Raportim Live
20:15, 29 Tetor 2024

Tvklan.al mbyll këtu këtë raportim live nga bllokimi i rrugëve.

Që prej orës 17:00 ishim këtu për t’ju përcjellë në kohë reale zhvillimet më të fundit nga ajo që opozita e quan si mosbindje civile.

Më poshtë mund të ndiqni se çfarë ndodhi përgjatë 3 orëve në 6 akse të ndryshme të vendit.

Shihemi në raportime të tjera! 🖐

20:10, 29 Tetor 2024

3 orë protestë, videoja e plotë

20:08, 29 Tetor 2024

Përfundon protesta e opozitës. U shtri në disa qytete dhe zgjati 3 orë

Tiranë – Protesta në Kthesën e Kamzës u mbyll pas 3 orësh në Tiranë. Për disa minuta pati një përplasje mes protestuesve dhe policisë. Megjithatë bllokimi i rrugëve u mbyll qetë pa incidente të tjera të mëdha. “Mosbindja civile ka nisur të japë frytet e veta, do i sjellë zgjidhje Shqipërisë e shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje!”, tha Flamur Noka në mbyllje.

Elbasan – Protesta e opozitës që zgjati më shumë se 2 orë përfundoi para orës 20:00. Tashmë vijon qarkullimi normal i mjeteve. Shumica e protestuesve tashmë janë larguar.

Shkozet – Aty nuk u raportuan incidente dhe bllokimi i rrugëve u mbyll në orën 20:00 siç ishte paralajmëruar. “Mirupafshim në aksionin e radhës”, tha Edi Paloka sipas të cilit bllokada i arriti pritshmëritë. “Qëllimi që kishim sigurisht ia arritëm. Rruga u bllokua, ky ishte qëllimi sot”, tha Paloka.

Levan – Edhe protesta në jug të vendit, në rrethrrotullimin e Levanit mbaroi siç ishte parashikuar në orën 20:00. “Morëm falënderime të qytetarëve të shumtë që ndaluan në rrugë dhe nuk u bllokuan. Iu bashkuan qëndrestarëve në këtë rrethrrotullim. Ndjesë ndonjërit që është bllokuar në rrugë. I falenderojmë dhe kjo mosbindje civile e PD, e popullit do të vazhdojë dhe përshkallëzohet në vijim”, tha Luan Baçi.

Milot – Edhe në fushë Milot protesta u mbyll pa incidente. “Shpreh gatishmërinë, bindjen, bëj deklaratën që kjo mosbindje do vazhdojë. Do ketë të tjera deri arritjen e aktit final të mosbindjes civile, qeveri teknike dhe dhënie liri të liderit të opozitës, dhënies fund të inkuizicionit të liderëve të opozitës në Shqipëri”, tha Luçiano Boçi.

Rrogozhinë – Edhe protesta në rrethrrotullimin e Rrogozhinës u mbyll pa incidente. Tashmë vijon qarkullimi normal i makinave.

20:07, 29 Tetor 2024

As molotov e gaz lotsjellës! ‘Protestë-bllokadë’, ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim

Ndryshe nga protesta e shkuar ku u përdor për 3 orë molotov ndaj institucioneve, kjo e sotmja erdhi shumë më ndryshe.

Protestuesit “paralizuan” qarkullimin e automjeteve në 6 akse nacionale, dogjën goma e kazanë plehrash, ndërsa u shënuan vetëm dy momente të përplasjes me uniformat blu. Te ish-sheshi “Shqiponja” dhe në Elbasan. Qytetarët që iu bashkuan thirrjes së opozitës në disa qytete të vendit zgjodhën edhe forma tejet paqësore të protestës.

Në Milot ndezën blicat e celularëve duke qenë se rruga s’kishte ndriçim, ndërsa u panë dhe dy protestues tejet të veçantë. Njëri me kalë e veshje popullore e tjetri i ulur këmbëkryq në mes të rrugës duke ngrënë djathë.

Këtë të Martë turma nuk tentoi të sulmojë godinat institucionale dhe as nuk pamë të përdorej gaz lotsjellës nga ana e Policisë. Duhet theksuar se forma të tilla proteste janë tentuar vite më parë, por nuk janë realizuar në këtë masë.

20:06, 29 Tetor 2024

Mbyllet protesta! Noka: E gjithë Shqipëria në duart e opozitës, s’ka kthim pas!

Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, dha një mesazh përmbyllës për protestën e sotme në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”. Ai u shpreh i kënaqur me tubimin e sotëm, duke theksuar se opozita ia arriti qëllimit.

“Sot, ishte një ditë e jashtzakonshme! E gjithë Shqipëria në duart e opozitës, dua të falenderoj të gjithë të rinjtë e të rejat, qytetarët që iu bindën thirrjes në këtë hap të mosbindjes civile. Dua të falenderoj po ashtu qytetarët shqiptarë në përgjithësi, që shmangën përplasjen në këtë ditë dhe iu bindën thirrjes së opozitës me heshtjen e tyre, duke qëndruar në shtëpitë e tyre. Ditë e zezë për narko-regjimin dhe bandat e pushtetit. Të tmerruar kanë sjellë narko-policinë në çdo kryqëzim. Mosbindja civile ka nisur të japë frytet e veta, do i sjellë zgjidhje Shqipërisë e shqiptarëve. Qeveria teknike është e vetmja zgjidhje!”Lexo më shumë

19:48, 29 Tetor 2024

Tedi Blushi: Të shkojmë në Surrel, te shtëpia e Edi Ramës


Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi foli për një zhvendosje të mundshme të protestuesve drejt Surrelit, atje ku banon kryeministri i vendit Edi Rama.

“Të shkojmë në Surrel në shtëpinë e Edi Ramës, të shkojmë në shtëpinë e Erion Veliajt, t’u japim ndëshkimin që meritojnë! Kanë dalë për të provokuar këta qytetarë paqësorë që janë më të vendosur se kurrë për t’u ballafaquar dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim”, deklaroi ai.

19:30, 29 Tetor 2024

Ende pa përfunduar orari zyrtar i protestës, hapet rruga në Elbasan

Vetëm 30 minuta kanë mbetur nga përfundimi i protestës siç është deklaruar më herët që do të përfundojë në orën 20:00.

Deri më tani përplasje me policinë janë shënuar në Tiranë dhe Elbasan. Në këtë të fundit u hap qarkullimi për makinat 45 minuta para orës 20:00.

Në qytetet e tjera situata duket më e qetë sipas raportimeve nga gazetarët e Klan News nga terreni.  

 

19:30, 29 Tetor 2024

Digjen goma edhe te “Kthesa e Kamzës”

19:26, 29 Tetor 2024

Vijon protesta në trajtë bllokade! E treta në pak muaj

Opozita mbajti protestë më 11 Korrik të këtij viti si dhe më 7 Tetor, pas arrestimit të ish-deputetit Ervin Salianji. Kjo e sotmja vjen në një formë që nuk e kemi parë ndonjëherë, me bllokimin e akseve kryesore rrugore në vend.

19:21, 29 Tetor 2024

Hapet një krah i rrugës në Elbasan

Në Elbasan ka nisur lëvizja e makinave 45 minuta më herët nga sa ishte parashikuar bllokimi.

Gazetari Maksi Rama raporton se pas disa momenteve konfrontimi mes protestuesve dhe policisë u hap një pjesë e rrugës që lejon lëvizjen e makinave nga Tirana drejt Elbasanit. Krahu tjetër vijon i bllokuar.

Drejtuesi politik i PD-së, Ivi Kaso dhe ai i Elbasanit, Tomor Alizoti janë duke lëvizur në drejtim të rrethrrotullimit të madh të Bradasheshit së bashku me policinë.

16:35, 29 Tetor 2024

Mosbindje civile, PD bllokon 6 akse nacionale për 3 orë (Të gjitha zhvillimet)