Raportim Live
19:28, 23 Dhjetor 2024

Berisha ka mbërritur tek sheshi Wilson. Ai është takuar me deputetët e PD-së dhe të gjithë qytetarët që ndodhen aty.

20:14, 26 Nëntor 2024

Përfundon protesta e opozitës

Protesta e tretë e opozitës në kuadër të mosbindjes civile u shoqërua me tensione dhe përleshje fizike me forcat e rendit që kryesisht përdorën ujë me presion për lirimin e rrugëve.

Protestuesit bllokuan kalimin e automjeteve në pesë zona kryesore të kryeqytetit: Rruga e Elbasanit, Bashkia e Tiranës, Pallati me Shigjeta, Sheshi Wilson dhe Rrethrrotullimi i Zogut të Zi.

Policia u tha protestuesve se bllokimi i qarkullimit rrugor konsiderohet vepër penale.

Në Rrugën e Elbasanit, protestuesit u udhëhoqën nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Ai debatoi dhe u përplas me efektivët që i kërkuan protestuesve të lironin rrugën.

Në Sheshin Wilson, kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi hodhi dyshime mbi identitetin e efektivëve të policisë që ishin pa numër identifikimi.

Dhjetëra protestues u shoqëruan nëpër komisariatet e policisë ndërsa atyre që humbën ndjenjat ju dha ndihma e parë mjekësore.

Protesta e sotme zgjati nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

20:11, 26 Nëntor 2024

Këlliçi: Po fryn një erë ndryshe pro PD-së

Fjalimi i Belind Këlliçit i dha fund protestës së sotme në Tiranë ku për 3 orë qëndruan të bllokuara 5 pika kryesore në kryeqytet. Këlliçi falënderoi njerëzit që iu përgjigjën thirrjes së PD. Ai u shpreh se po fryn një erë pro PD-së dhe kthimit të shtetit në kufijtë e kushtetutshmërisë.

“Duke falenderuar gjithë qytetarët e Tiranës, demokratët, opozitarët, duke falënderuar këdo që ju përgjigj thirrjes së PD për këtë protestë të sotme, duke ju kujtuar qytetarëve se koha kur punohej për të zhbërë opozitën në Shqipëri ka marrë fund. Vetëm javën e kaluar, me dy rezolutat e fundit të internacionales botërore të partive të djathta dhe të qendrës së djathtë, dhe PPE-së e kuptoni që të gjithë që një erë ndryshe po fryn, era pro opozitës, pro PD dhe pro rikthimit të shtetit tonë në kufijtë e kushtetutshmërisë dhe rendin kushtetues”, tha Këlliçi.

 Pas fjalimit të tij protestuesit marshuan drejt selisë së PD-së… Lexo më shumë

19:57, 26 Nëntor 2024

Lirohet rruga te Pallati me Shigjeta

Gazetari Maksi Rama raporton se në këtë momente, pas 3 orësh bllokim, u hap qarkullimi në kryqëzimin te Pallati me Shigjeta.

Klevis Balliu falenderoi qytetarët që morën pjesë në protestë duke sinjalizuar në këtë mënyrë edhe fundin e saj në këtë pikë të kryeqytetit. Tashmë është liruar trafiku për qarkullimin e makinave.

19:32, 26 Nëntor 2024

Si paraqitet situata në rrugët e bllokuara

19:08, 26 Nëntor 2024

Në këtë moment protestuesit që ishin vendosur në sheshin Wilson i janë bashkuar atyre te Bashkia e Tiranës.

Mes tyre janë edhe deputetët Gazment Bardhi e Luan Baçi. Siç raporton gazetarja Glidona Daci, deri më tani situata aty është e qetë.

18:57, 26 Nëntor 2024

Hapet qarkullimi në 2 rrugë

Opozita proteston prej 2 orësh këtë të martë. Ata bllokuan pesë pika kryesore në kryeqytet duke paralizuar qarkullimin e mjeteve.

Mbetet edhe 1 orë nga orari zyrtar i protestës.

Deri më tani policia ka mundur të hapë qarkullimin në rrethrrotullimin e Zogut të Zi dhe në sheshin Wilson.

Ndërsa në Pallatin me Shigjeta, Rrugën e Elbasanit dhe te rruga te Bashkia e Tiranës vijon i bllokuar tërësisht qarkullimi.

18:49, 26 Nëntor 2024

Gjatë orëve të fundit qarkulloi një skenar se protestuesit do të grumbullohen në një pikë gjatë mbrëmjes së sotme. Dhe kështu duket se do të ndodhë.

Siç raportoi gazetari Besar Bajraktaraj, protestuesit në sheshin Wilson janë nisur për t’iu bashkuar atyre te Bashkia e Tiranës.

18:45, 26 Nëntor 2024

Uji me presion ndaj qytetarëve shkakton përplasje fizike

Vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe forcave policore në disa akse rrugore të Tiranës. Aktualisht po hidhet ujë me presion ndaj qytetarëve që po protestojnë te Sheshi “Wilson”. Kjo gjë ka shkaktuar edhe përplasje fizike, siç mund ta shihni në pamjet e mësipërme.

18:42, 26 Nëntor 2024

Si paraqitet situata deri tani

Në të gjitha pikat ku është vendosur mosbindja civile e opozitës ka tensione mes protestuesve dhe policisë.

Deputetët e opozitës kërkojnë që forcat e policisë të largohen, ndërsa policia kërkon që të lirohen rrugët. Madje te Bashkia e Tiranës hodhën ujë për të shpërndarë turmën.

Ky aks është i vetmi që nuk është hapur fare deri më tani për qarkullimin e makinave. Në katër pikat e tjera të protestës ka qarkullim të pjesshëm të mjeteve.

Policia për të shpërndarë turmat ka përdorur edhe gaz lotjsellës dhe hedhjen e ujit me presion.

Kujtojmë që më herët Policia e Tiranës tha se bllokimi i rrugëve është vepër penale.

16:23, 26 Nëntor 2024

Opozita bllokon 5 akse në Tiranë për 3 orë, tensione me policinë (Të gjitha zhvillimet)

Protesta e opozites ne Tirane, 26 Nentor 2024