gjatë, është një fletë fletoreje e palosur në disa forma brenda kasës së telefonit. Menjëherë është gjetur nga vetë e ëma e cila e ka dorëzuar në polici. Ende nuk dihet përmbajtja, por ajo që dihet është se vajza në fletë ka përmendur psikologen. Ju e përmendët, gjëja më e trishtë është që psikologia, në të dyja format duhet të japë llogari. Në rast se nuk ka reaguar ashtu siç pretendohet në letër duhet të japë llogari, dhe në rast se nuk e njihte përsëri duhet të japë llogari sepse në një klasë me 22 nxënës dhe të mos njohësh një klasë problematike ti s’po bën punën”, tha Shkëmbi.

Gazetari tha se personi që pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen mund të jetë shoqja e saj e vetme. Ajo pritet të dëshmojë për të zbuluar diçka konkrete nga kjo ngjarje.

“I vetmi person që pritet të dëshmojë diçka konkrete është vetëm shoqja e saj. Ka vetëm një shoqe dhe të paktën burime paraprake të pasigurta mendohet se ka pasur edhe një komunikim mes vajzës dhe një djali në rrjetet sociale. Është ngritur një tjetër hetim sa i përket një shantazhi të mundshëm. Pra ashtu siç ndodhi ngjarja e Korçës se ka pasur një shantazh të mundshëm, por kjo duhet të konfirmohet nga prokuroria”, tha Shkëmbi.

Fevziu tregon çfarë i ndodhi me vajzën e vogël: Më shokoi agresiviteti i prindërve

Këtë të hënë në emisionin “Opinion” u diskutua mbi rastin e rëndë të para disa ditëve ku një 16-vjeçare i dha fund jetës në Gjirokastër sipas bullizimeve.

Gazetari Blendi Fevziu u shpreh në studio se shoqëria shqiptare është bërë më agresive krahasuar me 40 vite më parë, kur ai ishte vetë fëmijë.

Fevziu rrëfeu një histori personale. Ai tregoi se kur vetë ishte i vogël e ëma e këshillonte që kur luante me të tjerët t’i respektonte edhe bashkëmoshatarët e tjerë.

Sipas tij, ndryshe ndodhi kur së fundmi shkoi me vajzën e vogël në të njëjtat lodra që shkonte vetë. Fevziu tregoi se e shokoi agresiviteti i prindërve të tjerë që i mësonin fëmijëve që t’i zinin të parët lodrat.

“Shoqëria është më agresive, në përgjithësi edhe prindërit në raport me fëmijët kanë më shumë agresivitet. Po të sjell një rast se s’dua të ndërhyj më shumë. Kur ime më lindi motrën time qëllonte që paraditeve kur unë nuk kisha shkollë se shkoja pasditeve në shkollë më merrte te Parku “Rinia” ku ishin disa lodra për fëmijë. Mbaj mend sa herë shkoja të luaja dhe ajo rrinte me karrocën e motrës më thonte kujdes mos shtyn ndonjë fëmijë tjetër, një herë do hipësh ti në atë kolovajzën, një herë do të hipë ai tjetri.

Qëlloi që kalova me vajzën e vogël para ca kohësh në të njëjtat lodra dhe ajo pa lodrat dhe donte të rrinte. I thashë ok dhe po të pres në këmbë. Agresiviteti i prindërve që thoshin shko zëre ti i pari mos e zëri fëmija tjetër ishte në një kontrast me 40 vite më parë kur mbaja mend unë. Dhe jo vetëm ime më, por të gjithë prindërit që ishin aty u thoshin fëmijëve duhet të mbani radhën. Ndërkohë agresiviteti i prindërve më shokoi kësaj radhe. Mora vajzën ika”, tha Fevziu.

“Merr 10 quhesh budalla! Të thonë bravo po zure 3 dashnore”, absurdi në shoqëri

Çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare vitet e fundit? Është kjo pyetja që të gjithë shtrojmë bazuar në ngjarjet e njëpasnjëshme ku dominon bullizmi, promovimi i antivlerave apo qasjet komplet të kundërta me ato të së shkuarës. Me shembuj konkretë, gazetari Xhensil Shkëmbi tha në “Opinion” se ka “boshllëqe” të mëdha që nga raporti prind-fëmijë e deri te “trendet” që ndjekin adoleshentët që në bazë kanë statusin social.

“Sot ke prindër që kalojnë më pak kohë me fëmijët dhe anasjelltas. Mësuesit nuk kanë më të njëjtin autoritet si dikur. Dikur e quaja mësuesen time nënë të dytë, sot ke mësuese që shkojnë me minifund në shkollë”, tha gazetari, duke kujtuar se “dikur e bullizonin për veshët”.

“Sot ke djem që po të shkojë një djalë e të thotë që sot mora 10…E mo budalla, more 10! Po të shkojë një djalë e të thotë unë kam zënë 3 dashnore, bravo. Sot djalë i fortë apo trendy është ai që bëhet shok me fëmijën e atij që ka babain në burg, jo me fëmijën e intelektualit. E dëgjuat nënën si tha?! Vajza ime vishej shumë thjeshtë. Kishte vetëm një shoqe ajo, nuk bëheshin shoqe me të se është vajza e një punëtori të thjeshtë. Bëhen shokë me ata që e kanë babanë në burg, nënën në bashki, që janë super të pasur sepse kështu është krijuar shoqëria shqiptare vitet e fundit. Këtu të bësh punën e ndershme, je i bullizuar!”, shtoi ai.

/tvklan.al