Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme me drejtuesit politikë të kësaj partie ku temë kryesore e saj ka qenë marshimi i rradhës në kuadër të mosbindjes civile që pritet të mbahet në 26 Nëntor.

Berisha bëri thirrje për një mobilizim të jashtëzakonshëm ku theksoi se Tirana duhet të jetë në duar të qytetarëve dhe jo të qeverisë.

Sali Berisha: Kjo mbledhje e thirrur me urgjencë lidhet me protestën, me marshimin në Tiranë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me datën 26 Nëntor, ora 5. Koha në të cilën thirret jo protesta, por mosbindja civile, është e shkurtër. Por, revolta, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisë rritet me shpejtësi progresive nga java në javë. Zemërimi ndaj saj është i pandalshëm. Në këtë kuadër mund të themi se protesta e datës 26 nëntor është një hap i vonuar. Ndaj dhe kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë. Asgjë nuk ka më të pamëshirë se kohën dhe këtë duhet ta kemi të qartë secili nga ne. Kjo narkoqeveri nuk meriton asnjë minutë kohë të vetme. Sulmi dhe vetëm sulmi duhet të jenë qëndrimet tona.

Mosbindja civile e ditës së martë, marshimi në Tiranë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre. Ndaj dhe, të nderuar drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë. Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narkodiktatura nuk ka të ardhme. Ajo mbahet tani nga organet e dhunës. Një akt që më rikujton muajt e fundit të diktaturës komuniste, i ndërruan të gjithë drejtorët dhe sollën në krye të policisë banditë të damkosur, njerëz me lidhje të certifikuara, ushtarë të krimit. Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar. Edhe njëherë, i them përfaqësuesit, bastardit të familjes Hoxha dhe përfaqësuesit të bandës së Troplinëve, mos ndërse narkobanditë kundër qytetarëve se do paguash çmimin më të shtrenjtë. Nuk mund të mbani pushtetin me banda. Jo dhe jo.

/tvklan.al