Lideri i opozitës Sali Berisha ka akuzuar për dhunë ndaj protestuesve në Londër, kryeministrin Edi Rama.
“Edvin Kristaq Xhelati keqtrajtoi me bandat e tij kafshërisht mbi 20 protestues paqësorë në sallën e takimit. Falangat e krimit të banditëve në Londër dhe të mbledhur nga vende të tjera të patronazhistëve kriminelë të shkuar nga Tirana, të armatosur me objekte të forta, goditën të tërbuar protestuesit paqësorë të demokracisë”, tha Berisha.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e opozitës për mosbindje civile të Martën e 26 Nëntorit.
“Ditën e martë, në orën 17:00 Shqipëria marshon në Tiranë, Tirana e qytetarëve, betejë, betejë, betejë”, tha Berisha.
Sipas të dhënave nga Partia Demokratike ditën e martë më 26 Nëntor, do të bllokohen disa akse dhe kryqëzime kryesore duke nisur prej orës 5 pasdite, siç janë rruga para Bashkisë së Tiranës, ura e madhe te Rruga e Elbasanit, sheshi “Wilson”, kryqëzimi te Zogu i Zi si dhe kryqëzimi te Pallati me Shigjeta.
Klan News