Në një mbledhje me drejtuesit politikë të qarqeve, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka kërkuar nga ata një mobilizim të jashtëzakonshëm në protestën e thirrur më 26 Nëntor. Berisha bëri thirrje që ditën e martë në orën 17:00, Tirana të jetë e gjitha në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë.

Sali Berisha: Koha në të cilën thirret jo protesta, por mosbindja civile, është e shkurtër. Por, revolta, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisë rritet me shpejtësi progresive nga java në javë. Zemërimi ndaj saj është i pandalshëm. Në këtë kuadër mund të themi se protesta e datës 26 nëntor është një hap i vonuar. Ndaj dhe kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë.

Sipas Berishës, mosbindja civile e ditës së martë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre. Ndaj ai paralajmëroi edhe policinë të mos prekë asnjë protestues.

Sali Berisha: Një një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste, i ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit. Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar. Edhe njëherë, i them përfaqësuesit, bastardit të familjes Hoxha dhe përfaqësuesit të bandës së Troplinëve, mos ndërse narkobanditë kundër qytetarëve se do paguash çmimin më të shtrenjtë. Nuk mund të mbani pushtetin me banda. Jo dhe jo.

Sipas Berishës, Shqipëria përbën sot, pas zonave të luftës, problemin më madhor për shkak të narkoshtetit, për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira, të burgosjes së opozitës apo të krijimit të sipërmarrjes qeveri-krim i organizuar.

Klan News